English

Sadi Vorpsi: do të shfuqizohen 74 akte të marrjes së tokës në pronësi. 100 të tjera në shqyrtim

S.Topi - Të gjitha tokat e përfituara në shkelje të ligjit 7501 do t'i kthehen shtetit dhe më pas ky fond fizik do të përdoret për kompensimin e ish-pronarëve. Ky është procesi që do të pasojë verifikimin e titujve të pronësisë për çdo tokë të dhënë në përdorim. Prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi në një intervistë për gazetën “Shekulli” sqaron të gjitha rastet e shkeljeve të konstatuara dhe vendimet përkatëse.

Zoti Vorpsi, Komisioni Vendor i ngritur pranë prefekturës së Tiranës, ashtu si në çdo prefekturë tjetër po bën verifikimin e titujve të pronësisë, cilat janë problematikat e hasura?

Nga një hetim administrativ i kryer prej Komisionit Vendor të Vlerësimit të Titujve të Pronësisë pranë prefektit të qarkut Tiranë, janë konstatuar një sërë problematikash, por ndër to dua të veçoj ndarjen e tokës PF, tokës pa fryt, në kundërshtim me ligjin 7501 për ndarjen e tokës bujqësore. Këto sipërfaqe janë përfituar me aktet e marrjes së tokës në pronësi të lëshuara nga komisionet e tokës në fshat dhe komunë dhe është bërë regjistrimi i këtyre akteve në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Kavajë. Nga hetimi i Komisionit Vendor vërehet se mbi këto sipërfaqe janë kryer pjesërisht transaksione në favor të të tretëve.

Një pjesë e tyre figuron në pronësi të përfituesve, gjë që mundëson kthimin e pronësisë në emër të shtetit. Në rastet kur është i pa mundur kthimi në gjendjen shtet i këtyre sipërfaqeve, në rastet kur janë bërë transaksione, Komisioni Vendor procedon me përcaktimin e vlerës së tokës së përfituar nga këto subjekte përfitues të paligjshëm duke iu drejtuar Gjykatës për kthimin në vlerë monetare.

Po i referohem këtu rastit të rrethit të Kavajës dhe konkretisht sipërfaqeve të tokës në bregdet. Nga ana tjetër, dihet se toka bujqësore është ndarë sipas kritereve të vendosura nga ligji 7051 për tokën. Një nga kriteret e përfitimit në vitin 1991, kur ka hyrë në fuqi ky ligj, ka qenë gjendja për frymë e familjeve. Komisioni Vendor ka konstatuar se ka shkelje të rënda, ku në shumë raste është përfituar tokë më tepër se sa duhet të merrnin në momentin e ndarjes se saj. Gjithashtu kemi vërejtur ndarjen e tokës nga një territor i një fshati në një fshat tjetër, nga komisione të ndryshme, në kundërshtim me ligjin dhe me qëllime përfitimi. Kryesisht në këto raste konstatohet së janë përfituar sipërfaqe në zonën pyll dhe ranishte pranë bregut të detit. Veç këtyre, në shumë raste subjekte të caktuara janë pajisur me dy ose më shumë akte të marrjes së tokës në pronësi, në kohë të ndryshme dhe në kundërshtim flagrant me ligjin 7501. E theksova edhe më lart që po i referohem zonës së Kavajës, për shkak se edhe puna e Komisionit Vendor është fokusuar momentalisht në verifikimin e zonave me përparësi zhvillimi turistik siç është bregdeti. Nga verifikimet e bëra cilat janë problematikat që dominojnë kryesisht në zonën turistike dhe si do të procedohet me këto shkelje? Nëse do t’i referohemi shifrave, Komisioni ka konstatuar se vetëm në 10 % të zonës turistike nga Golemi në Gosë janë cenuar interesat e pronarit shtet për një sipërfaqe toke në total 1 981 000 metra katrorë. Bëhet fjalë për parcela në anë të detit Adriatik. Deri më sot janë shfuqizuar 74 akte të marrjes së tokës në pronësi brenda kësaj zonë turistike, ndërkohë që janë në proces shqyrtimi edhe 100 akte të tjera të marrjes së tokës në pronësi në fshatrat Spille dhe Vilë- Bashtovë. Puna e komisionit bazohet jo vetëm në hetimin administrativ dhe atë në terren, por edhe në mbledhjen e provave dhe fakteve të administruara në dosjet përkatëse, shkresat e ardhura nga komunat, këshilli i qarkut etj.

