English

Senatori amerikan qëllohet me thikë në shtëpinë e tij

Një senator i shtetit amerikan të Virxhinias është qëlluar disa herë me thikë në shtëpinë e tij, ku i biri u gjet i vdekur me një plagë të shkaktuar nga armë zjarri.

Creigh Deeds, ish-kandidat për guvernator, është në gjendje kritike për jetën. Policia ka deklaruar se nuk është vënë në kërkim të ndonjë të dyshuari, ndërsa hetuesit nuk sqarojnë nga ana tjetër nëse i biri i senatorit, Gus, ka vrarë veten.

Nuk dihet nëse 24-vjeçari ka pasur konflikte me të atin. Në departamentin lokal të policisë ka mbërritur një telefonatë emergjence nga vetë Deeds, i cili ka arritur të komunikojë me agjentët, pavarësisht plagëve të marra në kokë dhe në gjoks. Por, policia njoftoi se nuk do ta bëjë publik regjistrimin e bisedës.

Deeds, një demokrat i zgjedhur në senatin e shtetit në vitin 2001, përfaqëson kontenë Bath, në pjesën perëndimore të Virxhinias. Guvernatori republikan Bob McDonnell tha se mendimet dhe lutjet e të gjithëve në këto momente janë për familjen Deeds, ndërsa një politikan i zonës, David Toscano, e quajti incidentin “një tragjedi të tmerrshme”, duke shtuar se Deeds ishte shumë i afruar me të birin dhe në rrjedhën e viteve ka bërë përpjekje titanike për ta ndihmuar.

KOMENTE