Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës znj. Nevila Xhindi ka marrë pjesë sot në konferencën kombëtare “Partneriteti për qeverisje të hapur”. Qëllimi i konferencës kishte të bënte me rolin që duhet të luaj qeverisja lokale dhe ajo qendrore si dhe promovimi i transparencës, fuqizimi i qytetarëve dhe lufta kudër korrupsionit, duke e përdorur teknologjinë e informacionit për forcimin e qeverisjes.
Në fjalën e mbajtur, Xhindi theksoi rolin që Bashkia e Tiranës ka dhënë në këtë kuadër gjatë këtyre dy viteve të saj në drejtim të komunikimit me qytetarët, nëpërmjet ngritjes së drejtorisë së Marrëdhënieve me Publikun, ku nëpërmjet “One Stop Shop”, kjo zyrë ka arritur të jetë më pranë qytetarit për t’i dhënë zgjidhje halleve dhe problemeve të tyre.
“Bashkia e Tiranës ka në vizionin e saj të promovojë një qeverisje të hapur, krijuese dhe të përgjegjshme. Unë do të ndalem në disa nga veprimet e kryera nga Bashkia e Tiranës për të qenë sa më afër qytetarëve, duke komunikuar nëpërmjet teknologjisë së informacionit.
Qytetarët kanë mundësi të raportojnë çdo problem vetëm me një klik në portalin e dedikuar “Rregulloj qytetin tim”, i cili është një portal që funksionon prej një viti e gjysëm.
Njëkohësisht, prej dy vitesh bëhet konsultimi i buxhetit, konsultim i hapur me të gjithë qytetarët. Të gjithë kemi qenë dëshmitarë të konsultimit më të gjerë të mundshëm të planit urbanistik. Prej katër muajsh është vënë në funksionim portali për punësimin, i cili sjell së bashku qytetarët e Tiranës dhe sipërmarrësit në marrëdhënien e tyre kërkesë-ofertë. Është një ndërmjetësim në kuadër të politikave që ndjek Bashkia e Tiranës për nxitjen e punësimit dhe zhvillimin ekonomik.
Besoj që tashmë jeni në dijeni për një “One Stop Shop” të bërë edhe në Bashkinë e Tiranës për marrjen e lejeve dhe licencave, për mundësinë e licencimit për bizneset e reja. Një aktivitet i fundit për të qenë më afër qytetarit, sigurisht është edhe dhënia brenda 45 ditëve të lejes së ndërtimit dhe njëkohësisht, në momentin që nuk kthehet një përgjigje është e mirëqenë përgjigja pozitive. Të mos harrojmë se afati i marrjes së një leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës ka qenë 365 ditë.
A ka vend për përmirësim? Sigurisht që ka! Unë nuk jam këtu për t’ju thënë që çdo gjë ka shkuar mirë sepse ndryshe nuk do të vija në një aktivitet si ky për të thënë “Ok”, jemi vetëm për të thënë dy fjalë të mira. Komunikimi me qytetarët është një sfidë për secilin prej nesh, nuk ka rëndësi pushtet qendror apo pushtet vendor. Ka shumë nevojë për përmirësim. Sigurisht, komunikimi nëpërmjet teknologjisë së informacionit është një kulturë e re në shoqërinë shqiptare dhe përveç sfidës së një kulture të re, të një ndërveprimi, ndërkomunikimi i shtohet edhe sfida e përdorimit të një teknologjie të re informacioni. Ndaj unë them, sigurisht që Bashkia e Tiranës ka bërë, por ka shumë për të bërë dhe rruga është shumë e gjatë për të përmirësuar dhe për të qenë më afër qytetarëve të Tiranës.” - deklaroi Xhindi.