Rama sot ka kryer takimin me grupin socialist ku dhe ka diskutuar projektbuxhetin e 2014.
Ai ka theksuar se vendi vjen nga një katrahurë financiare që na la bakshish qeveria e parë dhe se buxheti synon disiplinimin e financave pas disa vitesh “rrumpallë”.
“Sot 99 ditë pasi kemi shqyrtuar librat e llogarive të shtetit dhe aktet e atyre që ne emër të shtetit kanë punuar për llogari të pushtetit dhe në dëm të njerëzve të zakonshëm dhe të sipërmarrjeve, i kemi dhënë fund ecjes symbyllur drejt greminës ekonomike dhe financiar dhe kemi çmontuar minat me sahat që do të plasnin njëra pas tjetrës, duke hedhur ne erë urat e të ardhmes, njësoj si në vitet e mbrapshta të piramidave, këtë herë pasojë e një piramide borxhesh qe ne do ta rrafshojmë falë pikërisht ndryshimit rrënjësor të qasjes se Qeverisë ndaj borxheve, ndaj taksave dhe ndaj administrimit të të ardhurave dhe të pasurisë kombëtare. Kemi ndërtuar një program fleksibël rritje ekonomike, që do të na japë që vitin e ardhshëm shenjat e para të qarta të daljes nga katrahura dhe nga asfiksia financiare",tha Rama.
Kemi trashëguar, tha Kryeministri Rama, një borxh të lartë publik të cilin po e legalizojmë. Duke u ndalur në fondet që parashikohen në shëndetësi, Kryeministri deklaroi se do rrisim të ardhurat për të investuar në shëndetësi, duke ulur kështu çmimin e ilaçeve.
“Na kanë thënë dhe po u thonë shqiptarëve se ne paskemi marrë përsipër që të mos rrisim rrogat për vitet që vijnë, madje paskemi marrë përsipër edhe të ulim pensionet. Me katrahurën që gjetëm mund të kishim qenë përpara faktit të kryer dhe do t'u thoshim shqiptarëve ‘do na falni po do ju ulim rrogat, do na falni po do iu ulim pensionet’. Jo vetëm që nuk kemi pranuar dhe e kemi marrë më në fund marrëveshjen që donim për të mos prekur asnjë rrogë dhe për të ulur shpenzimet për taksa duke rritur sasinë e parasë në xhep, e parasë reale që shkon për konsum të atyre që jetojnë me rrogë, por edhe kemi vendosur kushtin e panegociueshëm që ne t'i rrisim pensionet edhe gjatë vitit 2014 dhe ne do t'i rrisim edhe pensionet”, theksoi Rama.
Do të rrisim akcizën e cigareve, paralajmëroi Kryeministri, gjë e cila, sipas tij, do të inkurajojë luftën kundër duhanit. Sakaq projektbuxhetin zoti Rama e quajti si fillimin e transformit rrënjësor edhe në fushën e arsimit.