Bashkia e Tiranës ka nisur sezonin e mbjelljes së pemëve. Në këtë sezon janë planifikuar të mbillen rreth 4 mijë pemë dhe drurë dekorativë anembanë qytetit. Kryebashkiaku Basha ka qenë i pranishëm në mbjelljen e 390 pemëve të dhuruara nga “Raiffeisen Bank”.
“Sot, kemi kënaqësinë që në një hapësirë të mbetur pa pyllëzuar, në parkun e Liqenit Artificial, së bashku me përfaqësuesin e “Raiffeisen Bank” në vendin tonë, të mbjellim afro 390 pemë të llojit gështenjë dhe bli, akt për të cilin dua të falënderoj bankën “Raiffeisen” si dhe të bëj një thirrje për bankat e tjera dhe korporatat në qytetin tonë, të vazhdojnë mbështetjen në këtë proces. Mbjellja e këtyre pemëve, risia që sjellin në qytet është diçka që do të gëzohet jo për ditë e për muaj por për vite dhe dekada, brez pas brezi” – u shpreh z. Basha.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha theksoi se shtimi i gjelbërimit në Tiranë është domosdoshmëri dhe për këtë arsye, Bashkia e Tiranës e ka vendosur që në fillim shtimin e gjelbërimit të hapësirave të gjelbra e të pemëve në Tiranë, në krye të axhendës së saj.
“Sot, dua t’u raportoj me kënaqësi qytetarëve të Tiranës, që pak më shumë se dy vjet nga nisja e administratës sime, në qytet janë mbjellë plot 25 mijë pemë dhe dru të rinj dekorativë, nga të cilët 12 500 janë pemë dekorative anembanë qytetit. Jemi në rrugë të mbarë për të përmbushur premtimet tona. Puna do të vijojë me ritme të larta. Vetëm në arteriet e reja të qytetit, siç është bulevardi i ri dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës do të shtohen qindra, mijëra metra katrorë gjelbërim dhe dhjetëra mijë drurë dekorativë, pemë që do të bëjnë të mundur pikë së pari një ambient më të shëndetshëm, cilësi ajri më të mirë por edhe hapësira më të përshtatshme për të kaluar kohën e lirë, për ta bërë kështu qytetin tonë përmes këtyre veprave, hap pas hapi një qytet ku jetohet më mirë, punohet dhe shijohet më mirë koha e lirë për të gjithë e në veçanti për brezin e ri” - deklaroi kryebashkiaku Basha.
Përfaqësuesi i “Raiffeisen Bank”, z. Christian Canacaris ka garantuar mbështetje sa i përket projekteve që Bashkia e Tiranës ka, lidhur me gjelbërimin në kryeqytet.
“Ne jemi vërtet të kënaqur që jemi ndër kompanitë e para që i jemi përgjigjur thirrjes së z. Basha për mbjelljen e pemëve të reja dhe shtimin e hapësirave të gjelbra në Tiranë. Ne do të vijojmë të japim mbështetjen tonë për të gjithë projektet që kanë të bëjnë me gjelbërimin dhe gjithashtu presim më shumë projekte nga kryebashkiaku për vitin tjetër, veçanërisht sepse viti tjetër përkon me 10 vjetorin e “Raiffeisen Bank” në Shqipëri. Ju uroj të gjithëve “Gëzuar Krishtlindjet dhe vitin e Ri”!