English

"Vetëvendosje", fiton në Prishtinë

Lëvizja Vetëvendosje arriti suksesin më të madh zgjedhor deri më sot në Kosovë kur kandidati i saj Shpend Ahmeti fitoi garën për postin e kryetarit të Komunës së Prishtinës. Ahmeti, 36 vjeç, i arsimuar për ekonomi në Universitetin Amerikan të Bullgarisë, mposhti me rezultat të ngushtë kryetarin e partisë historike Lidhja Demokratike e Kosovës, Isa Mustafa, i cili pati drejtuar komunën e Prishtinës që nga viti 2007.

Ahmeti fitoi rreth 51 për qind të votave në zgjedhjet e balotazhit duke përmbysur rezultatin e raundit të parë, ku pati dalë i dyti me mbi 10 pikë përqindjeje diferencë.

Lidhja Demokratike fitoi në Gjilan, duke lënë prapa Partinë Demokratike dhe në Pejë, duke lënë prapa Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Konkurrencë e ashpër është zhvilluar edhe në Gjakovë, ku Mimoza Kusari – Lila nga Aleanca Kosova e re fitoi në konkurrencë me kryetarin e deriatshëm të kësaj komune Pal Lekaj nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Në Mitrovicë, Aleanca Kosova e Re e afaristit Behgjet Pacolli, la prapa Partinë Demokratike. Kjo e fundit humbi Ferizajn dhe Lipjanin që u fituan nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Rreth dy mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtarë ndoqën votimet dhe sipas tyre nuk janë regjistruar incidente të një shkalle që mund të dëmtonte procesin. Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thanë se parregullsitë janë shumë më të pakta sesa në raundin e parë të zgjedhjeve që u mbajtën më tre nëntor.
Vëzhguesit ndërkaq thanë se janë përsëritur parregullsitë tradicionale, siç janë votimet familjare, përpjekjet për votim të dyfishtë, listat e pa pastruara te votimeve etj. Edhe mekanizmat e sigurisë thanë se nuk janë regjistruar incidente të mëdha, ndërsa Prokuroria e Shtetit tha se janë arrestuar gjashtë persona për tentim pengimi të procesit zgjedhor.

KOMENTE