English

Pallati i Bashës, me dokument të fallsifikuara. Haxhia: “Ka shkelje të rënda nga INUK, çështja në Strasburg”

Kontrata e shitjes së truallit nga pronarët tek administratorët e firmës “G.B-A Konstruksion” rezulton e falsifikuar. Detaje të reja zbardhen për dosjen e kallëzuar në prokurorinë e Vlorës, shkruan në faqen e saj sot, "Gazeta Dita". Organi i akuzës ka gjetur nga hetimet që ka kryer këto javë, pas ankesës edhe të disa pretenduesve të tjerë të truallit në Ujin e Ftohtë, ku është ngritur “Kompleksi Jon”, se në kohën që është bërë kontrata e shitjes së truallit nga familja Ndini tek vjehrri i Lulzim Bashës, Xhaferr Isufi dhe ortaku i tij, dy pronarët ishin të vdekur. Pra dy pjesëtarët e familjes Ndini, në vitin 2009 nuk kanë qenë të gjallë, mirëpo nga krahasimi dhe verifikimi i dokumenteve të akteve të shitjes së pronës, rezulton se ata janë edhe firmëtarë të kontratës.

Prokuroria

Ky element i ri ka habitur jo pak prokurorët e çështjes, të cilët janë surprizuar nga ky zhvillim i ri. Tashmë mbetet të sqarohet nëse administratorët e firmës dhe në këtë rast ndërtuesit e kompleksit, kanë vepruar me kokën e tyre bashkë me një pjesë të anëtarëve të familjes, pasi nuk kishin mundësitë reale për të siguruar dakordësinë e përvetësimit të të gjithë truallit ligjërisht. Burime të sigurta nga organi i akuzës Vlorë bënë me dije për gazetën se ky rast po hetohet intensivisht për të zbardhur të vërtetën dhe do të pyeten të gjithë personat që kanë dijeni për këtë veprim, nga administratorët, pretenduesit e truallit, pronarët e tij, noteri që ka kryer aktet e shitjes dhe të tjerë. Tashmë është siguruar si provë materiale edhe kontrata e shitjes ku janë firmat e dy personave të vdekur. Nuk dihet nëse falsifikimi i firmës është bërë nga kompania private, vetë të afërmit e dy pronarëve të vdekur apo noteri i dosjes së akt-shitjes. Por ditët e ardhshme sqarohet se do të ketë veprime konkrete për këtë rast. Vjehrri i kreut të opozitës, Lulzim Basha, ka pretenduar se e ka blerë truallin prej 1600 metra katrorë nga familja Ndini. Kjo thuhet edhe në dosjen që është referuar dy ditë më parë në prokurori nga Ministria e Brendshme, por nga ky dikaster nuk u tha asgjë për kontratën. Ndërkohë që dje u mësuan zhvillime të reja prej grupit hetimor në qytetin bregdetar, se është gjetur edhe një kontratë shitjeje e truallit që rezulton e falsifikuar.



Dosja

Edhe Ministria e Brendshme nga ana e saj ka referuar një dosje me 49 faqe në prokurori, të cilës do i bashkangjiten edhe zhvillimet e reja të falsifikimit të kontratës së shitjes së truallit. Kreu i Task-Forcës referoi materialin për të gjitha shkeljet e kryera nga viti 1995 prej Gjykatës së Vlorës që i shtoi mbi 600 metra truall familjes Ndini në mënyrë të paligjshme, duke kthyer detin në tokë private në Ujin e Ftohtë. Më tej leja e KRRT bashkia Vlorë për ndërtim pallati në 2010 si e paligjshme, pasi ndaloheshin ndërtimet në bregdet. Thyerja e lejes nga 5 kate në 8 të tillë nga firma e vjehrrit të Bashës. Hyrja në det, abuzimet me sipërfaqen, legalizimi, hipotekimi, leja e përdorimit dhe shfrytëzimit, regjistrimi në ZRPP, veprimet në AKP dhe INUK dhe të tjera. Familja Ndini ka pretenduar se nga dokumenti i vitit 1937 ajo ka si pronë 1600 metra dhe jo 1 mijë metra truall. Komisioni i Kthimit të Pronave në fakt i ka kthyer aq sa i takonte në 1995. Por në 1996 Gjykata e Vlorës njeh veprimet e një eksperti që detin e kthehu në tokë. Më tej në 2009 Xhafer Isufi dhe ortaku i tij blejnë truallin në fjalë dhe mbushin sipërfaqen e detit me inerte. Ndërtojnë pallatin me 8 kate, 3 më shumë nga leja e dhënë dhe një sërë procedurash të kundraligjshme. Mirëpo tani ka dalë edhe një tjetër problem tjetër i familjes pronare e truallit, që jo vetëm mori 600 metra më tepër, por janë falsifikuar edhe firmat e dy pronarëve të saj në 2009, kur ata ishin të vdekur.



