English

16 vjeçari nga Dukagjini prek ëndrën amerikane në Hollivud

Vetëm 16 vjeç ishe kur Praq Rado u largua nga Thethi i Dukagjinit për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të realizonte ëndrrën e tij drejt fushës së kinematografisë. Një ditë fati bëri, që ai të takohej me regjisorin Lee Percy dhe të realizonte një film me metrazh të shkurtër për jetën e tij. Aktualisht, vazhdon studimet dhe pret të shkojë dhe të takojë aktorët që kanë interpretuar dhe kanë punuar për realizimin e filmit me metrazh të gjatë “Dreaming American”, i cili është bazuar në historinë e jetës së tij.

Rado nuk ndalet me kaq, gjithë jetën e tij do ta shkruajë në një libër, që të kenë mundësi ta lexojnë të gjithë. Një nga dëshirat e tij është që të vijë në Shqipëri dhe Kosovë për ta prezantuar këtë film, por dhe për të takuar e për t’u shmallur me njerëz, të cilët i kujton herë pas here. “Pengesat dhe vuajtjet e bëjnë njeriun më të fortë, por unë nuk dorëzohem para asgjëje” thotë Rado, në një intervistë për gazetën “Shekulli”. Praq Rado është larguar nga Shqipëria para 16 vjetësh.

Praq, ka kohë së suksesi yt artistik në botën hollivudiane ka marrë udhë. Ju si po ndiheni derisa jeni pjesë e kësaj bote të madhe të filmit?

Unë ndihem me shumë fat, falënderoj regjisorin të filmit “"Dreaming American”, Lee Percy dhe producentin Barbet Schroeder, që jo vetëm më kanë dhënë shansin të punoj me ta, por sepse besuan në vuajtjet e mia dhe xhiruan një film për jetën time.

Kush është Praq Rado, për ata që nuk e njohin?

Kam lindur dhe rritur në një fshat shumë të vogël në “Theth” të Shqipërisë. Prindërit m’i quajnë Marie dhe Nikoll Radoina. Kam dy motra dhe tre vëllezër.

Ju kujtohet si depërtuat në botën e kinematografisë?

Unë kam shkruar jetën time në një film të shkurtër, dhe jam takuar me shumë studentë, regjisorë, para se të bëj këtë film dhe shumë prej tyre më thanë, jo. Në këtë rrugë kam vazhduar, duhet të kesh një lëkurë shumë të fortë për të duruar. Shumë njerëz që nisin një projekt, dorëzohen pas komenteve negative dhe e lënë përgjysmë. Unë vazhdova të besoj në projektet që kisha, pavarësisht se kishte kaluar një vit që nga momenti që kisha shkruar skenarin dhe ende nuk kishte asnjë të interesuar rreth tij.

Bashkëpunimi juaj me Lee Percyn, si nisi?

Një natë isha duke shërbyer në një mbrëmje për filmin “Salt” me Angelina Jolie-n. Regjisori i filmit ishte aty, ndërsa njerëzit e pyesnin për filmin. Gjatë shërbimit bëra një kërkim rreth tij në IMDB dhe i pash të gjithë filmat që kishte bërë. Më pas i shërbeva, ndërsa në fund u prezantova dhe i thash se jam aktor dhe kam një projekt të shkruar. Percy më dha email-n e tij. Pas një jave i nisa skenarin, pas dy javësh nuk kisha ende asnjë përgjigje. Isha mësuar duke mos më kthyer përgjigje dhe as kjo gjë nuk më bëri më përshtypje. Kaluan 18 ditë dhe unë mora një përgjigje prej tij. Skenari i kishte pëlqyer shumë dhe donte të pinte një kafe, pastaj nga këtu nis bashkëpunimi.

Përmes filmit “Dreaming American”, arritët në njëfarë mënyre të prekni ëndrrën e një artisti. Tani çfarë pretendoni?

Po, “Dreaming American” është një film i bazuar mbi jetën time, që është drejtuar nga regjisori dhe producenti Lee Percy dhe Barbet Schroeder. Filmi ka pasur shumë sukses në Amerikë, sapo kam përfunduar skenarin për ta bërë me metrazh të gjatë.