Kanë qenë pikërisht këto problematika të hasura, pjesë e argumentit tonë për të shtyrë afatin e veprimit të ligjit të sipërpërmendur, sepse në të gjitha rastet Komisionit Vendor do t’i duhet kohë për kallëzimin e shkelësve të ligjit në Prokurori si dhe për ndjekjen e shkeljeve në të tri shkallët e gjyqësorit, sikurse e parashikon edhe ligji nr. 9948 i datës 07.07.2008. Duhet të kemi parasysh që e gjithë kjo histori abuzimesh nuk ka ardhur vetëm si pasojë e dëshirës së disa individëve për të përfituar padrejtësisht sipërfaqe të tëra toke, pasi kjo nuk mjafton pa pasur “bekimin” e institucioneve vendore. Ka qenë papërgjegjshmëria e qeverisjes qendrore dhe lokale të Shqipërisë ndër vite që jo vetëm i ka toleruar abuzuesit, por edhe i ka pajisur ato me troje në kundërshtim flagrant me ligjin e tokës.

“Vonesat nga KV-të, shkak papërgjegjshmëria e Qeverisë së kaluar Prefekti i Tiranës vlerëson miratimin nga Parlamenti të shtyrjes me dy vjet të verifikimit të titujve të pronësisë, kjo pas kërkesës së tij të shprehur më herët. Ndërsa pohon se vonesat janë për shkak të papërgjegjshmërisë së Qeverisë së mëparshme.

Zoti Vorpsi, parlamenti miratoi para pak ditësh shtyrjen me dy vjet të afatit për verifikimin e titujve të pronësisë, përfituar në bazë të ligjit 7501 për tokën bujqësore. A përputhet ky afat me kërkesën tuaj?

Unë besoj se afati i propozuar nga qeveria dhe nga komisioni kuvendor për Veprimtarinë Prodhuese dhe miratuar nga Parlamenti, është i mjaftueshëm për Komisionin e Verifikimit të Titujve të Pronësisë që të kryejë funksionet e tij legjitime, por sigurisht që të realizohet brenda këtij afati dhe të mos ndodhë ajo që ka ndodhur për 5 vite kërkohet vullnet, përgjegjshmëri, komisione vendore të përbëra nga specialistë, logjistikë dhe burime njerëzore shtesë për të përballuar veprimtarinë shumë komplekse të këtij organi. Sigurisht që kjo shtyrje e afatit ka qenë në përputhje me kërkesën e institucionit të Prefektit, i cili e ka argumentuar kërkesën e tij të dorëzuar pranë qeverisë. Nga ana tjetër, kjo kërkesë ka ardhur në koordinim me të gjithë qarqet, pasi problematika e pajisjes me tituj pronësie nuk është fenomen që i përket vetëm qarkut Tiranë.

Një proces që nuk u mbyll për 5 vite, a mendoni se do të marrë zgjidhje në dy vitet e ardhshme?

Kam bindjen se brenda dy viteve të ardhshme ne do t’i japim qytetarëve mundësinë që t’i përdorin dhe t’i shfrytëzojnë pronat e tyre me të drejta të plota. Sigurisht që afati prej 2 vitesh na vë përpara përgjegjësive për të punuar me ritme të shpejta. Ju e thatë edhe vetë në pyetjen tuaj, se që prej vitit 2008 kjo çështje nuk është zgjidhur. Mendoj se shkak ka qenë mungesa e përgjegjshmërisë nga qeveria e kaluar për të zgjidhur këtë situatë kaotike e cila ka prodhuar ndër vite edhe konflikte sociale me pasoja të rënda mes qytetarëve.

"Raportimi i Komisioneve Vendore çdo gjashtë muaj nxit mbylljen e procesit"

Anëtarët e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese kanë ngritur si shqetësim zvarritjen e procesit për verifikimin e titujve të pronësisë, madje opozita, gjatë diskutimeve të draftit, propozoi që afati i shtyrjes të ishte një vit në mënyrë që organet vendore të nxiteshin për më shumë punë. I pyetur për këtë gjë, Vorpsi deklaroi se vendosja e një afati sigurisht që e nxit punën institucionit, por nga ana tjetër Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese ka marrë në konsideratë kohën e nevojshme për të përfundu- ar procesin. Ai vlerëson iniciativën e kryetarit të komisionit, deputetit Eduard Shalsi, për monitorimin e veprimtarisë së këtyre komisioneve çdo 6 muaj, çka shtoi Vorpsi, tregon vullnetin e kësaj mazhorance për t’i dhënë fund sa më shpejt këtij procesi. “Opozita ka të drejtën e saj të bëjë propozime, por ka qenë pikërisht opozita e sotme që e ka drejtuar qeverinë e Shqipërisë dhe ka miratuar ligjin në fjalë në vitin 2008 dhe për 5 vite nuk i ka dhënë zgjidhje përfundimtare”, - pohon prefekti i Tiranës.

KOMENTE