English

Basha:Projektbuxheti ynë do të ishte krejt tjetër

Fjala e plotë e kreut të opozitës Lulzim Basha mbi amendamentet e projektbuxhetit dhe paketës fiskale 2014:

27 Dhjetor 2013

Projektbuxheti i qeverisë Rama-Meta dhe Paketa Fiskale që e shoqëron nuk janë dhe nuk mund të jenë projektbuxheti dhe Paketa Fiskale e Partisë Demokratike, si parti e qendrës dhe qendrës së djathtë.

Konceptet tona për zhvillimin ekonomik për mirëqenien, për punësimin, mbështeten me përparësi në vlerat lirisë, nismës së lirë, taksave të ulëta, qeveri të vogël, punës dhe punësimit, ndryshe nga konceptet thellësisht regresive që janë paraqitur këtë muaj nga shumica Rama-Meta që ka fshirë nga fjalori fjalën zhvillim.

Projektbuxheti ynë do të ishte krejt tjetër. Do të ishte i mbështetur në vizionin në tonë që vendos politikat e zhvillimit mbi politikat fiskale. Taksimi është derivat i zhvillimit. Taksimi pa zhvillim është njëlloj si të marrësh e të mos vësh, të hash kursimet sot pa dashur t’ia dish si do t’’ja bësh mot.

Me një spekulim ordiner, kryeministri deklaron se e ka ulur taksën e fitimit nga 22 për qind në 15 për qind, pra shtatë për qind më pak sipas tij. Asnjë kryeministër në botë nuk do të guxonte t’i referohej botërisht një megagenjeshtre të prodhuar në ofiçinën e tij të thashethemeve dhe shpifjeve, siç guxon ai.

Po të kishte një miligram të vërtetë se paska ulur taksën e fitimit nga 22 për qind në 15 përqindje, sipërmarrja dhe ndoshta edhe unë bashkë me ta, do t’i thurnim lavde këtij çlirimtari.

Por sipërmarrja është në revoltë të trefishtë, siç e konstatuam në tryezat tona me grupet e interesit: së pari sepse rritja drastike 50 për qind e taksës së fitimit asgjëson çdo mundësi për zhvillim dhe rritje, e dyta sepse është bërë me një arbitraritet fyes si të mos ishte sipërmarrja e lirë faktori kryesor i zhvillimit të vendit dhe punësimit, e mirëqenies në vend, por një fajtore e diktuar dhe e marrë peng nga kryeministri. Fajtore pse punon, krijon, prodhon; e treta sepse ky kryeministër vazhdon ta poshtërojë sipërmarrjen duke e akuzuar atë se ka paguan nën dorë. E gjithë kjo për të përligjur rritjen e pashembullt të taksës 50 për qind.

Gjithë sipërmarrja pa përjashtim është kundër këtij projektbuxheti dhe kësaj pakete fiskale, e madhja, e mesmja, e vogla, e gjitha, papërjashtim;

-gjithë grupet e interesit janë kundër këtij projekti, të gjithë pa përjashtim, pensionistë, të vetëpunësuar, të rinj, të papunë, invalidë, ish të përndjekur, ish pronarë, gra kryefamiljare, sepse me rritjen universal te taksave të gjithë pa përjashtim do paguajnë më shumë.

-të papunët dhe ata që ëndërrojnë të gjejnë një punë janë viktima më e madhe e këtij projektbuxheti sepse e kanë të qartë se me taksën e rritur 50 për qind dhe gjithë taksat e tjera me nivele më të larta, sipërmarrja jo vetëm nuk do të ketë mundësi të shtojë vendet e punës, por do të jetë e detyruar t’i shkurtoje edhe ato që ka, pra të hedhë në rrugë të punësuar. Ky është projektbuxheti dhe paketa fiskale e shpunësimit masiv të shqiptarëve dhe këtë për fat të keq koha do ta tregojnë shumë shpejt.

Por ne nuk pretendojmë ta detyrojmë shumicën të votojë në Kuvend çfarë nuk e ka kulturë, nuk e ka program, nuk e ka vizion, pra të votojë një projektbuxhet sipas vizionit të qendrës së djathtë. Kjo nuk ka sens.

Partia Demokratike ka depozituar sot zyrtarisht 39 amendamente për buxhetin e shtetit dhe Paketën Fiskale në Kuvendin e Shqipërisë.
Këto amendamente janë hartuar mbi dy parime; së pari interesi publik dhe ne jemi udhëhequr në këtë proces nga propozimet e ardhura nga grupet e interesit dhe qytetarët gjatë konsultimeve publike dhe mediatike të 10 ditëve të shkuara. Një detyrë qytetare që ne e bëmë dhe që qeveria e shpërfilli.

Këto amendamente përkojnë dhe me një parim tjetër, me premtimet elektorale të Edi Ramës, premtime që e sollën atë në pushtet në zgjedhjet e 23 qershorit. Premtimet dhe mbajtja e tyre për të cilat z.Rama nuk ka asnjë pendesë, pasi e tha edhe mbrëmë se do t’i realizojë të gjitha.

Premtimet dhe mbajtja e tyre, janë kontrata e një qeverie me zgjedhësit, dhe respektimi i tyre është burimi i moralit që e mban në këmbë një mazhorancë.

