English

Hoxhaj kërkon vazhdimin e përkrahjes së Turqisë në përmbylljen e procesit të njohjeve për Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Davutoğlu.

Ministri Hoxhaj e ka njoftuar homologun turk për proceset e fundit në Kosovë dhe progresin që po arrihet në forcimin e gjithanshëm të shtetësisë.

Hoxhaj veçoi fuqizimin e vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përmes njohjeve dhe anëtarësimit në organizatat e ndryshme ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, ministri Hoxhaj kërkoi vazhdimin e përkrahjes së Turqisë në përmbylljen e procesit të njohjeve për Kosovën, duke vlerësuar lartë mbështetjen e deritashme të Turqisë në këtë drejtim.

Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu ka theksuar vullnetin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit bilateral me Turqinë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Ahmet Davutoğlu, ka vlerësuar progresin që po arrihet në vazhdimësi në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e shtetit të tij për avancimin e gjithanshëm të proceseve, e veçanërisht në lobimin për njohjen e mëtutjeshme të Kosovës.

Ministri Davutoğlu po ashtu ka theksuar vullnetin e Qeverisë turke për thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit bilateral me Kosovën.

KOMENTE