Disa ditë më parë në Prishtinë, në mjediset e Qendrës Leksikografike- Enciklopedike të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, është mbajtur mbledhja e radhës e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe. Mbledhja kryesohej nga akademikët, Rexhep Ismajli dhe Jani Thomai (bashkëkryetarë) me pjesëmarrjen e akademikëve: Besim Bokshi, Et’hem Likaj, Gjovalin Shkurtaj, Kolec Topalli, Tomor Osmani, Seit Mansaku, Imri Badallaj, Enver Hysa, Bardh Rugova, Shefkije Islamaj, Abdullah Zymberi dhe Isa Bajçinca. Në pamundësi për të marrë pjesë vetë, diskutimet lidhur me materialet e dërguara paraprakisht i kishin dërguar me shkrim prof. dr. Franko Altimari dhe prof. dr. Mehmet Çeliku.
Sipas komunikatës së publikuar nga ASHAK, pikë qendrore e rendit të ditës ishte diskutimi i materialeve të përgatitura nga komisionet për çështje të morfologjisë në Tiranë dhe në Prishtinë. Komisionet kishin përmbledhur në dy materiale, të ndara me detaje dhe lëndë ilustrimi, pikat në rregullat ekzistuese të drejtshkrimit për të cilat ka pasur diskutime. Materialet e paraqitura me shkrim u diskutuan për çdo pikë veç e veç dhe me frymë të theksuar mirëkuptimi. Pasi u dëgjuan të gjitha diskutimet Këshilli arriti këto përfundime:
1. Pas diskutimeve për format e shumësit të disa emrave të gjinisë mashkullore që mbarojnë me -i të theksuar, të sanksionuar si shumësa me -nj, u arrit përfundimi të propozohet që këta shumësa të përfundojnë me -j. Këtu përfshihen rrjedhojat që në temë kanë një shumës të tillë.
2. U miratua propozimi që te foljet që pësojnë ndryshimin -t/-s të mbetet normative vetëm forma me -s.
3. U miratua propozimi që forma e rasës kallëzore të shquar tek emrat që mbarojnë me -ua: krua, kroi të rrafshohet sipas tipit të përgjithshëm të ndërtimit të këtyre formave të emrave mashkullorë, pra krua-kroi-kroin, ashtu si dhe trajta e kallëzores së shquar të emrave mashkullorë që dalin me -a ose -e të theksuar (again, babain, jubileun, atdheun).
4. U konsideruan si gabime prirjet në përdorim të formave të zhdrejta të përemrave pronorë të gjinisë femërore ime, jonë, jote dhe juaj si vajzës time, vajzës tonë, vajzës tënde, vajzës tuaj dhe kërkohet respektimi i normës ekzistuese, pra vajzës sime, vajzës sate, vajzës sonë, vajzës suaj.
5. Përdorimi i trajtave të lidhores pa formantin të (p.sh. do laj) konsiderohet shkelje e normës, formë e vetme e drejtë konsiderohet forma me të: do të laj.
6. Tek urdhërorja joveprore e foljeve të tipit kruaj, ruaj duhet të mbetet normative forma me -j (ruaju, kruaju), dhe jo me -h (kruhu, ruhu)
7. Rastet e tjera të sistemit emëror dhe foljor, të cilat mund të dalin me zgjidhje të veçanta, mbetet të studiohen dhe të diskutohen në mbledhjen e radhës të Këshillit, bashkë me çështjen e përdorimit të shkronjës së madhe
8. U arrit përfundimi që të mos mbështetet prirja për respektimin e ambi-gjinisë tek emrat shumës më -ra (fshatra të elektrizuara, ujëra të ftohta) dhe të konsiderohet si normative vetëm forma e gjinisë mashkullore (fshatra të elektrizuar, ujëra të ftohtë).
9. U vendos që në mbledhjen e radhës të Këshillit të merren në shqyrtim çështjet e mbetura nga kjo mbledhje dhe nga mbledhja e kaluar, e që lidhen me drejtshkrimin dhe me morfologjinë, si dhe ato që do të propozojnë grupet e punës për çështje sintaksore/Koha Ditore/