English

Së shpejti një plan i qartë për "çarmatosjen" e shqiptarëve nga armët e 97-ës

Armët të cilat ranë në duart e shqiptarëvë në 1997 përbëjnë edhe sot një prej problemeve më të nxehta dhe ndoshta do të vazhdojnë të jenë edhe në vitet e ardhshme.

Por Ministria e Brendshme nuk e ka harruar këtë fakt por përkundrazi është duke hartuar një plan masash për të mundësuar mbledhjen e armëve, të cilat ndodhen në duart e qytetarëve.

"Duhet reformë radikale në politikat e sigurisë. Prandaj Ministria e Brendshme do të sjellë urgjentisht dy projektligje, një për armët dhe një për përdorimin e armëve, që t'i japim fund kapitullit më të zi të sigurisë publike në vend", është shprehur ministri Tahiri në seancësn kuvendore të së enjtes.

Burime zyrtare të Agjencisë Telegrafike Shqiptare bënë të ditur disa prej këtyre ndryshimeve si dhe politikat mbështetëse të cilat do të ndiqen nga Policia e Shtetit gjatë implementimit të këtyre ndryshimeve.

Konkretisht janë dy ligje që pritet të pësojnë ndryshime, ligji për armëmbajtjen me leje, ku pritet të ketë ndryshime në modalitetin e dhënies së lejeve, duke forcuar kriteret dhe rishikimi i lejeve të dhëna deri më sot, po ashtu dhe rishikimi i rregullave për ruajtjen e armëve në ambientet e shtëpisë(çmontimin, ruajtjen ndaj të miturve..etj), duke përcaktuar rregulla të qarta dhe duke caktuar masat e dënimit për mosrespektimin e tyre. Po ashtu do të rishihet lista e armëve që do të lejohen të merren me leje si dhe personave që posedojnë këto armë.

Së dyti ligji për përdorimin e armëve, ndryshimet pritet të jenë në pikat ku flitet për mjediset ku do lejohet përdorimi i armëve dhe transportimin e tyre. Sipas burimeve, mësohet se do ri-shqyrtohen kriteret e përdorimit, do rishihen vendet dhe do përcaktohen kritere të rrepta për transportimin dhe montimin e tyre në ambientet përkatëse.

Vetëm pak kohë më parë Ministria e Drejtësisë miratoi paketën e re të ashpërsimit të dënimeve për veprat të caktuara penale, duke përfshirë këtu edhe armëmbajtjen pa leje. Në ndryshimet e fundit thuhet se personat që arrestoheshin për armëmbajtje pa leje rrezikonin deri në 10 vjet heqje lirie, në rast se arma ishte e përdorur, ose personi rezultonte me precedent penal dënimi është edhe më i ashpër.

Sa i takon armëmbajtjes pa leje, burime të ATSH-së bën të ditur se Ministria e Brendshme po harton një plan masash për grumbullimin e tyre. Sipas burimeve, MB ka disa alternativa në tavolinë dhe së-bashku me partnerët e huaj po harton një plan afatshkurtër për të grumbulluar armët që ndodhen në duart e qytetarëve.

Kështu mësohet se do të caktohet një ditë, kur të gjithë shtetasit që posedojnë armë pa leje të dorëzojnë armët e tyre dhe se nuk do ketë penalizime për ta, në rast se shtetasit arrestohen për këtë vepër penale pas kësaj dite atëherë për të do të ketë ashpërsim në dënim. Ky variant po analizohet seriozisht dhe po vlerësohet edhe ana juridike që do i japë udhë këtij projekti, mendohet të ketë edhe shpërblime për personat që do dorëzojnë armët e tyre, thanë burime të ATSH-së.

Një alternativë tjetër, e cila po vlerësohet nga ekspertët e Ministrisë, është forcimi i bashkëpunimit me Prokurorinë për të shtuar kontrollet për armëmbajtje pa leje, duke shtrirë kontrollet edhe në banesat e personave ku dyshohet, por kjo ka nevojë për ndryshime të tjera ligjore në kuadër të cenimit të pronës private dhe është një alternativë e cila ka nevojë për një kohë pak më të gjatë.

Mësohet se brenda janarit këto ndryshime mund të paraqiten në Kuvend për t’u shqyrtuar dhe për të nisur menjëherë nga puna për të ndërmarrë një reformë radikale në ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ditën e enjte duke kujtuar ngjarjen e ndodhur më 4 dhjetor, kur një adoleshent humbi jetën në mjediset e shkollës, pas një grindjeje me një bashkëmoshatar, tha se kjo ngjarje duhet të na shërbejë për të ndërmarrë reforma radikale, por jo të baltosim policinë.

KOMENTE