English

Deputetët humbin durimin. Qëllohen me stilolapsa. Intervista pas incidentit

Paketa antikorrupsion e propozuar nga ministria e Drejtësisë është kthyer sërish në mollë sherri midis deputetëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës, aq sa deputetët humbin durimin dhe qëllojnë me stilolaps njëri-tjetrin.

Ndiqni më poshtë përplasjen midis Qefalisë dhe Islamit:

Bylykbashi: Të zhbësh këto arritje nuk është naivitet i Qeverisë. Kjo bie erë qëllimkeqe nga ana e qeverisë, synim për të penguar luftën nëpërmjet demagogjisë.

Islami: Fjalën e kishte Qefalia.

Qefalia: S`ke pse të marrësh autorësinë ti, kur të dalësh atje fol. Ndeza dritën unë dhe duhet të kujdesesh ti.

Islami: Po sigurisht, pse jo...

Qefalia: Mbylle tani.

Islami: Mbylle dhe ti. Po bën si i fortë...

Qefalia: E kupton ti mbylle apo jo?! (i hedh stilolapsin).

Vasili: Duke thënë tërhiqemi nga kjo nismë, do të thotë se i duam shqiptarët t`i mbajmë kështu si janë. Edhe në raportin e djeshëm vazhdon të jetë i rëndësishëm korrupsioni. Të shikojmë të bëjmë diçka Të gjejmë një zgjidhje të përbashkët. Kjo nuk është veçse çështje votash, opinioni publik e di këtë gjë.

Xhafaj: Kolegët të ruajnë qetësinë. Ky debat duhet të jetë debat që duhet të na bashkojë e jo të na ndajë.

Halimi: Ne diskutojmë sot ligje qesharake që na bëjnë qesharakë, jo vetëm përpara qytetarëve shqiptarë, por dhe para ndërkombëtarëve, ndërkohë që sot një fëmijë, një djalosh në Durrës është vrarë me kallashnikov në mes të shkollës. (largohet opozita).

Xhafaj: Kjo është zgjidhja juaj. Bojkoti është mënyra e dytë e tuaja. Mendoj se është zgjidhja politike e përshtatshme.

Ristani: Lëri këto skena, atje po vriten fëmijë dhe ju s`mbani përgjegjësi.

Xhafaj: Ju i keni vrarë qytetarët në mes të sheshit “Skënderbej”.

Braho: Ne jemi në fazën e Italisë së viteve të Tangentopolit, jemi edhe në atë periudhë kur pas 11 shtatorit SHBA-të morën masa të ashpra për të luftuar terrorizmin dhe kështu që ne na duhet të marrim masa të ashpra.

Xhafaj: Një qëndrim ekstremisht jokonstruktiv i kolegëve të opozitës, të cilëve më shumë sesa fokusi në këtë betejë të rëndësishme për qytetarët shqiptarë, është duke iu interesuar mbrojtja e të mirave materiale që kanë rrjedhur për shkak të korrupsionit galopant në këto 8 vite.

Intervista pas incidentit:


Qefalia: Më provokoi, ja përse e godita Kastriotin

Zoti Qefalia, si ndodhi përplasja juaj me deputetin demokrat Kastriot Islami?

Në fakt unë nuk kisha ndërmend të përplasem me Islamin. Mirëpo ky person është bërë i padurueshëm. Ka ikur fare nga fiqiri, themi ne tiranasit. Në mënyrë që të fitojë pikë te demokratët, Islami bëhet më katolik se Papa, pra bëhet më i flaktë edhe se vetë Berisha dhe karakterizohet nga gjuha e urrejtjes kundër socialistëve. Nuk m’u durua dhe… ndodhi ajo që ndodhi. Ishte një ngjarje e momentit. Nuk ishte ndonjë gjë kushedi, por ngjarja është zmadhuar nga mediat. Me siguri mediat nuk e kanë me mua, po me Kastriotin. Ato sebep duan, sidomos për Kastriotin. Edhe atyre u ka ardhur në majë të hundës nga sjellja e tij. Mbase ndonjëri ka dashur që unë ta rrihja publikisht atë, por ju them të drejtën, as e kisha ndër mend dhe as i ndyj duart me atë njeri aq të ulët. Nuk ia vlen, më kuptoni për këtë që po ju them.


Pse u zmadhua kaq shumë kjo histori sipas jush?

Nuk e di. Unë stilolapsin i hodha, nuk e qëllova me kobure. Llogarite po ta kisha rrahur… Por mendoj se të merresh me Kastriotin do të thotë t’i rrisësh vlerat një njeriu të pavlerë. Ai njeri duhet injoruar totalisht. Duhet ruajtur gjakftohtësia, edhe kur provokon Kaçi.

Po replika të tjera a shkëmbyet me Islamin? Dikur ju kini qenë në një llogore, domethënë në një parti dhe me siguri kini edhe kujtime…

Jo mor jo, ta thashë që nuk ia vlen. Kastriot Islami është një njeri i përbuzur. Me ne socialistët nuk afrohet, demokratët i largohen sikur të ketë zgjeben. Në Mallakastër këtë njeri nuk e do askush. Llogarite, i dogjën edhe xhaketën në mënyrë simbolike. Le të shkojë na Mallakastër e ta kuptojë se sa i vlen lëkura.

Po sikur Islami të kërkojë të hakmerret me ju, për shembull, të bëjë denoncim në gjykatë për fyerje?

Nuk është aq trim Kaçi. Po edhe po e bëri, atëherë edhe unë mund të merrem seriozisht me të. Po nuk ia vlen, ua thashë.

KOMENTE