Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka depozituar sot në Prokurorinë e Vlorës një kallzim penal për “kompleksin Jon” të ndërtuar tek Uji i Ftohtë në Vlorë.
Kallzimi penal ka të bëjë me shkeljet që janë konstatuar në mënyrën e përfitimit të pronës, zbatimit të lejes së ndërtimit dhe perspektivës së zhvillimit të pronës.
Depozitimi i padisë në prokurorinë e Vlorës është bërë nga Tahiri në cilësinë e kreut të Task Forcës.
Disa ditë më parë, gjykata Administrative e rrethit të Vlorës hoqi masën e sekuestros për “kompleksin Jon”, duke pranuar kërkesën e familjarëve, të cilët kishin ngritur padi ndaj Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, për bllokim të paligjshëm të objektit.
Kallëzimi është bërë pas njohjes me relacionet e paraqitura nga Inspektoriati Urbanistik Kombëtar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjensia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe dokumentet bashkëngjitur këtyre relacioneve. Task-Forca ka analizuar situatën ligjore dhe faktike të objektit në ndërtimin “Godinë banimi dhe shërbime 1-4-5 kate + 1 kat papafingo + 1 kat nëntokë dyqane”, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, të zbatuar nga subjekti ndërtues shoqëria “G.B-A KONSTRUKSION”, në bazë të lejes së ndërtimit të miratuar nga K.Rr.T-ja e Bashkisë Vlorë, me Vendimin e saj Nr. 5/7, datë 17.08.2010.
Nga relacionet e paraqitura janë vërejtur shkelje të rënda të legjislacionit në fushën e pronësisë, në zbatimin e lejes së ndërtimit si dhe probleme të krijuara nga ky ndërtim në perspektivën e zhvillimit turistik të zonës. Për të gjitha shkeljet e vërejtura, Kryetari i Task-Force për Mbrojtjen e Territorit, Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ka bërë kallëzimin penal, të cilin mund ta gjeni bashkëlidhur këtij njoftimi”thuhet në njoftimin e lëshuar nga Ministria e Brendshme.
Aktualisht lidhur me këtë ngjarje, asnjë person duke filluar nga pronarët e tokës, që është shtetasi Xhafer Isufi, por edhe nga pronarët e kompanisë që kanë marrë përsipër ndërtimin e objektit, nuk është hetuar për një masakër të tillë, të bërë në zonën e “Ujit të Ftohtë”.