Ministri i Financave Shkëlqim Cani deklaroi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, se Qeveria u detyrua ta rrisë defiçitin për shkak të borxheve të prapambetura që, sipas tij, lanë demokratët.
"Ne deklarojmë që atë që opozita e ka keqpërdorur deri tani, që po, ne do të marrim borxhe të reja për të shlyer borxhet e vjetra, sepse nuk kemi rrugë tjetër", tha Cani.
Por deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu e quajti defiçitin rekord të vitit të ardhshëm si abuziv dhe të pajustifikueshëm, pasi, sipas tij, detyrimet e prapambetura nuk janë aq sa pretendon Qeveria.
"Borxhi më i madh që ka marrë Qeveria e Partisë Demokratike ka qenë 49 miliardë lekë, pra keni dyfishuar borxhin kur nuk keni dyfishuar detyrimet, apo kusuret që ju i thoni janë të Partisë Demokratike, janë gjysma e asaj që ju keni shtuar", tha Shehu.
Zoti Shehu pralajmëroi se deficiti prej 91.6 miliardë lekësh kërcënon ekonominë dhe qëndrueshmërinë financiare të vendit.
"Përvec këtij defiçiti kaq të lartë, i cili do t'i marrë frymën ekonomisë, nuk do të lerë hapësirë për kreditimin e biznesit shqiptar, ju do t'i merrni paratë edhe qytetarëve, pra ju do të godisni kërkesën, do të godisni konsumin dhe të gjitha këto goditje do të jenë të papërballueshme", theksoi Shehu.
"Të thuash sot se ç'do të ndodhë nëse kjo shifër e borxhit na paraqitet sot këtu ajo është fakt, ka ndodhur. Të thuash sot që ju e rritët borxhin për tre muaj, kur e vërteta është që ne vetëm e zbuluam sa ishte ai borxh, çfarë të bëjmë, të mos e administrojmë këtë situatë", tha deputeti socialist Anastas Angjeli.
"Ne po e marrim borxhin me 2 për qind, për të shlyer borxhin tuaj që e keni marrë me 12.8 për qind", theksoi Cani.
Qeveria do të shlyejë 35 miliardë lekë borxhe të prapambetura për vitin e ardhshëm, përmes kredive të buta nga FMN dhe Banka Botërore, transmeton Top Channel.