S. Topi - Qeveria shtyn me dy vjet verifikimin e titujve të pronësisë. Ndryshimet në ligjin e miratuar në vitin 2008 bëjnë të mundur që procesi i verifikimit të titujve të pronësisë të mos mbyllet brenda 31 dhjetorit të këtij viti, siç ishte parashikuar me ndryshimet e mëparshme të bëra në ligjin bazë, por të vijojë deri në 31 dhjetor të vitit 2015. Verifikimi i tapive bën evidentimin e çdo shkeljeje dhe i jep të drejtë Komisionit Qeveritar për Tokën (KQT) të heqë tapinë në ato raste kur ajo është dhënë në shkelje me ligjet në fuqi. Verifikimet përkatëse bëhen nga komisionet vendore për titujt e pronësisë të ngritura pranë zyrës së prefektëve. Më tej është KQT-ja që bën verifikimin përfundimtar të këtyre vendimeve duke përcaktuar përfundimisht heqjen e tapisë apo lënien e saj, pasi të jenë plotësuar detyrimet ligjore nga çdo posedues i këtyre tapive.
Titujt e pronësisë
“Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 9948, datë 7 korrik 2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar”, - ky është vendimi i parë i marrë dje nga Këshilli i Ministrave ku sqarohet se drafti ka për qëllim shtyrjen për një periudhë 2-vjeçare të afatit ligjor për verifikimin e titujve të pronësisë, i cili nga data 31 dhjetor 2013, që është aktualisht, propozohet të përfundojë më 31 dhjetor 2015. Ligji i vitit 2008 ka përcaktuar verifikimin e tapive për sipërfaqet e tokës që më 1 gusht 1991 kanë figuruar në regjistrat kadastralë, në zërin “tokë bujqësore” dhe janë përfshirë në territoret e administruara nga ish-kooperativat bujqësore deri në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 7501, datë 19 korrik 1991 “Për tokën”, të ndryshuar; të tokave bujqësore, të administruara nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore, të kaluara për ndarje për fshatrat e ish-kooperativave bujqësore vetëm me miratim të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit, deri në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 8337, datë 30 prill 1998 “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore, pyjore, livadheve dhe kullotave” si dhe të tokave bujqësore të ish- NB-ve, sipas dispozitave të përcaktuara në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore”. Ndërkohë që janë cilësuar si të pavlefshme tapitë e dhëna për ato sipërfaqe toke që më 1 gusht 1991 nuk kanë figuruar në regjistrat kadastralë, në zërin “tokë bujqësore”, si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore dhe sipërfaqe të tjera të tokës jobujqësore, pavarësisht miratimit të ndryshimeve dhe kalimeve të këtyre zërave në tokë bujqësore pas kësaj date. Të gjitha verifikimet për titujt e pronësisë bëhen nga komisionet vendore të ngritura pranë prefektëve të cilët kontrollohen nga Komisioni Qeveritar i Tokës.
Po në bazë të këtij ligji konsiderohen si të pavlefshme ato tapi që janë dhënë për toka bujqësore të ish-NB-ve, të cilat përjashtohen për kalim në pronësi nga dispozitat e ligjit nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore”; për tokat bujqësore të ishkooperativave bujqësore, që shtrihen në zonën e zhvillimit me përparësi të turizmit; për çdo sipërfaqe toke, për të cilën Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës dhe zyrat rajonale të saj u kanë konfirmuar njohjen e pronësisë dhe të drejtën e kompensimit fizik subjekteve të shpronësuara apo sipërfaqe toke, në të cilën preken interesa të ligjshme të personave të tretë dhe/ose ekzistojnë konflikte mbi të. Ligji parashikon dhe masa për çdo kundërvajtje administrative në rastet kur titujt e pronësisë janë dhënë në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në ligj, kur dhënia e titullit të pronësisë për sipërfaqe që më 1 gusht 1991 nuk figurojnë në regjistrat kadastralë, në zërin “Tokë bujqësore”, sipas përcaktimit të po këtij ligji, kur nuk është dorëzuar dokumentacioni i ndarjes së tokës në zyrat kadastrale, kur nuk është vepruar në përmbushje të detyrimeve të përcaktuara saktësisht në ligj. Në këto raste komisioni vendor vendos gjobë nga 5 000 deri në 50 000 mijë lekë kundër personave fizikë ose juridikë dhe strukturave shtetërore, të ngarkuara me ligj për ndarjen e tokës, që janë shkaktare të kundërvajtjeve administrative si dhe ndaj të gjitha subjekteve të përcaktuara në ligj.
Sekretariati teknik i tokës i kalon Panaritit
Këshilli i Ministrave vendosi dje të bëjë ndryshime në vendimin nr. 1269, datë 17. 9.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, mënyrën e funksionimit dhe detyrat e përgjegjësitë e strukturave shtetërore, të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”. Këto ndryshime bëjnë të mundur riorganizimin e Sekretariatit teknik të Komisionit Qeveritar të Tokës, duke e përfshirë atë si njësi në përbërje të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrim- it të Ujërave dhe anëtarët e këtij komisioni do të jenë me statusin e nëpunësit civil. Ndërkohë që në ligjin e vitit 2008 caktohej që Sekretariati teknik i KQT-së krijohej si strukturë e veçantë, administrative, teknike, pranë Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, në shërbim të KQT-së, dhe përbëhet nga 5 punonjës, me përvojë për problemet e pronësisë, të cilët emërohen, lirohen apo shkarkohen nga detyra nga zëvendëskryeministri, pas këshillimeve me Ministrin e Bujqësisë.