English

Këshilli Bashkiak shtyn alokimin e 160 milion lekëve për kompesimin e pronarëve që preken nga ndërtimi i bulevardit të ri

Këshilli Bashkiak, me votat e të majtëve ka vendosur të shtyjë alokimin e 160 milionë lekëve për kompensimin e pronarëve që preken nga ndërtimi i bulevardit të ri. Në fillim të mbledhjes, nënkryetari i Këshillit Bashkiak, Enno Bozdo ka kërkuar miratimin e këtij vendimi i cili është hapi i parë, në shumën totale që Bashkia do të paguajë për kompensimin financiar të pronarëve që preken nga ndërtimi i veprës më të rëndësishme në Tiranë, në 70 vitet e fundit, bulevardit të ri.

“Është e kuptueshme që punime të tilla publike, janë të shoqëruara me koston e shpronësimit, kosto të cilat janë përcaktuar në VKM-në përkatëse. Pikërisht, për të bërë të mundur që ky projekt kaq strategjik për qytetin e Tiranës të procedojë pa asnjë pengesë, në interes do të thosha të gjithë qytetarëve të Tiranës, ne kërkojmë të alokojmë nga buxheti i viti 2013 një shumë prej 160 milionë lekësh, të cilat do të ndryshojnë destinacionin, sipas zërave përkatës dhe do të alokohen vetëm për të përballuar shpronësimet, në të mirë të kësaj vepre publike. Do të thosha gjithashtu, që detyrimi financiar për Bashkinë e Tiranës, për të mbaruar të gjithë këtë vepër strategjike është 1. 757 476 521 lekë që përfaqëson në të vërtetë vlerën totale të shpronësimeve për punimet që do të kryhen. Nuk duhet në asnjë mënyrë, të biem në situata kur vepra publike kanë proceduar pa ndërmarrë procesin e shpronësimit dhe procesin e dëmshpërblimit të pronarëve të ligjshëm. Për efektet financiare, në zbatimi të këtij vendimi do të përballohen duke pakësuar fondin e rezervave në shumën 70 milionë lekë dhe fondin e kontigjencës në shumën 30 milionë lekë si dhe pagesën e principalit të vitit aktual, do të thosha për projektin e rrugëve, një kredi e Bankës Europiane për Ndërtim e Zhvillim, në shumën prej 60 milionë lekë” – u shpreh z. Bozdo.

Zoti Bozdo i ka konsideruar keqinformime për interesa të ngushta politikë, ato të këshilltarëve socialist, në raport me pronarët. Ndryshe nga çka ndodhur deri dy vjet më parë, ku prona u është marrë pronarëve, pa marrë parasysh asnjë vlerë kompensimi, kryebashkiaku Basha dhe stafi i Bashkisë kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me pronarët, për t’u gjetur zgjidhjen më të mirë për ta. Në vitin 2011, Bashkia trashëgoi nga administrata e kaluar, plot 50 milionë dollarë amerikanë të cilat janë shpronësime të kryera në 90% të rasteve, pa asnjë lloj procedure.

“Më vjen keq që keqinformohet ky këshill i nderuar, sa i përket çështjes së pronarëve dhe vlerësimit të shpronësimeve dhe më vjen keq që keqinformohet me qëllim dhe besoj ndoshta shpresoj të mos jetë kështu por kjo është arsyeja e vërtetë kur refuzohet në blok një projekt-vendim kaq i rëndësishëm, për një vepër publike kaq të rëndësishme për Tiranën. Kemi bërë takime pas takimesh, z. Bushati, ku kemi dëgjuar me shumë vëmendje e ndoshta për herë të parë në filozofinë e veprimit të kësaj administrate të Bashkisë, të gjithë pretendimet e atyre që do të shpronësohen. Jemi ndalur fillimisht dhe fokusin e kemi pasur veçanërisht në familjet e rrugës “Skënder Hallulli”, rreth 70 familje të cilave nuk u preket vetëm oborri apo pronat e tjera, por edhe sipërfaqet e banimit. Kemi dhënë fjalën dhe e kemi realizuar që Bashkia do të gjendet pranë tyre, në mënyrë që të zgjidhim problemin e strehimit të tyre menjëherë, madje edhe pa filluar procesi real i ndërtimit të bulevardit të ri. Çmimi i shpronësimit, ju e dini fare mirë që nuk është atribut as i administratës së Bashkisë, as i këtij këshilli të nderuar. U kemi thënë dhe i mbahemi qëndrimit tonë që është e vërtetë, në situatë të caktuar, çmimi nuk përbën sens por nga ana tjetër i kemi udhëzuar banorët t’i drejtohen sistemit gjyqësor, gjykatës, si i vetmi instrument që mund të diktojë një çmim tjetër, në kushtet kur VKM dhe metodologjia e përcaktuar i ka shumë të qarta çmimet. Më vjen gjithashtu keq, që ngrihet një çështje e tillë, sepse është hera e parë që administrata e Bashkisë ulet me familjet të cilat shpronësohen, qoftë nga vepra kaq të mëdha, qoftë nga vepra të vogla publike. Në vitin 2011, ne kemi trashëguar nga administrata e kaluar, por pa dashur ta politizoj çështjen, pasi do shkonte kundër frymës së konsensusit që kërkova për miratimin e këtij projekt-vendimi, plot 50 milionë dollarë amerikanë të cilat janë shpronësime të kryera në 90% të rasteve pa asnjë lloj procedure, vendime gjyqësore të detyruara nga ne për t’i paguar, sepse Bashkia me të drejtë ka humbur rast pas rasti të gjithë shpronësimet që janë bërë. Mbi 90 % e veprave publike të ndërtuara në Tiranë kanë ndjekur këtë lloj procedure, nuk gjejmë letrat dhe shkojmë në gjyq të papërgatitur dhe është e kuptueshme që gjykata përcakton vlerën përkatëse.

Është një vepër madhore, së cilës duhet t’i hapim udhë. Kemi përcaktuar që në vitin tjetër, do të verifikohet shumë shpejt në projekt-buxhetin e vitit 2014, ne të kemi një shumë afro 700 milionë lekë, vetëm për fondin e shpronësimeve. Ne kemi vendosur një standard të ri dhe besoj se për këtë jemi krenarë. Ju jap një shembull: Në rrugën “Kont Leopold”, kemi paguar 1.2 milionë dollarë amerikanë, shpronësime të prapambetura nga administrata e kaluar dhe pastaj kemi vazhduar me punimet për ta përfunduar atë vepër, gjithashtu shumë të rëndësishme për qytetin e Tiranës” – theksoi z. Bozdo.

Këshilli Bashkiak ka shtyrë miratimin e listës përfundimtare (të pronave të paluajtshme shtetërore), për të cilat Bashkia e Tiranës kërkon transferimin e pronës së saj’, ndërkohë ka miratuar 10 vendime të tjera. Mes vendimeve të miratuara janë: projekti për subvencionin e interesave të kredisë, ku përfitojnë 679 familje; miratim dhënies së 199 bursave shteti, nxënësve konviktorë të qytetit te Tiranës, për vitin shkollor 2013-2014; trajtimin me bonus strehimi për 32 familje në nevojë, të cilët nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë; përcaktimin e standardeve minimale të detyrueshme, në linja të rregullta udhëtarësh rrethqytetëse, etj.

KOMENTE