English

Pazari i Korçës. Po ndryshohet origjinaliteti i tij

Pazari i Korçës, unik nga ndërtimi urbanistik, me rrugë të drejta dhe dyqane të grupuara sipas zanateve, mbetet tërheqja më e madhe për turistët e huaj, sidomos për ata ballkanas që vizitojnë këtë qytet.

Dhimitraq Pallanguri ka në pronësi një nga tre hanet, simbolika e këtij pazari shekullor. Ai thotë se karakteristikat e përbashkëta të këtij pazari dhe ndërtimeve me ato në vende tjera bëhen shkak për tërheqjen e turistëve drejt qytetit të Korçës.

Në fakt pazari ka filluar të rikonstruktohet, por ndërhyrjet që janë bërë nuk kanë qenë gjithnjë korrekte. Megjithatë, drejtuesit e rinj të Bashkisë, thonë se fazat e tjera të punimeve nuk do të shmangin traditën. Në drejtorinë e Monumenteve të Kulturës në Korçë, askush nuk jep një shpjegim për projektet e kësaj zyre për pazarin, raporton “V+”.

Në këtë kompleks, janë momentalisht 138 ndërtesa, të cilat iu janë kthyer pronarëve, ndërkohë që ka shumë ndërtesa të tjera monumente kulture të braktisura, çka e lehtëson punën që planifikohet të kryhet në këtë pazar. Për shkak të pranisë së tregtarëve me tezga pamja e mrekullueshme e këtij pazari është shëmtuar dhe mjaft bujtina e dyqane tradicionale e kanë humbur origjinalitetin e tyre që nga koha e ndërtimit më shumë se 300 vjet më parë.

KOMENTE