English

INUK, mbërrin në Vlorë për prishjen e kompleksit “Jon”

Inspektoriati i Ndërtimit Urbanistik Kombëtar mbërriti në orët e para të ditës së mërkurë në kompleksin “Jon”, ku u kërkoi banorëve të këtij kompleksi që të lënë banesat e tyre brenda ditës, ndërsa nisi operacionin e prishjes së disa ambienteve të jashtme të kompleksit.

Ndërkohë forca të shumta të policisë kanë rrethuar kompleksin “Jon” ku pritet të nisë edhe aksioni për prishjen e tij.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Brendshme, fillimisht do të prishen ndërtesat përreth kompleksit “Jon” dhe më pas do të ndërhyjet për prishjen e tij.

Në mbledhjen e pasdites së martë qeveria vendosi dhënien e një fondi prej 463 milion lekësh për shpronësimet në këtë kompleks.

Në vendimin e qeverisë thuhet se "pronarët e ligjshëm të pasurive të paluajtshme që shpronesohen, të kompensohen me vlerë të plotë për sipërfaqen e përgjithshme prej 8 396 metra katrorë ndërtim, të vlerësuar në shumen e përgjithshme prej 462 919 230 lekë, prej te cilave 362 919 230 lekë do të përballohen nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave dhe 100 milione lekë nga Fondi i Kontigjencës”.

Në pikën pesë të këtij vendimi kërkohet që pronarët e ligjshëm të ketyre pasurive të kompensohen për efekt të këtij shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin ligjor te pronësise. Afati i vendosur nga Këshilli i Ministrave për përfundimin e shpronësimit është data 28 dhjetor.

KOMENTE