English

A ishte Sokol Olldashi e vetmja viktimë apo ishte dhe dikush tjetër në makinë?

Gazeta "Panorama" në kryeartikullin e saj raporton detaje nga vdekja aksidentale e deputetit Sokol Olldashi.
Ish-ministri i Transporteve kthehej nga Elbasani me makinën e tij. Gjendet i pajetë me celular në dorë.

Automjeti i deputetit rrëshqet në shi te Lapidari i Kërrabës, përfundon 10 metra nën rrugë.

Deputeti i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, humbi jetën mbrëmjen e djeshme në një aksident automobilistik në rrugën Elbasan-Tiranë.
Ai po kthehej nga Elbasani në drejtim të Tiranës me automjetin e tij tip “Mercedez Benz S”, me targë AA 003 NH kur humbi drejtimin e mjetit dhe makina doli nga rruga.

Në kohën kur i kishin mbetur edhe 22 kilometra për të mbërritur në kryeqytet, makina ka rrëshqitur në terrenin e lagësht dhe ka përfunduar në humnerë në anën e djathtë të rrugës. Aksidenti tragjik ka ndodhur pranë Lapidarit të Kërrabës pak perpara orës 21 e 18 minuta.

Ky është orari kur deputeti demokrat, Igli Cara, i ka telefonuar Sallës Operative të Policisë së Tiranës, duke i lajmëruar që të shkonin në vendngjarje pasi Olldashi ishte aksidentuar. Fillimisht burime nga Policia e kryeqytetit thanë se bëhej fjalë për një aksident me dy persona të plagosur rëndë, në afërsi të Lapidarit të Kërrabës, pasi një makinë kishte përfunduar në humnerë.

Edhe pas konfirmimit se njëri prej personave të plagosur që më pas ndërroi jetë në vendin e ngjarjes ishte ish-ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, informacionet sërish flisnin edhe për një person të dytë të plagosur. Të njëjtin informacion burimet e Policisë e kanë thënë për gati 2 orë, derisa trupi i Olldashit është nxjerrë nga makina që ishte kthyer përmbys. Për disa orë u përfol se personi i dytë ishte një ish-zyrtar i Policisë Rrugore, i cili më vonë kontaktoi me mediat, duke mohuar praninë e tij në automjetin e Olldashit e duke pohuar se ishte shëndoshë e mirë.


Makina pas aksidentit

Kthesa e fortë në dishezë, rruga e lagur nga shiu që thuajse nuk pushoi gjatë gjithë ditës së djeshme, kanë qenë faktorët që kanë sjellë aksidentin. Olldashi, që besohet se ka qenë vetë në timon, ka humbur drejtimin e mjetit. Ai ka qenë duke udhëtuar nga Elbasani drejt Tiranës dhe, sapo ka prerë timonin e makinës majtas për t’u futur në kthesë, drejtimi i mjetit i ka dalë nga kontrolli. Makina ka rrëshqitur për rreth 100-150 metra, ka marrë para dy shufra të sinjalistikës rrugore në anën e djathtë të rrugës dhe, më pas, goma e krahut të pasagjerit ka dalë jashtë rruge. Ndonëse ka tentuar të frenojë, ka qenë e pamundur, makina është rrotulluar sipër shkurreve dhe ka rënë përmbys për rreth 10 metra poshtë rrugës. Makina ka ndaluar vetëm pasi ka përfunduar në një rrugë dytësore përbri malit të Kërrabës dhe ka ngelur e kthyer përmbys. Baxhoja prej xhami që ndodhej në kabinën e makinës është thyer tërësisht e duket se ajo ka qenë shkaktare e goditjes së fortë në kokë që ka pësuar deputeti Olldashi, duke i shkaktuar vdekjen brenda pak minutash nga aksidenti. Sipas ekspertëve kriminalistë, Olldashi është gjetur me celular në dorë, e mendohet se mund të ketë qenë duke folur në telefon.. Ndërsa nga ekspertiza mjekoligjore, dëmtimet më të mëdha i ka në gjoks dhe në kokë.

KOMENTE