Blindohet ministri i Brendshëm dhe familja e tij në prag të shembjes së kompleksit “Jon” në Vlorë. Bllokimi i pallatit të shumëpërfolur dhe vendimi për shembjen e tij ka detyruar Gardën e Republikës të përforcojë sigurinë fizike për ministrin Tahiri që të hënën, ndërkohë që nuk dihet se deri kur do të vazhdojnë këto masa.
Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Gardës së Republikës, e cila është në proces ristrukturimi, pasi pritet të kalojë në varësi të Policisë së Shtetit, të cilat nuk kanë pranuar të japin shpjegime nëse rritja e sigurisë për ministrin e Punëve të Brendshme ka ardhur pas ndonjë kërcënimi, apo thjesht si masë parandaluese.
Megjithatë, sipas të njëjtave burime,shkruan T"Top Channel", urdhri për sigurinë e Saimir Tahirit është marrë që të premten, ndërkohë që zbatimi i tij ka nisur mëngjesin e së hënës. Nga informacionet e mbledhura mësohet se fillimisht është rritur siguria fizike për ministrin Tahiri, megjithëse ky i fundit, shpeshherë ka kërkuar nga efektivët e Gardës që të mos ketë masa të dukshme, madje ka kërkuar edhe fikjen e fenelinave të makinave dhe respektimin e semaforëve.
Sipas të dhënave, për sigurinë e tij fizike janë dy efektivë të Drejtorisë së Ruajtjes së Personaliteteve në Gardën e Republikës, ndërkohë që masat janë rritur edhe për sigurinë e familjes së tij. Nga burime të besueshme mësohet se veç rojeve fizike është dyfishuar numri i punonjësve të Gardës, që ruajnë banesën e Saimir Tahirit në zonën e “Komunës së Parisit”, pranë Kodrës së Diellit.
Burimet shpjegojnë që zakonisht, banesa e tij ruhet me një efektiv garde në turn, pra tre të tillë në ditë, por që nga e hëna, atë e ruajnë me dy gardistë për çdo tetë orë. E njëjta procedurë është ndjekur edhe për shoqërimin e familjes së tij. Sipas të dhënave, marrja e këtyre masave vjen për shkak të funksionit të Tahirit, i cili veçse është ministër i Brendshëm, njëkohësisht është edhe kreu i Task-Forcës për Mbrojtjen e Territorit. Në cilësinë e kreut të Task-Forcës, Tahiri dorëzoi edhe kallëzimin penal për shkeljet ligjore të konstatuara gjatë kontrollit të lejes së ndërtimit për kompleksin “Jon” në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Pas këtij kallëzimi u mor edhe vendimi për prishjen e këtij kompleksi. Në këto kushte, duke vlerësuar rrezikshmërinë që mund të sjellë kjo përplasje me banorët dhe pronarët e këtij kompleksi, Garda ka vendosur që të rriten masat e sigurisë.
Megjithatë, pavarësisht se dita e diel është menduar si afati për shembjen e pallatit me eksploziv, për masat ndaj tij nuk është vendosur ndonjë afat. Edhe në rastet e tjera të këtij lloji, Tahiri mësohet se ka pasur rritje të masave të sigurisë, por këtë herë ato kanë qenë më të forta. Kryerja e ndonjë kërcënimi ndaj Tahirit është hedhur poshtë nga specialistët e Gardës, pasi në raste të tilla, ai merret në mbrojtje nga struktura të tjera të posaçme të policisë, siç është reparti RESI, i cili ka detyrë parësore mbrojtjen e dëshmitarëve të drejtësisë, por shpeshherë është përdorur për mbrojtjen e gjyqtarëve, prokurorëve, apo personaliteteve të tjera shtetërore.