English

Taksimi progresiv. Ja si do të aplikohet mbi pagat. Ndryshojnë dhe sigurimet

Ornela Manjani - Zbardhet strategjia e qeverisë për tatimin mbi të ardhurat. Taksimi progresiv do të nisë aplikimin nga paga 30 000 lekë dhe do të jetë në masën 15% mbi pagën dhe do të përfundojnë mbi pagat 300 000 lekë me 30% të pagës. Strategjia e qeverisë paguan më shumë kush merr me shumë do të heqë nga funksionimi tatimin e sheshte 10%, i cili aplikohet aktualisht mbi të gjithë pagat pa diferencime. Mënyra e re taksimit është pjesë e paketës fiskale që po diskutohet mes Ministrisë së Financave dhe grupeve të biznesit dhe do të hyjë në fuqi në 1 janar të vitit të ardhshëm.

Ministria e Financave ka propozuar aplikimin e tatimit të ri mbi pagat. Sipas propozimit, pagat nga 0 deri në 30 000 lekë/muaji do të kenë një tatim prej 0%, pra nuk do të tatohen, pagat nga 30 000 lekë/muaji deri në 100 000 lekë në muaj do të tatohen 15%, pagat mbi 100 000 lekë/ muaj do të tatohen 20% dhe pagat mbi 300 000 lekë shkalla e taksimit do të jetë 25%. Sipas përllogaritjeve, personat që marrin një pagë mesatare 51800 lekë, tani tatohen 5180 lekë, por nga 1 janari do të tatohen 7770 lekë; paga mesatare në arsimin e mesëm që arrin deri në 61200 lekë në muaj tani tatohet 6120 lekë dhe me sistemin e ri të taksimit do të taksohet 9180 lekë, paga mesatare në arsimin 9-vjeçar tani arrin deri në 58400 lekë tatohet 5840 lekë dhe do të tatohet me 8760 lekë.

E njëjta praktikë do të ndiqet edhe me pagat e mjekëve. Paga mesatare e mjekëve është 57900 lekë, tani tatohet me 5790 lekë, ndërsa me taksimin progresiv do të tatohet me 8760 lekë, paga mesatare e infermierëve arrin deri në 38100 lekë, tani tatohet 3810 lekë dhe do të tatohen pas janarit 2013 me 57100 lekë. E njëjta logjikë do të ndiqet për të gjithë sektorët, shtetërorë apo privatë. Ndryshimi progresiv do të penalizojë edhe personat me të ardhura të larta. kështu pagat mbi 100 000 lekë, që tani tatohet me 10 000 lekë, do të tatohet me 20 000 lekë dhe pagat mbi 300 000 që tani paguan 30 000 lekë tatim do të paguajnë vitin e ardhshëm 75 000 lekë.

Sigurimet shoqërore

Ndryshimet do të përfshijnë edhe skemën e sigurimeve shoqërore. Sipas drafit të përgatitur nga Ministria e Financave të gjithë ata që marrin paga relativisht të larta, do të duhet të përballen dhe me një rritje të sigurimeve. Një nga pikat që po diskutohet në paketën e re fiskale, është që të “hiqet tavani i llogaritjes së kontributeve shëndetësore me pesëfishin e pagës minimale”. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se kjo do të sillte një rritje automatike të sigurimeve për të gjithë ata që kanë paga më të larta se 100 000 lekë. Aktualisht, kontributi i sigurimeve shëndetësore është 3.4% e pagës, e cilat paguhet 1.7% nga punëmarrësi dhe 1.7% nga punëdhënësi.

Pavarësisht pagës reale, individët që paguheshin mëshumë se 100 000 lekë (që është aktualisht pesëfishi i pagës minimale) i paguanin kontributet e sigurimeve shoqërore për pagën maksimale. Propozimi tjetër është që të vetëpunësuarit t’i paguajnë kontributet shëndetësore në masën 3.4% të dyfishit të pagës minimale, nga 7% e pagës minimale që paguajnë aktualisht. Krahas kësaj rritjeje, individët me paga mbi 100 000 lekë do të përballen dhe me ndryshimin e taksës progresive, e cila do të ketë një efekt negativ mbi ta. Skema e sigurimit të detyrueshëm shoqëror parashikon të sigurojë të ardhura gjithsej në masën 88 876 milionë lekë nga të cilat të ardhura nga kontributet 51 399 milionë lekë dhe transferimet nga buxheti i shtetit 37 477 milionë lekë.

Paga minimale, për efekt të pagesës së kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, përcaktohet nga Këshilli i Ministrave dhe ndryshon sa herë që rriten pagat dhe pensionet. Këshilli i Ministrave ka të drejtë të përcaktojë një kontribut të veçantë minimal për personat e vetëpunësuar në bujqësi dhe për kategoritë specifike të personave të vetëpunësuar. Diferenca ndërmjet kontributeve të veçanta me kontributin minimal mbulohet nga transferta e buxhetit të shtetit, por jo më shumë se kufijtë e transfertave të përcaktuara në këtë ligj.

Në 2014, do të ketë vetëm indeksim të pagave

Ministria e financave bën të ditur se për vitin e ardhshëm është parashikuar vetëm indeksimi i pagave sa norma e inflacionit. Gjatë hartimit të buxhetit nuk është parashikuar rritja e pagave pasi rritja e borxhit publik, shkurtimi i shpenzimeve dhe parashikimet për rritjen e të ardhurave nuk lënë hapësira. Rritja ekonomike, e cila nuk pritet të kalojë 1.7 % dhe parashikimet realiste për të ardhurat me qëllim eliminimin e rishikimit të buxhetit gjatë vitit të ardhshëm, janë mbajtur në konsideratë nga Ministria e Financave, e cila, e diktuar nga kushtet, po harton një buxhet të “ulët”/Shekulli/

KOMENTE