Gjika i kërkon INUK që të nisë shembjen e ‘Pallatit të Bashës’

Njoftohen banorët, për 5 ditë të lënë apartamentet dhe t’i boshatisin. Nisin matjet për vendosjen e eksplozivit, fadromat rrafshojnë murin rrethues. Nisin procedurat e shembjes së “Kompleksit Jon” në Ujin e Ftohtë të Vlorës, i njohur edhe si “Pallati i Bashës”. INUK dërgoi fadromat që prishën dje murin rrethues dhe ambientet e pishinës. Ky veprim erdhi menjëherë pas VKM-së së Qeverisë për shpronësimin në bregdet për këtë kompleks, gjithnjë nëse do provohet dokumentacioni i ligjshëm për familjet që pretendojnë hipotekën. Kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i është drejtuar në datën 2 dhjetor me një letër INUK që të nisë procedurat për pastrimin nga objektet në vijën bregdetare Skelë-Uji i Ftohtë. Letra i është drejtuar Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe kreut të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Zyhdi Dajti. Kjo e fundit ka kërkuar edhe mbështetjen e policisë në këtë veprim që do kryhet. Ndërsa mësohet se janë vënë në dijeni edhe banorët që jetojnë aktualisht në “Kompleksin Jon” që të boshatisin apartamentet brenda 5 ditëve të ardhshme. Fadromat kanë pastruar terrenin përreth, parkimin, pishinën dhe murin rrethues. Kurse inspektorët kanë hyrë në ambientet e pallatit për të vlerësuar përmasat, kushtet teknike dhe mënyrën se si do të shembet. Nuk është caktuar ende dita e shembjes, por parashikohet që brenda dy javëve të ardhshme të kryhet e gjithë procedura, deri në rrëzimin e godinës me eksploziv. Shembja kryhet për t’i hapur rrugë projektit publik të “Lungo Mare”-s në këtë vijë bregdetare, lulishte dhe pedonale.



Mund të përdoren mbi 300 kg eksploziv për ta shembur

Shembja e ‘Pallatit të Bashës’ do të kryhet me anë të eksplozivit, njëlloj si në dy rastet e mëparshme. Specialistët e Sektorit të Antiminave dhe ata të shpërthimeve, bashkë me krerët e Policisë, INUK dhe autoritete të tjera, do përcaktojnë piketat, gropat, llojin e eksplozivit, që mendohet se do jetë amonit, dhe sasinë e tij. Paraprakisht mësohet se sasia e eksplozivit mund të shkojë edhe mbi 300 kilogramë, në varësi edhe të planit të shembjes, pasi pallati është i ngritur mbi det. Nëse do jetë shembje e pjesshme, që më pas të rrëzohet me mjete të rënda, por themelet t’i thyhen me eksploziv, atëherë sasia mendohet të jetë më e vogël. Nëse do rrafshohet plotësisht dhe më pas të bëhet pastrimi i detit, sasia duhet të jetë mbi 300 kg amonit.



Maksim Haxhia: “Ka shkelje të rënda nga INUK, çështja në Strasburg”

Maksim Haxhia, avokat i banorëve të “Kompleksit Jon”, godinë tek “Uji i Ftohtë”, në një deklaratë për mediat që bëri ditën e djeshme, ka theksuar se çështja në fjalë ka shkelje të rënda ligjore ndaj do të përcillet shqetësimi deri në Strasburg. “Të ndiqet procesi i shpronësimit, pikë për pikë, jo të kalohet direkt dhe tek shembja. Problemi i pronës është madhor, delikat. Sot INUK ndërhyri me mjete shkatërruese në objekt, duke mos lejuar banorët të ndërhyjnë në objekt. Ka një vendim qeverie që tregon sesi do të shpronësohen qytetarët. Ka qytetarë që kanë blerë apartamente dhe që ndodhen jashtë vendit. Do të ndjekim ligjin, çështja do të dërgohet deri në Strasburg”, tha avokati. Haxhia theksoi se nëse ligjërisht gjatë ndërtimit të godinës, shteti ka evidentuar shkelje, ai si avokat nuk del kundër shembjes, por kundër shkeljes së interesave të qytetarëve që ditën e sotme sipas tij u shkelën nga INUK.

KOMENTE