Nënkryetari i Bashkisë Tiranë z.Enno Bozdo ka inauguruar sot kolektorin e ri afër kompleksit “Dinamo”, në njësinë bashkiake nr.5. Ky është një investim tërësisht i Bashkisë Tiranë me një vlerë 15.5 milionë lekë (të reja), i cili sjellë zgjidhjen e problemit për dy mijë banorët e kësaj zone, për sa i përket shkarkimit të ujërave të bardha dhe ujërave të zeza.
Nënkryetari Bozdo ka ndjekur nga afër punën që është bërë në këtë kolektor, duke e vlerësuar si një investim të rëndësishëm për komunitetin e kësaj zone.
“Jemi këtu për të inauguruar një tjetër vepër, investim publik të Bashkisë së Tiranës në dobi të qytetarëve. Bëhet fjalë për kolektorin e mbledhjes së ujërave të bardha, të zeza, të shkarkimit të ujërave të liqenit, me gjatësi 105 m lineare, sipërfaqe tërthore 4 m2 dimensione 2 dhe 2, një investim tërësisht i Bashkisë Tiranë me vlerë 15.5 milionë lekë (të reja).
Ky kolektor është shumë i rëndësishëm sepse zgjidh përfundimisht problemin e shkarkimit të ujërave të Liqenit Artificial të Tiranës, veçanërisht në motin e lagësht. Gjithashtu, zgjidh përfundimisht dhe problemin e shkarkimit të ujërave të bardha, të ujërave të zeza për rreth 2 mijë banorë, qytetarë të kësaj zone. Ne besojmë që me këtë investim i kemi dhënë përgjigje përfundimtare dhe përmbytjeve të herëpashershme të verifikuara në këtë zonë, pikërisht për shkak të akumulimit të ujërave të bardha, ujërave të zeza, gjithashtu edhe shkarkimit të Liqenit Artificial të Tiranës.”- tha Bozdo
Nënkryetari i Bashkisë z. Enno Bozdo tha se, një tjetër iniciativë e ndërmarrë nga Bashkia Tiranë, ka të bëjë edhe me operatorët ekonomik që kanë veprimtaritë e tyre përgjatë Liqenit Artificial të Tiranës, ku ju bëri thirrje që të respektojnë normat mjedisore, si shkarkimin e ujërave të zeza pranë gropave septike, sipas kërkesave stritke të Bashkisë Tiranë.
“Ne kemi bërë vazhdimisht verifikime të këtij kushti dhe në çastet kur kemi verifikuar se kjo gjë nuk ndodhë, kemi vendosur penalitete përkatëse. Monitorimi ynë do të jetë edhe më i rreptë, dhe nëse do të verifikohen rastet të mëtejshme të shkeljes së këtij kushti të domosdoshëm, ne do të konsiderojmë edhe heqjen e licencës së veprimtarisë ekonomike për këto subjekte.”- deklaroi Bozdo.