“Krime të tilla si grabitjet dhe vjedhjet, rriten në mënyrë dramatike, pasi shumë qytetarë mbajnë para dhe dhurata në pazar. Gjithashtu në qendrat e mëdha tregtare qytetarët janë objektivi kryesor i grabitësve të xhepave”,- thuhet në mesazhin e ambasadës së SHBA-ve. Në mesazh theksohet gjithashtu se, qytetarët amerikanë duhet të shmangin kryerjen e blerjeve me sasi të mëdha parash kesh, të mos i lënë dhurata në automjetet të pambyllura dhe të sigurojnë si duhet banesën e tyre.
Edhe pse jo si në vitet e shkuara, ambasada u kujton qytetarëve të saj se në zonat rurale të Shqipërisë viti i ri pritet me të shtëna armësh.
“Duhet të keni kujdes nga festimet me breshëri armësh, në mesnatën e 31 dhjetorit, shpesh ka të shtëna për të pritur Vitin e Ri, të cilat për fat të keq kanë rezultuar edhe me lëndime të rënda apo vdekje, si rezultat i plumbave qorr”.
Ky është mesazhi që Ambasada amerikane në Tiranë ka paralajmëruar qytetarët e saj me rastin e festave të fundvitit në Shqipëri.
Qytetarët amerikanë duhet të bëjnë kujdes nëse kanë planifikuar të udhëtojnë jashtë Tiranës natën e Vitit të Ri. Rekomandohet gjithashtu, që edhe fishekzjarrët të shikohen në distancë të konsiderueshme, mundësisht nga shtëpia.
Ambasada paralajmëron gjithashtu qytetarët e saj që të kenë kujdes edhe prej aksidenteve automobilistike, pasi gjatë festave ka një rritje të tyre, për shkak të përdorimit të alkoolit.