Ish-ministri i Mbrojtjes dhe anëtar i Këshillit të të Urtëve në PS, Sabit Brokaj, në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” shprehet se kërkesa e raportuesit të Parlamentit Evropian, Nikola Vuljaniç për arrestimin e një ish-kryeministri nuk është thjeshtë për të arrestuar Berishën, por për të krijuar një precedent.
Pasi për të, pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë që kanë abuzuar me pushtetin është kthyer në sistem, dhe qeveritë e reja nuk dënojnë paraardhësit e tyre, pavarësisht akuzave që kanë bërë kur ishin në opozitë, duke sjellë rrezikun se korrupsioni do transmetohet nga qeveria në qeveri. Për Brokajn është shumë e rëndësishme që të zbatohen kërkesat e BE, në mënyrë që asnjë kryeministër që vjen pushtet të mos guxojë të prekë paratë e shqiptarëve.
Intervista
Raporteri në Parlamentin Evropian Nikola Vuljaniç teksa ka kërkuar nga Këshilli i Ministrave të BE që t’i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat, është shprehur që dhe Shqipëria për të treguar se është e vendosur për të luftuar korrupsionin duhet të ndjekë shembullin e Kroacisë, të dënojë me burg një ministër, Prokuror të Përgjithshëm apo kryeministrin. Komenti juaj?
Fakti që Kroacia pavarësisht se kishte plotësuar të gjitha kushtet e tjera për të qenë pjesë e Evropës së Bashkuar u përball me kriterin e arrestimit të zyrtarit më të lartë të saj, ish-kryeministrit Ivo Sanader, pikërisht njeriut hapi negociatat me Bashkimin Evropian, vetëvetiu tregon në mënyrë të qartë se sa i rëndësishëm është për Shqipërinë kriteri i arrestimit për korrupsion i një zyrtari të një niveli kaq të lartë, si ai i një ministri apo kryeministrit. Pra BE kërkon një realizim konkret edhe në Shqipëri në mënyrë që të marrë fund pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion dhe jo të operohet me deklarata siç është bërë për 20 vite me radhë me qëllimin e vetëm, thjeshtë për mosndëshkimin e zyrtarëve të lartë që kanë ushtruar korrupsion në nivelet më të larta, duke e tejkaluar këtë proces vetëm përmes deklaratave dhe pa asnjë veprim konkret.
Dhe këtë e kërkon Evropa ku duhet të integrohemi si kusht për të qenë pjesë e kësaj familjeje të madhe dhe demokratike...?
Me sa duket Evropa është lodhur për vite me radhë nga këto deklarata të politikës shqiptare, e cila sa herë që ka qenë jashtë pushtetit ka lëshuar akuza në drejtim të qeverisjes së radhës dhe menjëherë pas ardhjes në pushtet ajo nuk ka munguar të anashkalojë këtë proces, duke mos ndëshkuar ata që kanë bërë korrupsion, në cilin nivel qoftë.
Me sa duket këtë radhë Evropa e ka kapur demin për brirësh, duke vënë një kusht tashmë maksimal dhe që është për t’u plotësuar, ose të ndëshkohet korrupsioni duke arrestuar nivelet më të larta të zyrtarëve të korruptuar, përfshirë këtu ministrat dhe kryeministrin që kanë abuzuar me taksat e shqiptarëve ose nuk do të ketë mbështetje për proceset integruese, sepse shqiptarët me pandëshkueshmërinë ndaj zyrtarëve të lartë të korruptuar tregojnë edhe më tej se nuk e kanë mendjen për të bërë luftë reale kundër korrupsionit, por për të mos e penalizuar atë, pavarësisht nivelit në të cilin është shfaqur në gjithë këto vite të tranzicionit të tejzgjatur.
Pra mendoni se integrimi në Evropë kërkon dhe sakrifica...?
Duhet të jemi të qartë dhe të flasim në mënyrë reale dhe të paanshme për këtë problem shumë të rëndësishëm. Ajo që kërkon Evropa dhe Bashkimi Evropian për Shqipërinë, dhe që për mua është e drejtë dhe në të njëjtën linjë me dëshirën e gjithë shqiptarëve të ndershëm që kërkojnë një integrim në Evropë dhe një shtet të pastër nga korrupsioni për vete dhe për fëmijët e tyre, është se lufta kundër korrupsionit qoftë dhe me arrestimin e niveleve të larta të qeverisjes, nuk lidhet thjeshtë dhe vetëm me ndëshkimin e një ministri apo kryeministri.
