Eduart Belegu, këshilltari i dy ish-ministrave të Ekonomisë Genc Ruli dhe Dritan Prifti, njëherësh dhe ish-administratori i kompanisë së minierave “Darfo”, është shpallur zyrtarisht i zhdukur.
Për njeriun që ka qëndruar për një kohë të gjatë, pranë VIP-ve të Ekonomisë Shqiptare, sot e kësaj dite nuk asnjë të dhënë rreth vendndodhjes së tij apo që të jetë gjallë ose jo. Vendimi për shpalljen të zhdukur të Eduart Belegut, është marrë në 22 nëntor të këtij viti nga gjykata e Tiranës, ku pas 10 seancash gjyqtarja Elona Gjoka ka vendosur të pranojë kërkesën civile të bërë nga gruaja e Belegut, Ilirjana Belegu, duke shpallur zyrtarisht burrin e saj person të zhdukur.
Kërkesë padia është depozituar në gjykatën e Tiranës në 2 maj 2013, ndërkohë që vetëm pas më shumë se një viti është marrë vendimi për zhdukjen e Eduart Belegut. Ky i fundit ka humbur kontaktet me familjen dhe të afërmit e tij që prej datës 28 prill 2010 dhe se për herë të fundit është parë në zonën e pallatit të sportit “Asllan Rusi”, pranë ish-fushës së Aviacionit. Shumë kërkime janë kryer nga policia dhe prokuroria, por edhe nga familjarët por sërish nuk është arritur të gjendet asnjë gjurmë e vendndodhjes së tij. Në atë periudhë u përfol Agron Kuliçi, se kishte gisht në zhdukje, por në fakt gjithçka mbeti në kuadër të thashethemeve.
Vëllai dëshmitar Për të provuar zhdukjen e 49-vjeçarit Eduard Belegu, bashkëshortja e tij Iliriana Belegu, i ka paraqitur gjykatës së Tiranës një sërë provash, duke filluar nga një vendim i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që shpallte pezullimin e hetimeve të kërkimit të Belegut. Një tjetër, provë që është paraqitur në gjykatën e Tiranës, është dhe një certifikatë vdekje e 49-vjeçarit, si dhe dëshmia e vëllait të të ndjerit, Eduard Belegu. Gëzim Belegu, është paraqitur në sallën e gjyqit duke vendosur të tregojë para gjyqtares Elona Gjoka, rrethanat e zhdukjes së 49-vjeçarit.
Pas kësaj dëshmie, dhe administrimit të provave të tjera në dosjen civile në datën 22 nëntor gjykata ka vendosur “Shpalljen e zhdukjes së shtetasit Eduart Belegu, i dtl. 21.02.1963, lindur në Tiranë. Në vendimin e shkurtimit gjykata e Tiranës qartëson se një kopje e këtij vendimi t'i dërgohet Qendrës së Publikimeve Zyrtare, duke urdhëruar botimin e shkurtimit të këtij vendimi në Fletoren Zyrtare. Gjithashtu një kopje e vendimit t'i dërgohet Zyrës së Gjendjes Civile, njësisë Bashkiake nr.2, Tiranë. Misteret e zhdukjes Mësohet se ditën e zhdukjes, Belegu kishte planifikuar një takim me një biznesmen për një punë borxhi, por pas takimit u zhduk në mënyrë të befasishme. Ai kishte shkuar me automjetin e tij tip “Range Rover” pranë vendit të takimit dhe pasi kishte përfunduar bisedën, dyshohet të jetë rrëmbyer nga katër persona të panjohur. Të paktën ky është versioni që jep biznesmeni, dëshmitar okular në këtë ngjarje, ai që pa për herë të fundit Eduard Belegun. Sipas tij, sapo është ndarë, ka parë katër persona që futën me forcë në një automjet Eduard Belegun dhe më pas u larguan me shpejtësi.
Por ky version për zhdukjen e këshilltarit të ministrit të Ekonomisë është verifikuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila nisi hetimet pas denoncimit të familjarëve. Nga hetimet nuk u zbulua asgjë, dhe sot pas më shumë se dy vitesh dosja e zhdukjes së Eduard Belegut është pa autor dhe qëndron e pezulluar në zyrat e policisë së Shtetit. Deklarata e ish-ministrit, Prifti: Dyshimet e mia për pozicionin e Kuliçit Në një intervistë që ish-ministri Dritan Prifti ka dhënë në një televizion, ka lënë të hapur versionin se Agron Kuliçi, në atë kohë me detyrë zv/drejtori i Policisë së Shtetit ka gisht në ngjarjen e zhdukjes së Belegut.
Prifti thekson se: “Belegu është arrestuar në zyrën e tij në ministrinë e Ekonomisë. Është arrestuar për një çështje që kishte të bënte me një punë të mëparshme të tij në një kompani private, nuk kishte lidhje me detyrën e tij. Një çështje që kishte filluar hetimi dy vjet më parë. Ai nuk thirrej se konsiderohej çështja e mbyllur. Kisha pasur informacione më parë. Ishte presion ndaj meje. Atë ditë, Belegu më thotë se kanë arrestuar kushërinjtë e mi në Elbasan për një çështje të vjetër. Më thotë se mund të më arrestojnë dhe mua. Dhe unë i thashë se çfarë ishte kjo çështje, ma sqaroi.
Dhe unë morrë në telefon Agron Kuliçin dhe i them për të më informuar se bëhej fjalë për këshilltarin tim. I thash nëse mund të më informonte për këto arrestime. Më mori në telefon pas 5 minutash dhe më tha se ka dalë një urdhër nga Gjykata e Elbasanit por nuk di gjë për këshilltarin tuaj. Të nesërmen ai ka qenë në krye të operacionit, ka qenë një gjë e urdhëruar prej Kuliçit. Është një histori tepër e dhimbshme, Belegu pasi doli nga burgu, ishte gati për të denoncuar prokurorinë dhe policinë për këtë skandal, ato ditë ai u zhduk dhe unë me Kuliçin mund të kem folur me dhjetëra herë dhe në asnjë rast nuk më është dhënë informacion”. /Shqiptarja.com/