Kreu i shtetit Bujar Nishani ka dekretuar sot emërimin e Gjovalin Përnocës dhe Petrit Çenos si anëtarë të Gjykatës së Lartë.
Në deklaratën e kreut të shteti z. Nishani thuhet:
Me dekretin nr. 8396, datë 22 nëntor 2013, vendosa të dekretoj emërimin e zotit Gjovalin Përnoca, si anëtar të Gjykatës së Lartë, pas realizimit të një procesi të rregullt ligjor të përzgjedhjes së kandidurave për anëtar.
Konkretisht, bazuar në përcaktimet kushtetuese, dhe ligjin Nr. 8588, Datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë, të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, brenda 2 javëve nga marrja e njoftimit nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, më datë 10 Tetor 2013 u bë njoftimi publik mbi fillimin e procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve. Pas këtij njoftimi, dhe me përfundimin e afatit të caktuar (21 tetor 2013) për paraqitjen e kërkesave dhe dokumentacionit përkatës , brenda një jave (në 28 tetor 2013) u bë publike lista e kandidatëve të cilët plotësonin kushtet të përcaktuara në nenin 3 të ligjit Nr. 8588, Datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë, të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
Në vijim të këtij procesi, bazuar në listën e konkurrentëve, përpara se të vendosja mbi dekretimin për emërimin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, së bashku me kryetarët e grupeve parlamentare në Kuvend, mbështetur në nenin 4/1 të këtij ligji realizuam procesin e konsultimeve për përcaktimin e kritereve konkrete, në respekt të kërkesës kushtetuese për kualifikim të lartë, përbërje cilësore dhe të përshtatshme të Gjykatës së Lartë.
Në përfundim të këtij procesi, ndërmjet konkurruesve vlerësova përvojën dhe vjetërsinë në profesion të kandidatit Gjovalin Përnoca, i cili vjen nga radhët e gjyqësorit me një eksperiencë mbi 21 vjeçare, nga të cilat për rreth 5 vjet ka shërbyer si gjyqtar në gjykatat e rretheve Mirditë dhe Shkodër, për rreth 4 vjet si inspektor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë si dhe për rreth 10 vjet gjyqtar në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Gjithashtu, mora në konsideratë treguesit mbi performancën e tij si gjyqtar dhe qenien si drejtues gjykate, përkatësisht për rreth 5 vjet në gjykata të shkallës së parë dhe për mbi 8 vjet në gjykata apeli. Për më tepër, zoti Përnoca gëzon dhe një eksperiencë 5-vjeçare si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Me besim se do të kem mirëkuptimin dhe pëlqimin tuaj për emërimin e zotit Gjovalin Përnoca si anëtar të Gjykatës së Lartë,
Me respekt,
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
BUJAR NISHANI