Kryeministri Edi Rama siguroi sot të gjitha grupet e Personave me Aftësi të Kufizuar se Qeveria do të bëjë çmos që para Vitit të Ri ata të marrin pagesën që i takon për muajin dhjetor dhe me fillimin e buxhetit të vitit 2014 të shlyhen edhe detyrimet e prapambetura.
Në një takim të organizuar nga Shoqata e Invalidëve të Punës së Shqipërisë, në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, Kryeministri theksoi se është gjithashtu, shumë i rëndësishëm edhe garantimit i vijimësisë së pagesave. “Të modernizojmë sistemin e kontributit ndaj jush si pjesë e luftës me korrupsionin që i ka shtrirë tentakulat e veta babëzisht edhe brenda këtij grupi, duke përfshirë në këtë grup, për arsyet e veta të korrupsionit, njerëz që nuk kanë lidhje me aftësinë e kufizuar”, tha Rama.
Kryeministri bëri të ditur se në bilancin e 100 ditëve të para të Qeverisë do të jetë zhbërë edhe një rregull i vendosur nga qeveria paraardhëse, për të cilin Rama u shpreh se i jepte qeverisë të drejtën të ishte qorre dhe shurdhe përballë kësaj kategorie sociale dhe i hiqte personave me aftësi të kufizuar të drejtën për t’u dëgjuar.