English

Ja ngjarja e 2 vëllezërve të vrarë nga fshati Shuec i Devollit

SHUEC: Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e kaluar në kufirin shqiptaro-grek, në fshatin Vrontero pranë Follorinës, kur një grup prej tre oficerësh të Policisë greke janë përleshur me 2 persona të armatosur.
Ngjarja ka ndodhur në piramidën 19-20, pranë liqenit të Prespës, në orën 00:45, kur patrulla e policisë që merrej me kontrollin e peshkimit të paligjshëm, ushtroi një patrullim, pasi kishte informacion se ishin vjedhur rrjetat e peshkatarëve në liqen.
Patrulla e la automjetin në rrugë dhe përshkoi në këmbë për rreth 30 minuta, derisa vuri re një kasolle rreth 2 km larg liqenit të Prespës, kasolle që shpesh sipas policisë, përdoret nga trafikantët e emigrantëve të paligjshëm apo trafikantët e drogës.
Dy nga policët shkuan për të kontrolluar kasollen, ndërsa i treti qëndroi më pas, për t’iu mbuluar atyre krahët.
Kur u afruan, policët kanë bërtitur në gjuhën shqipe “Policia, policia!”, ndërsa një nga shqiptarët ka hapur zjarr me kallashnikov.
Plumbat kanë plagosur policin 43 vjecar Ilia Kosteni dhe pas kësaj polici tretë që ndodhej jashtë kasolles hapi zjarr mbi njërin nga shqiptarët duke e plagosur per vdekje. Tjetri mori armën e të vëllait dhe vijoi të qëllojë mbi policinë, por nga shkëmbimi i zjarrit edhe ai mbeti i vdekur.
Sipas mediave greke që i referohen informacioneve të policisë, gjithcka ndodhi në rreth 2 minuta, ndërkohë që temperatura në zonë ishte -15 gradë celcius.
Polici i plagosur nuk iu mbijetoi dot plagëve dhe vdiq rrugës për tek makina e patrullës së policisë, e cila ishte larg zonës ku ndodhi ngjarja.
Nga kontrolli në kasolle nuk u gjet drogë apo armë dhe hetimet përqëndrohen në faktin që shqiptarët kishin hyrë në tokën greke për peshkim të paligjshëm në liqenin e Prespës.
Presidenti i Federatës Panhelenike të rojeve kufitare tha për gazetën “To Vima”, se përgjegjësia per këtë ngjarje të rëndë është e drejtimit politik të policisë greke. Sipas tij, prej dy vjetësh është kërkuar përforcimi i shërbimeve kufitare. Ai shtoi se në qoftë se do të kishte patur staf në operacionin e kërkimit të trafikantëve duhet të ishin 10 dhe jo tre policë, gjë që mund të shmangte humbjet e jetëve.
Vetëm pak orë pas ngjarjes policia e Korcës, bëri të ditur se viktimat janë vëllezërit Melsi dhe Elvis Çollaku nga fshati Shuec i Devollit, ndërkohë që viktimat nuk kishin asnjë mjet identifikimi me vete.
FAMILJARËT E 2 VIKTIMAVE KËRKOJNË TËRHEQJEN E TRUPAVE
Ora 17:00 – Familjarët e dy vëllezërve Çollaku që humbën jetën pas një shkëmbimi zjarri me policinë greke në Follorinë, kërkojnë tërheqjen e trupave të tyre. Policia e Korçës bën të ditur se momentalisht viktimat ndodhen në morgun e spitalit të Follorinës, pasi autoritetet greke nuk kanë përfunduar ende ekspertizën mjeko-ligjore. Sipas policisë së Korçës, pas përfundimit të ekspertizës trupat e dy vëllezërve Melsi dhe Elvis Çollaku do të transportohen në Shqipëri.
FAMILJARËT: NUK ISHIN TRAFIKANTË, KËRKONIN BUKËN E GOJËS
Ora 12:00 – Pas ngjarjes së rëndë ku në një përplasje me policinë greke kanë mbetur të vrarë dy vëllezërit Çollaku, dhe një polic grek flasin familjarët e Elvis dhe Melsi Çollaku. Të afërmit deklarojnë se dy vëllezërit nuk janë trafikantë droge ashtu siç kishte dyshuar policia greke. “Ata nuk janë trafikantë, kërkonin bukën e gojës. I vrau policia greke.”- deklarojnë familjarët.
Melsi dhe Elvis Çollaku të cilët u vranë mbrëmjen e djeshme nga një shkëmbim zjarri me policinë greke kanë të dy nga dy fëmijë. Dy viktimat nga fshati Shuec i Devollit dyshohet se ishin trafikantë droge sipas mediave greke por nga kontrolli nuk u gjet drogë apo armë dhe shtohen dyshimet se shqiptarët mund të kishin hyrë në tokën greke për peshkim të paligjshëm në liqenin e Prespës. Hetimet mbi rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes vazhdojnë.

Nënë e dy vëllezërve të vrarë është infermieria e fshatit. Ajo dhe familjarët e tjerë ndodhen në gjendje shoku dhe kanë kërkuar një ambulancë dhe ndihmë mjekësore.

09/12/2013. Sapo njoftohemi që trupat e dy vëllezërve mbërrijnë sot të cilët do të drejtohen pranë familjes së tyre për tu përcjellë më pas për në banesën e fundit.

KOMENTE