Ministria e Arsimit dhe Sportit zhvilloi pasditen e ditës së premte finalen e fundit publike për zgjedhjen e drejtuesit të Drejtorisë Arsimore Rajonale për qytetin e Tiranës. Pas 12 finaleve të zhvilluara në 12 qarqe brenda 10 ditëve, finalja e Tiranës përmbyll një proces të paprecedent, demokratik, transparent, të pavarur dhe bazuar mbi vlerat dhe meritokracinë e kandidatëve.
Në prani të Kryeministrit, z. Edi Rama, ministrja Lindita Nikolla i rikujtoi të pranishmëve zotimin e saj personal dhe institucional për të luftuar pa kompromis korrupsionin, depolitizimin e sistemit arsimor si e vetmja alternativë për një reformë të thellë dhe rrënjësorë në institucionet e dijes së brezit të gjeneratës tjetër. “Dituria dhe arsimimi i fëmijëve tanë janë një vlerë kombëtare që u mbivendoset interesave politike, cilësia e arsimimit është çelësi i suksesit për të ardhmen tonë europiane, e vetmja rrugë për të garantuar shanse të barabarta për të gjithë, brezat e sotëm dhe të atyre që do të vijnë pas. Ky është vizioni ynë! Ndaj ne nuk e nisëm punën tonë me emërime, po me monitorim të situatës! Dhe, pa asnjë habi e me shumë keqardhje, pamë sesi shkeljet e gjetura konfirmuan dëshmitë e prindërve, historitë e mësuesve e ngjarje të treguara nga nxënësit, për një sistem arsimor tejet të korruptuar, për një shkollë të dhunuar e shumë larg misionit të saj”.
Duke u ndalur tek zgjedhja e drejtorëve të rinj të DAR, ministrja Nikolla tha se ky proces ecën paralelisht me vullnetin e Qeverisë dhe misionin fisnik të vendosjes së një standardi krejt ndryshe shumë të distancuar nga e kaluara. “Standardit të ligjshmërisë, të garës së ndershme, bazuar mbi parimet e konkurrencës e të meritës dhe në transparencë të plotë publike”.
Në këtë proces konkurruan mbi 220 kandidatë nga e gjithë Shqipëria, 28 prej të cilëve vetëm për DAR-in Tiranë Qytet. Kandidatët që kaluan në fazën finale, vijnë pas një testimi të mirëfilltë, pas testimit me shkrim dhe intervistave para komitetit ad-hoc, faza këto të zhvilluara në transparencë të plotë publike.
Ju njohim me 13 drejtuesit e rinj të Drejtorive Arsimore Rajonale në vend:
Tirana Qytet: Mimoza Kuqi
Tirana Qark: Eglantina Metani
Durrës: Lindita Muka
Elbasan: Jonida Cungu
Fier: Shkelqim Hallkaj
Vlorë: Albana Hodaj
Shkodër: Erjeta Laçej
Berat: Selman Hodaj
Lezhë: Bardhok Pulaj
Kukës: Ali Xhahu
Dibër: Drini Gjeçi
Gjirokastër: Lindita Rova
Korçë: Kristaq Grabocka