Sa ia keni dalë që të paraqisni jetën tuaj në filmin “Dreaming American”? Po përjetimet që keni kaluar sa keni arritur t’i përcillni nëpërmjet kamerave?

Po mendoj se 80 për qind jeta ime është realizuar në këtë film. Kjo sepse regjisorët bëjnë dhe përshtatje në skenar.

Me çfarë projektesh të tjera do t’ju shohim në të ardhmen?

Aktualisht, jam duke studiuar në universitet. Kam dëshirë që të shkruaj dhe një libër për jetën time. Lee Percy sapo ka përfunduar skenarin e gjatë të filmit “Dreaming American” me ndihmën time dhe të Zotit do të bëhet një film me metrazh të gjatë. Këto janë dy projektet për të cilat jam duke punuar fort për t’i realizuar sa më shpejt. Mezi pres që të njoh dhe aktorët që kanë marrë pjesë në filmin me metrazh të gjatë në "Dreaming American".

Nga ndryshon jeta juaj nga ajo e aktorëve hollivudian?

Në shumë gjëra. Unë kam vuajtur shumë që të arrij këtu ku jam sot, prandaj mendoj se vuajtjet e bëjnë njeriun më të fortë. Një nga vuajtjet e mia më të mëdha ka qenë kur m’u ndanë nga jeta prindërit, babi në vitin 2009 dhe nëna në vitin 2011. Kjo ka qenë vuajtja më e madhe që kam kaluar në jetë, aq sa ende nuk më besohet se ata nuk janë më këtu.

Lidhjet me Shqipërinë, sa i ruan?

Jam shumë i lidhur me Shqipërinë, më merr shumë malli. Shqiptarët e Shqipërisë më kanë mbështetur shumë gjatë karrierës sime si aktor dhe për këtë ndihem shumë krenar. Më bën përshtypje që Shqiptarët e Amerikës nuk të vlerësojnë kaq. Nëse shkon në një dasmë aty takon rreth 600 vetë, ndërsa kur shfaqet filmi “Dreaming American" në NYC në teatrin "Academy Theater" nga 350 persona që mund të jenë në sallë, me zor nuk bëhen as 50 shqiptarë. Kjo gjë të vret sepse është një sakrificë e madhe të merresh me diçka të tillë, prandaj dhe ke nevojë për mbështetjen e popullit tënd, shumë herë më tepër sesa ajo e një populli të huaj.

Keni menduar ndonjëherë që një ditë të jeni pjesë e një filmi shqiptar?

Po ku i dihet se çfarë të sjell jeta. Dëshirë që të marrë pjesë në një film apo një reklamë shqiptare, normalisht që kam.

Çfarë mund të na rrëfeni për jetën private (i dashuruar, i fejuar, martuar apo rehat)?



Po, jam i martuar me dy fëmijë. (qesh) Shaka kjo, sepse për momentin jam vetëm, pasi jam shumë i fokusuar te realizimi i projekteve të mia.

Kohën e lirë si e kaloni?

Ushtrohem në palestër në katër ditë të javës, dy ditë joga, më pëlqen të kërcej dhe të marrë disa mësime hip-hopi ose break dance , të takohem me miqtë, të shikoj ndonjë film, etj.

Çfarë çmoni më shumë nga jeta?

Vëllanë e vogël, Rrokun dhe familjen.

Aktualisht përveçse studioni a punoni?

Shkoj në shkollë përgjatë pesë ditëve të javës. Përpos kësaj sikurse përmenda më lart po shkruaj librin që bën fjalë për jetën time, që nga fëmijëria e deri më sot. Miqësia juaj me aktorët shqiptar të njohur në

Hollivud si është?

Njihem me shumë prej tyre, por të gjithë jemi të ngarkuar.

Diçka për fund?

Mezi pres të vij në Shqipëri dhe në Kosovë me “Dreaming American” që të keni mundësi ta shikoni të gjithë ju, por dhe t’ju takoj të gjithëve nga afër.

KOMENTE