Sipërmarrësit janë krijuesit e vendeve të punës, janë krijuesit e mirëqenies dhe të pasurisë në këtë vend, ndaj duhet t’i vendosim në piedestal të gjithë sipërmarrësit, si gjithë shembujt e mirë të shoqërisë, duke i nxjerrë nga hija. Kështu, u shpreh dje Kryeministri Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me sipërmarrës e investitorë italianë në Shqipëri.
Duke shprehur vëmendjen e plotë të Qeverisë për çdo problem a çështje të sipërmarrësve, Kryeministri tha se edhe me këtë takim, qëllimi është që të mund të përshpejtojmë zgjidhjen e problemeve që janë grumbulluar dhe gjithashtu të përcaktojmë propozime të reja për të krijuar kushte të favorshme dhe të shtojmë volumin e investimeve italiane në Shqipëri.
Kryeministri foli për hapat konkretë të Qeverisë në reformat ekonomike, duke nënvizuar veçanërisht thjeshtëzimin e taksimit të të ardhurave personale. Kryeministri tha se për mazhorancën është një detyrim edhe social që një mësues, një infermier një polic apo edhe dikush që punon dhe ka të ardhura mesatare të mos paguajë taksë aq sa paguan edhe Kryeministri, ministri apo deputeti.