Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, zbardh procedurat e reja të rekrutimit në administratën publike. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Harito sqaron se lajmërimet për pozicionet e lira të punës do të postohen në faqen e internetit të Departamentit të Administratës Publike, në portalin e Shërbimit të Punësimit Kombëtar dhe gjithashtu edhe në portalet e përzgjedhura punëkërkuese të menaxhuara nga organizatat jofitimprurëse apo ato private. Sipas ministres, kandidatët potencialë do të mund të dërgojnë format e aplikimit si dhe dokumente të tjerë të nevojshëm në këtë proces si dhe do të kenë mundësinë që të jenë në dijeni të informacioneve të përditësuara mbi aplikimin. Duke komentuar aksionet e fundit për bllokimin websiteve të lojërave të fatit, Harito thekson se gjer më tani janë bllokuar 6000 website të huaja ilegale.
Gjatë 23 viteve është i njohur fenomeni i blerjes së vendeve të punës apo i korrupsionit. Si mendoni se do ta luftoni?
Korrupsioni është mbase një nga dukuritë më të përfolura në vendin tonë dhe një nga ato dukuri për të cilat ne jemi përfolur nëpër botë kaq shumë, për vite me radhë. Luftën e hapur dhe të ashpër ndaj kësaj dukurie, ia kemi vënë qëllim vetes, në emër të parimeve të qeverisjes së drejtë, e cila drejton mbarë botën e qytetëruar. Që ne të arrijmë të përmbushim angazhimet tona në lidhje me integrimin evropian, duhet së pari të luftojmë në rrënjë korrupsionin. Modernizimi i administratës publike dhe teknologjitë e reja luajnë një rol të rëndësishëm në sfidën e përbashkët të qeverisë sonë të re në përshkallëzimin e luftës ndaj korrupsionit, falë transparencës, saktësisë dhe efiçencës që do të sjellin reformat qe po ndërmarrim në fushën e TIK.
Cilat do të jenë hapat konkrete që ju si ministre për Inovacionin dhe Administratën Publike mendoni që të realizoni?
Së pari, dixhitalizimi dhe teknologjia e informacionit hapin dyert e informacionit dhe zvogëlojnë gjithnjë e më shumë terrin dhe errësirën e paditurisë që janë faktorë, të cilët ushqejnë dhe kanë një marrëdhënie simbiotike me dukurinë e korrupsionit. Nga ana tjetër “Qeverisja e hapur”, që është edhe një nga pikat e axhendës sonë, do të thotë qeveri, e cila ka tendencë të rrisë transparencën në organizim, veprimtari e vendimmarrje. Lufta kundër korrupsionit fillon nga krijimi i një administrate publike të depolitizuar, profesionale, e cila punon me transparencë dhe devotshmëri në shërbim të taksapaguesve. Një nga prioritetet tona kryesore dhe një nga angazhimet tona më të rëndësishme është përmirësimi i shërbimit të rekrutimit në administratën publike, të cilin synojmë ta shndërrojmë në një sistem transparent, të bazuar në aftësitë e individit dhe gjithashtu edhe në një proces me efektivitet që t’i shërbejë shtetit dhe individit. Një nga detyrat tona më të vështira është të sigurojmë besimin e humbur të qytetarëve shqiptarë në seriozitetin e institucioneve shtetërore, në transparencën e vendimmarrjes, dhe veçanërisht në proceset që kanë të bëjnë me punësimin në administratën publike. Korrupsioni nuk është abstrakt. Ai ndodh në administratën publike, në të gjitha nivelet. Ndaj, modernizimi i administratës është thelbi i sistemit duam të ndërtojmë.
Që nga data 1 tetor 2013, ka hyrë në fuqi një ligj i ri për nëpunësin civil. A jeni duke përgatitur aktet nënligjore për ta bërë të aplikueshëm?
Ky ligj ndryshon thelbësisht dy gjëra: mënyrën e rekrutimit dhe sistemin e karrierës dhe vlerësimin e performancës. Ne po ngremë çdo ditë një sistem të hapur e transparent. Është e vështirë, është një ndryshim i madh. Të mos harrojmë që prej 75 vjetësh në këtë vend, punësimi në administratë është bërë me njohje dhe jo me kompetencë. Ne do të rishikojmë të gjitha procedurat, të cilat kanë të bëjnë me pozicionet e lira të punës, përcaktimin e kritereve të përzgjedhjes së nëpunësit civil, panelit përzgjedhës, drejtimin e karrierës, monitorimin dhe vlerësimin e aplikantit dhe gjithashtu edhe të drejtën e tyre për të kontestuar vendimin e marrë. Ne do të përpiqemi të shfrytëzojmë më së miri teknologjinë për një sistem të dixhitalizuar te menaxhimit të administratës publike, i cili sot nuk përdoret.
Si do të mund të shohin lajmërimet për punë qytetarët të cilët janë ende në pritje?
Lajmërimet për pozicionet e lira të punës do të postohen në faqen e internetit të Departamentit të Administratës Publike, në portalin e Shërbimit të Punësimit Kombëtar, në portalin E-Albania dhe gjithashtu edhe në portalet e përzgjedhura punëkërkuese të menaxhuara nga organizatat jofitimprurëse apo ato private. Qytetarët e regjistruar do të informohen personalisht dhe rregullisht mbi mundësitë e punësimit që do të shfaqen në administratën publike. Kandidatët potencialë do të mund të dërgojnë format e aplikimit si dhe dokumente të tjerë të nevojshëm në këtë proces si dhe do të kenë mundësinë që të jenë në dijeni të informacioneve të përditësuara mbi aplikimin e tyre, duke e ndjekur atë online.
Pak ditë më parë Ministria e Brendshme nisi një aksion kundër basteve online. Si ministria që merreni direkt me anën teknologjike, sa është numri i websiteve që keni bllokuar?
Krimi i organizuar sot nuk është vetëm në terren. Ai është po aq prezent në hapësirën kibernetike. Ne, në bashkëpunim me Njësinë e lojërave të fatit dhe autoritetin rregullator të komunikimeve elektronike kemi ndërprerë aksesin në 6’000 website të huaja ilegale. Ato shndërrohen, çdo ditë dhe ne çdo ditë bashkëpunojmë me partnerët tanë evropiane për t’i ndjekur dhe penguar. Më gjerësisht, ofrimi i shërbimeve publike duke përdorur TIK është një mënyrë për të lehtësuar dhe në të njëjtën kohë, përmirësuar punën e përditshme të administratës publike, për të ulur kostot dhe më e rëndësishmja një ndihmë e drejtpërdrejtë në luftën kundër korrupsionit, duke rritur në mënyrë të ndjeshme transparencën në ambientet e punës. Rruga që shtrihet drejt nesh sigurisht është e vështirë dhe me shumë pengesa.