Ferdinand Poni, ish-zëvendës/ministër i Brendshëm, në kohën kur vendin e qeveriste PD, është marrë në pyetje nga Policia e Tiranës pasditen e së hënës.
Poni është mbajtur në ambientet e sektorit të antikrimit ekonomik ku është marrë në pyetje në lidhje me dy raste abuzimesh që janë duke u hetuar, thanë burimet e policisë.
Procedura e marrjes në pyetje lidhet me shpërdorimin e detyrës, duke mos dhënë detaje nëse Poni është ndaluar nga policia, apo ka shkuar vullnetarisht.
Vetë Ferdinand Poni, që mban postin e drejtuesit të këshilltarëve të djathtë, në Bashkinë e Tiranës, ka pranuar marrjen në pyetje, nën cilësinë e personit që ka dijeni në rrëthanat e çështjes, por nuk ka dhënë hollësi se ku konsiston hetimi ndaj tij.
Por burime thonë se ai është pyetur për tenderin e pasaportave të vitit 2008 dhe abuzimet me ndarjen e granteve për pushtetin vendor, ndërsa bëhet e ditur se çështja po hetohet nga krimi ekonomik i policisë së Tiranës.