English

Basha: “Viti tjetër, Bashkia bashkëfinancuese e panairit të librit”

Basha: “Nga viti tjetër, Bashkia bashkëfinancuese e panairit të librit”

Kryebashkiaku Basha dhe bashkëshortja e tij Aurela kanë vizituar sot panairin e librit. Ndërsa ka vizituar stendat e librit dhe nuk i ka rezistuar tundimit për të pasuruar bibliotekën e tij me botimet më të fundit, zoti Basha ka premtuar se Bashkia do të jetë bashkëfinancuese e këtij panairi.

“Dua të përgëzoj organizatorët e panairit të librit, në Tiranë, të cilët ia kanë dalë edhe këtë vit të organizojnë në panair të bukur, me një prani të madhe të botuesve shqiptarë, nga Shqipëria, Kosova. Maqedonia, nga të gjithë trevat shqiptare në Ballkan, ku spikasin autorët e vendit, spikasin përkthime të jashtëzakonshme të literaturës bashkëkohore dhe asaj klasike. Më vjen mirë që panairi vazhdon të tërheqë mijëra e mijëra lexues nga Shqipëria dhe në fakt nga të gjithë trojet shqiptare. Më vjen mirë që kjo ndodh edhe në momente kur politika duket se i kishte drejtuar sytë dhe energjitë gjetkë, pra ndodh pavarësisht nga vëmendja e politikës.

Si kryetar i Bashkisë së Tiranës, jam i përkushtuar që mbështetjen e këtij panairi, gjë të cilën e realizuam vitin e kaluar dhe një vit më parë por fatkeqësisht jo këtë vit, tashmë ta buxhetojmë, për ta kthyer panairin në një aktivitet të bashkëfinancuar nga Bashkia e Tiranës, në mënyrë të rregullt, në vitet dhe dekadat e ardhshme”.

Kryebashkiaku Basha ka lançuar dhe iniciativën më të re të Bashkisë së Tiranës, për të akorduar duke nisur nga viti i ardhshëm e në vijmësi çmimin e madh të Tiranës për letërsinë.

"Kam kënaqësinë të ndaj në një moment si ky, në praninë e botuesve shqiptarë vendimin tim, për të nisur nga viti i ardhshëm akordimin e çmimit të madh të Tiranës për letërsinë, çmim i cili do i akordohet një autori të përzgjedhur nga një juri e përbashkët shqiptare dhe ndërkombëtare, në mënyrë që ky çmim të evidentojë edhe një herë forcën e madhe të librit dhe vëmendjen e madhe të qytetit të Tiranës por edhe shqiptarëve, të cilëve ky qytet u shërben si kryeqytet ndaj librit, si virtyt, si pasuri, si forcë që e çon përpara shoqërinë. Bashkërisht me këtë, ne do të kthejmë vëmendjen tonë edhe ndaj autorëve që e kanë Tiranën shtëpinë e tyre, në plane të ndryshme, së pari duke avancuar projektet tona për më shumë hapësira librarish në Tiranë, madje pse jo edhe dedikimin e një hapësire të madhe, për një librari të madhe të Tiranës, ndoshta të bashkëvendosur me bibliotekën e Tiranës, përgjatë bulevardit të ri të Tiranës" – theksoi z. Basha.

Zoti Basha bëri të ditur se shtëpitë e shkrimtarëve më të shquar shqiptarë do të shndërrohen në qendra muzeale.

"Po kështu, së shpejti do i drejtohem ministres së Kulturës, për bashkëfinancimin e disa projekteve të rëndësishme të cilat do të synojnë që vendbanimet e disa prej shkrimtarëve tanë të shquar, me famë botërore, t’i kthejmë, (sigurisht përkundrejt dëmshpërblimit) në muze apo qendra muzeale për qytetin e Tiranës, që jam i sigurt do mirëpriten si nga publiku kryeqytetas, ashtu edhe nga vizitorët vendas dhe të huaj të kryeqytetit tonë.

Edhe një herë, dua të uroj nga zemra të gjithë botuesit dhe organizatorët, natyrisht edhe autorët e përkthyesit, për punën e jashtëzakonshme që paraqet ky panair dhe të shpresojmë që vitin e ardhshëm, me një mbështetje më të madhe do të arrijmë një shkallë tjetër përsosmërie dhe suksesi për të gjithë të pranishmit, botuesit, autorët, përkthyesit, për të gjithë ata që kontribuojnë tek libri në shqip”- deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës.

KOMENTE