Deklarata e plotë e kreut të PD Lulzim Basha:
19 Dhjetor 2013
Shtyrja gjashtë muaj e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë rrezikon të bëhet një lajm edhe më i keq për vendin, prej leximit të përciptë dhe të gabuar që kryeministri shqiptar Edi Rama i bëri mbrëmë vendimit të Këshillit Europian.
Fajin, sipas tij, e ka Europa, e ka Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe vendet e tjera që vendosën shtyrjen e afatit për Shqipërinë.
Këta janë në ngërç, këta duhet të zgjidhin ngërçin e tyre, këta duhet të korrigjohen! Ndërsa qeveria shqiptare dhe kreu i saj nuk kanë asgjë për të korrigjuar, edhe pse statusin e bërë gati nga qeveria e Partisë Demokratike e bënë me hije derisa e humbën fare gjatë tre muajve të qeverisjes së tyre.
Mbrëmë nga kryeministri i vendit pritej reflektimi, thellimi në shkaqet e brendshme të dështimit, evidentimi i saktë i këtyre shkaqeve në funksion të eliminimit të tyre si një domosdoshmëri për të fituar terrenin dhe kohën e humbur.
Asgjë të tillë nuk dëgjuan qytetarët shqiptarë në daljen publike të kreut të ekzekutivit për refuzimin e statusit. Përkundrazi. Edhe mbrëmë, e njëjta mendjelehtësi me të cilën ky kryeministër trajtoi dhe dështoi në çështjen e armeve kimike; e njëjta paaftësi, i njëjti naivitet në të kuptuarit e marrëdhënieve ndërkombëtare; e njëjta megalomani me të cilën drejton prej tre muajsh punët e vogla te qeverisë së tij të madhe, duke i marrë frymën vendit dhe duke e çuar ekonominë drejt asfiksimit.
Është e dhimbshme të themi, por duhet ta themi: Rama nuk ka kuptuar asgjë nga thelbi i vendimit të Këshillit Europian. Keq ta këtë nga padija. Keq e mos më keq ta ketë nga kokëfortësia, pra të ketë zënë inat me Europën si qëmoti dhe të mos i bëhet vonë fare për dushin e ftohtë që mori.
Një vit e humbëm statusin për shkak të Ramës shef opozite. Gjashtë muaj humbën pardje me Ramën kryeministër. Me çfarë shpalosi mbrëmë, me leximin që i bëri vendimit të Këshillit Europian, duke parë qimen në syrin e të tjerëve dhe duke mos parë traun në syrin e tij, shqiptarët nuk kanë gjë në vijë, fati nuk do t’i buzeqeshë Shqipërinë as pas gjashtë muajsh, një dështim i ri e pret vendin në lidhje me statusin, nese nuk do të ketë reflektime të thella me kokën ulur dhe në drejtimin e duhur.
Populli shqiptar mund të jetë, ashtu siç është në të vërtetë, populli më proeuropian i rajonit. Opozita shqiptare mund të jetë, ashtu siç është në të vërtetë, një qind për qind për Shqipërinë në Europë. Partitë e shumicës qeveritare mund të jenë në parim, ashtu siç janë, njëqind për qind për Shqipërinë në Europë. Të gjitha këto kanë rëndësi të madhe por nuk mjaftojnë nëse Kryeministri dhe ekipi drejtues i vendit nuk qeverisin në mënyrë demokratike nga A-ja te Zh-ja.
Shqipëria nuk e kalon klasën nëse nuk e kalojnë Kryeministri dhe qeveria.
Shqipëria nuk pranohet nëse nuk pranohen Kryeministri dhe qeveria. Ky është rregulli që mbështet në logjikën e shëndoshë demokratike se qeverinë e zgjedh populli.
Vetëm Rama nuk ka kuptuar se shtyrja është një vendim i dhimbshëm i vendeve mike, që na duan brenda dhe jo jashtë familjes europiane, një vendim i diktuar nga dyshimet e mëdha që ka krijuar qeveria e tij në harkun e tre muajve.
Sepse standardet e tij të qeverisjes nuk janë standardet e Europes. Sepse qeverisja e tij nuk është demokratike.
Standardi i Europës është sundimi i ligjit. Standardi i Ramës gjithë këtë periudhë ka qenë dhe vazhdon të jetë “ligji jam unë” çka duket qarte nga shkeljet në seri përmes vendimeve të qeverisë, të Kushtetutës së Shqipërisë, ligjeve dhe vendimeve të gjykatave.
Standardi i i Europës është ndarja demokratike e pushteteve. Standardi i Ramës është sulmi ndaj institucioneve të pavarura, spastrimet me mendësi pushtuesi në administratën publike për të venë atje klientelen e tij politike-tarafore.
Standardi i Europës janë zgjedhjet e lira. Standardi i Rama-Metës është blerja e votës.
Standardi i Europës është dialogu, standardi i Ramës është monologu dhe arbitrariteti.
Standardi i Europës është transparenca dhe përgjegjësia, standardi i Ramës është arroganca dhe papërgjegjshmëria.
Standardi i Europës është drejtësia e pavarur dhe ndëshkueshmëria e mbështetur në ligj; standardi i Ramës është hakmarrja e ulët politike, nxjerrja e inateve meskine personale me mjetet e shtetit.
Me ketë listë të kontrastit gjigandesk me standardet europiane Edi Rama nuk mund të na çojë asnjë hap përpara drejt Europës, por vetëm prapa, gjithnjë e më larg saj.
Me bilancin zero të paketës së tij të 100 ditëve të para, me dështimin në marrjen e statusit, me rrokullisjen e ekonomisë nga stabiliteti në negativitet, drejt zeros po rrokullisen edhe arsyet pse duhet të drejtojë qeverinë ky njeri.
Mbrëmë me leximin e gabuar të vendimit te KE-së, ai hoqi me duart e veta edhe një shkallare tjetër në tatëpjetën që ka marrë.
Partia Demokratike do të bëjë çmos të mos lejojë që kryeministri të marrë me vete edhe integrimin e vendit në rrokullisjen e tij. Sot, në këtë moment, si kryetar i opozitës së vendit i kërkoj kreut të ekzekutivit ta kuptojë si një shans për reflektime të thella demokratike kohën që i është dhënë atij dhe qeverisë së tij nga Këshilli Europian.
Mbrëmë e ka nisur mbrapsht. E ka nisur kundër asaj që është vlerë fondamentale në Familjen e madhe Europiane, që është përulësia dhe reflektimi. Iku dhe një ditë. Dhe kjo është një kohë e çmuar, e çuar dëm për vendin tonë, vetëm e vetëm nga arroganca dhe mendjelehtësia e papërgjegjshme e Ramës.