Tashmë është vendosur se ku do të shkatërrohen armët kimike siriane, kjo pas refuzimit që Shqipëria bëri.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke planifikuar që të realizojnë këtë proces në det, informoi mbrëmjen e së enjtes “BBC”.
Sipas raportimit, do të jetë luftanija “MV Cape Ray” ajo që do të mbajë ngarkesën, e cila do të shkatërrohet duke përdorur një teknologji të avancuar.
Në bordin e kësaj anije luftarake do të vendosen pajisjet e nevojshme për realizimin e procesit, i cili ka nevojë për shumë ujë në fazën e shpërbashkimit të lëndëve kimike, nga të cilat krijohen mbetje toksike.
Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, e cila fitoi Nobelin e Paqes gjatë 2013-s, ka vendosur fundvitin si afatin përfundimtar për përcaktimin e planit të shkatërrimit të arsenalit sirian.
Afati i mëparshëm skadoi në datën 15 Nëntor pa mundur të konkretizohej, pasi Shqipëria dhe disa vende të tjera refuzuan kërkesën për të pritur procesin e shkatërrimit.