English

Libri mbetet i pazëvendësueshëm në universin e dijeve

Neritan Gjergjo - Shkrimtari dhe përkthyesi Kleo Lati të flet me pasion për dy nga dashuritë e tij të mëdha dhe të hershme: letërsinë dhe përkthimin. Me këto e ka të lidhur edhe krijimtarinë e tij të pasur, e cila rritet vit pas viti me vepra të reja të shkruara prej tij si prozator, por edhe me shumë vepra të përkthyera prej tij nga letërsia greke. Pas botimit të suksesshëm të romaneve të tij “Dhe yjet dridhen nga dashuria”, “Mëkati i bukur i tradhtisë”, apo të librit tjetër me titull “Diamante të gurtë”, ai thotë se ka në procesin e kri-jimit edhe dy romane të tjerë. Me po të njejtin pasion ai flet edhe për shumë nga librat, kryesisht romane, që ka përk-thyer nga letërsia greke si dhe për ato që ka përzgjedhur për t’ia sjellë në të ardhmen lexuesit shqiptar nga letërsia e vendit fqinj. “Çfarë provon kur merr në dorë një libër?”. Shkrimtari dhe përkthyesi përgjigjet:“-Sa herë që marr në duar një libër, gjithnjë provoj se në botën e ndjenjave të Unit tim diçka ndodh. Eshtë një trazim i bukur, një vërshim ndjesish dhe emocionesh që lidhen, sigurisht, me botën dhe ndjesitë që provojnë personazhet e librit, që lidhet me fatet e atyre personazheve, me teatrin e jetës që shpaloset në faqet e librit. Por janë ndjesi që lidhen edhe me Unin e shkrimtarit, të autorit të librit që mbaj në duar dhe që pastaj do ta shfletoj nga faqja e parë deri në faqen e fundit”. Dhe më pas shton: “- Sado pak kohë që të zgjasë leximi i një libri (një ose disa ditë), në marrëdhënien mes Unit të lexuesit dhe Unit të shkrimtarit ndodh një marrëdhënie e bukur, në dukje e çuditshme, por shumë e veçantë, një lloj raporti në heshtje, por që gjallon mes skenave të ngjarjeve dhe fateve të personazheve. Mes teatrit të jetës që përshkruhet në faqet e librit. Fundja, çdo njeri luan teatrin e vet të jetës. Shqetesohemi dhe ndjekim fatet e personazheve në libër, ashtu siç ua ka “caktuar” atyre shkrimtari, ndër-kohë që krejt natyrshëm mendojmë edhe për teatrin e vetë jetës sonë. Këtë teatër që luhet vetëm një herë në jetë, jo si në skenën e teatrit ku një vepër mund të shfaqet disa herë me radhë... Ja, mendime dhe ndjesi të tilla provoj sa herë që marr në duar një libër dhe nis e lexoj atë…Në fatin e personazheve të tij gjejmë diçka prej vetë fatit tonë, të njerëzve që njohim, të atyre që kemi dëgjuar, edhe pse nuk i njohim nga afër. Ndaj dhe pastaj nisim dhe mendojmë për atë se si e shikojmë vetveten dhe botën, çfarë bëjmë, kush jemi, çfarë do të bëhemi, ku do të shkojmë, si do të shkojmë dhe si do të ikim – të gjitha këto janë, në thelb, rezultat i përzgjedhjeve tona. Pak, apo shumë, pothuajse të gjithë ne jemi rezultat i përzgjedhjeve tona. Për pasojë, kuptimi i lirisë që të përzgjedhim është kusht që jetën tonë ta jetojmë ne dhe të mos lejojmë që ajo të na jetojë neve. Të krijojmë fatin tonë, të parashkruarën tonë dhe të mos lejojmë që të na e krijojnë të tjerët. Të jetojmë, pra, një jetë, e cila nëse do ishte e mundur që ta rijetonim edhe një herë të dytë, ne të donim që ajo të ishte e njejtë si ajo e para. Rigas Fereos kishte thënë se “mendon mirë ai që mendon lirisht”. Bukur kështu! Por që dikush të mendojë lirisht, duhet që të zotërojë di-je: kjo është ajo që përcakton kryesisht sasinë dhe cilësinë e zgjidhjeve alternative që ne zoterojmë, si dhe drejtësinë e përzgjedhjeve që bëjmë. Domethënë, të lirisë sonë. Sa më shumë dije, aq më shumë alternativa”. Dhe shton se “në universin e dijeve të njeriut libri ka qenë dhe do mbetet i pazëvendësueshëm”.

Përkthimet

Disa nga veprat e letër-sisë greke të sjella nga Kleo Lati në gjuhën shqipe janë: “Në emër të dashurisë”, roman i shkrimtarit Andonis Samarakis, “Fëmijët nuk duan psikolog. Duan prindër” i autorit Nikos Sideris, “Një dashuri dy jetë”, roman i shkrimtares Melina Tuda, “Për cilën dashuri më flet…”, roman i autores Thek-la Kristaqi, “Dashuritë e mëdha nuk veshin fustan nusërie”, roman i shkrimtares Mitsi Valaka, “Agrixhento”, roman i Kosta Haxhiantoniut, fitues i çmimit Europian për Letërsinë 2011...Kurse në Panairin e Librit, që u çel dje në Tiranë, përkthyesi Kleo Lati sjell për lexuesit shqiptarë dy romane nga letërsia greke: “Prova e kohës së humbur” të Kani Karava, dhe “Fijet” të shkrimtares Katina Vla-hu. Ka përkthyer edhe një numër të madh tregimesh, poezish, kujtimesh, skicash, ese të autorëve grekë, por lidhur me këtë Kleo Lati preferon t’i referohet poetit nobelist grek Elitis, sipas të cilit “letërsia është e vetmja hapësirë ku fuqia e numrit nuk ka vlerë”, dhe se “arti është e vetmja gjë me vlerë në kohërat tona të çvleftësimit sasior të vlerave”/Shekulli/

KOMENTE