Ndëshkueshmëria dhe për zyrtarët e lartë, përfshirë dhe kryeministrin është një element bazë për të parandaluar korrupsionin nga kryeministri që vjen, në mënyrë që ai të aplikojë një standard që s’lë hapësira as për ministrat e as për administratën që drejton për t’u përfshirë në korrupsion por vetëm lë një rrugë, të shërbimit sa më mirë ndaj qytetarit. Këto dënime dhe arrestime deri në nivel kryeministri të kërkuara nga Evropa bëhen në kuadrin e krijimit të një precedenti, që të mos ketë në të ardhmen shfaqje të tilla korruptive e të shërbejë për ministrat në vijim si busull për të mos abuzuar me pushtetin dhe paratë e qytetarëve shqiptarë.
Pra mendoni se kërkesa e Evropës për të marrë modelin e Kroacisë që për të hapur dyert për integrimin shkon më thellë se sa dënimi i një zyrtari të lartë për abuzim, qoftë dhe kryeministri?
Kërkesa e Evropës për arrestime të niveleve të larta për abuzim me pushtetin dhe korrupsion nuk është thjeshtë për të dënuar ish-kryeministrin Berisha me burg, por për krijimin e një precedenti. Pasi sikur të kishte ndodhur në këto 20 vite ndëshkueshmëria në nivelet e larta i korrupsionit, sikur të kishte dënuar ish-kryeministri Fatos Nano të gjithë ata që abuzuan me pushtetin dhe sollën vitin 1997, pra të arrestonte ata që e bënë këtë tragjedi, nëse ish-kryeministri Sali Berisha të kishte dënuar ata që bënë korrupsion kur erdhi në pushtet në vitin 2005, atëherë edhe Nano edhe Berisha do të kishin qeverisur me dorë të pastër dhe nuk do të kishin këto akuza që kanë sot, por nuk do të kishte as këtë nivel korrupsioni që ka sot Shqipëria, aq sa e detyron dhe BE që të vendosë kushte si në Kroaci që dënohet patjetër një ministër apo kryeministër, si kusht për të marrë lehtësisht “biletën” hyrëse për në BE.
Pra duhet të krijohet precedenti. Politika shqiptare është kujdesur dhe e ka ruajtur paradhësin gjithnjë në dënimin për korrupsion, duke u përqëndruar thjeshtë në deklarata akuzuese derisa të vijë në pushtet, dhe më pas as që i ka prekur nivelet e larta të abuzimit, duke lënë hapësirë në këtë mënyrë për të abuzuar në qeverisjen e radhës. Bazuar vetëm në faktin e pandëshkueshmërisë.
Ju mendoni se veprimi i ligjit dhe ndëshkimi i korrupsionit qoftë dhe në nivelet më të larta do shërbejë për qeverisjen pasardhëse që të mos abuzojë më me paratë e shqiptarëve...?
E ripërsëris, ajo që them unë por që e kërkon dhe BE është se nuk është thjeshtë qëllim arrestimi i Berishës si kryeministër që ka abuzuar por është krijimi i një precedenti, sipas të cilit po abuzove me paratë e popullit e pushtetin edhe duke qenë kryeministër, do dënohesh me burg si gjithë qytetarët shqiptarë. Duke treguar se para ligjit të gjithë janë të barabartë si kryeministri ashtu dhe qytetari i thjeshtë. Pasi në tërë këto vite pandëshkueshmëria është ngritur në sistem. Për mua, mosndëshikimi i qeveritarëve që kanë bërë një nivel krimi dhe korrupsioni, nuk tregon frikën e politikanëve për të dënuar paraadhësit e tyre në pushtet, por frikë për të fshehur mizën nën kësulë për korrupsionin që do të vijë në pas. Ndaj them se duhet një precedent i tillë, të cilin e kërkon edhe Evropa.
PS, Balla: “Koha që politikanët të shkojnë në pranga”
Nënkryetari i grupit parlamentar të PS, dhe një ndër akuzatorët më të ashpër ndaj qeverisjes së PD, Taulant Balla tha referuar kallzimit penal ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Imami se tashmë ka ardhur koha që politikanët të shkojnë në pranga dhe të përgjigjen për abuzimet. “Standardi i vendosur tashmë nga zonja Kodheli në krye të Ministrisë së Mbrojtjes duhet domosdoshmërisht të vazhdojë dhe në ministritë e tjera. Por në gjithë këtë proces transparence të sapofilluar, shqetësues është qëndrimi i PD, që po mundohet ta sulmojë procesin. PD e vetë Imami duhet ta kenë të qartë se politika s’mund të jetë më një mburojë ndaj korrupsionit e koha që edhe politikanët të shkojnë në pranga është tani”, tha Balla.