English

Stacione sizmike do të instalohen në zonën e Patos Marinzës

Ministria e Energjisë dhe Industrisë deklaroi se, duke nisur nga dita e nesërme, do të nisë puna në terren për të kryer montimin e dy stacioneve sizmike. Këto stacione do të shërbejnë për monitorimin sizmologjik të aktivitetit në vendburimin e naftës, në zonën e Patos Marinzës, ku banorët janë ngritur në protesta për shkak të lëkundjeve, të cilat po iu shembin shtëpitë.

Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, ministria e Energjisë dhe Industrisë, bën me dije se përfaqësues të kësaj ministrie, përfaqësues të Albpetrolit, të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe të Institutit të Gjeoshkencës, do të jenë në zonën e Patos Marinzës, për të kryer veprimet e para të përcaktimit të zonës, ku do të montohen dy stacionet sizmike.

Sipas informacioneve, dy stacionet kanë mbërritur në vendet ku do të montohen dhe janë gati për t’u vënë në punë.

Fillimisht do të nisë monitorimi i lëkundjeve përmes këtyre dy stacioneve, dhe më pas do të vendosen edhe tre stacione të tjera, një i palëvizshëm dhe dy të lëvizshëm.

Së bashku, këto pesë stacione do të mund të shërbejnë për të nxjerrë konkluzionin për shkaqet e lëkundjeve, nëse ato kanë apo jo lidhje me nxjerrjen e naftës nga kompania Bankers Petroleum, e cila operon në Patos Marinzë/Shekulli/.

KOMENTE