Temperaturat janë të ftohta në vendin apo lagjen ku ju jetoni por nuk ndodh aspak kështu në hotelin Marriott Gaylord pranë Uashingtonit.
Festa e Krishtlindjeve do të sjellë një ekspozitë të madhe tërësisht prej akulli. 900 tonë akull dhe puna artistike po realizohet nga gdhendës kinezë.
Tenda është e madhe dhe e zhurmshme. Temperatura: minus 12 gradë Celsius...Ky i ftohtë mjafton për të ruajtur 6 mijë blloqe akulli dhe është i përkryer për të gdhendur pjesët e një ekspozite për pushimet e fundvitit. Gdhendësit janë nga Kina.
"Kemi mësuar që në moshë mjaft të re," thotë Xu Rui, Drejtor Artistik i ekspozitës.
Xu Rui e ka filluar gdhendjen në moshën 9 vjeçare. Ai jeton në Harbin të Kinës, që njihet dhe si kryeqyteti i botës për akullin, për shkak të festivalit të tij vjetor. Kjo është ekspozita e tij e 11-të në Shtetet e Bashkuara dhe ai thotë se është më e mira, për shkak të lartësisë së arritur, rreth shtatë metra.
Këta arkitektë akulli ndjekin plan-projektin. Por ata gdhendin pa e ditur se si do të duket skulptura e përfunduar, sepse nuk e njohin historinë “Ishte nata para Krishtlindjeve”, të cilën shumë amerikanë e kanë traditë ta lexojnë me zë të lartë gjatë festës së krishterë.
"Historia thotë... më vjen keq, nuk më kujtohet," thotë Xu Rui.
Të njëjtën gjë thotë dhe Zhang Haijun, i cili po gdhend pamje nga Manhattani, edhe pse është hera e tij e parë në Shtetet e Bashkuara.
"Nuk kam qenë asnjëherë në Nju Jork. Unë po gdhend ndërtesa të qytetit duke parë fotot që më kanë dhënë. Por kur të mbaroj punën për këtë projekt, dua të shkoj në Nju Jork që ta shoh nga afër në të vërtetë."
Ai përdor mjete që ka sjellë nga Harbini.
"Ne nuk mund t’i blejmë këto mjete në dyqane të zakonshme. Ato janë të modifikuara dhe unë i kam përdorur për vite me rradhë."
Gdhendësit kalojnë 12 orë në ditë duke punuar në këtë vend të ftohtë akull. Por për ta është si të ishin në vendin e tyre, sepse Harbini ka temperatura nën zero gjatë gati gjysmës së vitit. Por kamerës sonë nuk i pëlqeu i ftohti dhe herë pas here një rreth i vogël ngrice i shfaqej në lente.
Këtu brenda është kaq ftohtë saqë një monedhë ngjitet pas akullit brenda pak sekondash, pasi temperatura e saj e ngrohtë vepron si ngjitës.
Por gdhendësit përdorin ujë dhe tallash akulli për të ngjitur blloqet. Kur gdhendja e skulpturave përfundon, Xu Rui thotë se atyre i pëlqen të shohin fytyrat e vizitorëve. Në vetëm një muaj, blloqet janë kthyer në drerë dhe elementë të tjerë që përfaqësojnë festën.
Kjo makinë, e shndërruar në një taksi të Nju Jorkut me sedilje lëkure, është gati për fotografi. Ekspozita, e quajtur thjesht "Akull!", është një dhuratë Krishtlindjeje për qytetin e Uashingtonit e realizuar me më shumë se 900 tonë akull nga 34 gdhendës ekspertë nga Kina.