Nëse premtimet nuk mbahen, shumica është e rënë moralisht. Ky është standardi i politikës në Europë sot.

Po i paraqesim këto amendamente, sepse kemi vënë re së bashku me ju të dashur qytetarë shqiptarë, se qeveria ka harruar t’i përmendë ato. Meqenëse qeveria ka harruar, ne me këtë rast po bëhemi zëri edhe i atyre votuesve të mashtruar për shëndetësi falas, legalizim falas, heqje të TVSH për ushqimet bazë të shportës, heqje të TVSH-së për energjinë familjare, heqje të taksës së qarkullimit të naftës për fermerët, sigurimit të ujit në çdo shtëpi, dhe ofrimit të vaditjes e kullimit për çdo metër katrorë. E shumë të tjerave, por le ti marrim me radhë.
Partia Demokratike ka propozuar në Kuvend heqjen e TVSH-së për ushqimet bazë të shportës. Buxheti i qeverisë dhe Paketa Fiskale nuk e ka, por ja se çfarë premtoi Edi Rama para 4 muajsh.

(Shfaqet video e fushatës. Premtimi i Edi Ramës: Do ta heqim taksën 20 % për bukën, do ta heqim taksën 20 % për qumështin, do ta heqim taksën 20 % për vezën, për miellin, për vajin, për sheqerin dhe për orizin. Do t’i heqim).

I ka harruar. Ia kujtojmë nesër me amendamentin e propozuar nga Partia Demokratike. I japim shansin të mos damkonset mashtrues për këto premtime, ti votojë e ti miratojë.

Partia Demokratike propozon legalizim falas për zonat informale. Në këtë buxhet jo vetëm nuk parashikohet, por ALUIZNI do të vazhdojë të vjelë të ardhura. Por ky ishte kryepremtimi i Edi Ramës, dy ditët e fundit të fushatës.

(Shfaqet video e fushatës në Kamëz. Pjerin Ndreu: Legalizim i shtëpive në zonat informale do të bëhet falas. Edi Rama: Unë dëshiroj që ky zotim i firmosur prej meje të vendosur këtu diku, në sytë e të gjithëve)

Dhe mesa duket e ka çuar për riciklim. Por ne po e rikthejmë në vëmendjen e publikut, veçanërisht të mijëra qytetarëve dhe familjarëve që më 23 Qershor votuan për legalizimin falas të premtuar nga Edi Rama.

Partia Demokratike propozon shëndetësi falas, me zero kontribute shëndetësore të paguar nga qytetarët shqiptarë. Në buxhetin e Edi Ramës nuk gjendet ky projekt. Të gjithë e mbajnë mend si megapremtimin e fushatës, luftën e madhe që u bë për të bindur shqiptarët që kjo jo vetëm nuk ishte e mundshme, e realizueshme, por premtimi i parë që qeveria do të mbajë. Jo vetëm që nuk i ka hequr kontributet shëndetësore por i ka rritur 4 deri në 8 herë.

(Shfaqet video ku premton shëndetësi falas në fushatë. Edi Rama: Kemi një vizion tjetër dhe një sistem tjetër që duam të ndërtojmë. Ne shëndetësinë do e bëjmë falas)

Partia Demokratike ka propozuar një amendament në buxhet përsa i përket sigurimit të vaditjes e kullimit të çdo metër katrorë toke në Shqipëri. Duke e kujtuar atë që e ka thënë vetë zoti Rama në fushatë.

(Shfaqet video ku premton investime për ujin në fushatë. Edi Rama: Ne do të investojmë 160 milionë dollarë për ujin në parcelë dhe për kullimin dhe do të luftojmë...)

Do të luftojmë që të paguajmë të paktën një të katërtën vitin që vjen, ta çojmë 40 milionë. S’po themi që të paguajë 160 milionë që në vitin e parë.

Partia Demokratike ka depozituar amendamentin për heqjen e akcizës së naftës për fermerët së bashku me taksën e qarkullimit. Për t’i kujtuar edhe njëherë z Rama premtimin e dhënë.

(Shfaqet video ku premton heqjen e akcizës së naftës dhe taksës së qarkullimit për fermerët. Edi Rama: Nafta bujqësore duhet të jetë me një çmim tjetër dhe ne për këtë arsye do të ulim menjëherë çmimin e naftës duke hequr akcizën, duke hequr edhe taksën e qarkullimit)
Ne kërkojmë heqjen e TVSH së së inputeve në Bujqësi. Një premtim ky i Edi Ramës.

(Shfaqet video ku premton heqjen e TVSH për inputet bujqësore. Edi Rama: Prandaj ne do ta heqim tërësish taksën 20 % për inputet. )
Sanksionojmë me një amendament vendosjen e kufirit për borxhin. E lamë 62 %. Kjo qeveri po e çon në 75% të GDP, por Rama në fushatë ka thënë ndryshe…

(Shfaqet video ku premton vendosjen e kufirit për borxhin. Edi Rama: E para, ne duhet të përcaktojmë kufirin e borxhit dhe e dyta ne duhet të fillojmë menjëherë planin e punës dhe të fillojmë punën për ristrukturimin e borxhit)

Partia Demokratike propozon amendamentin për premtimin lapidar të Edi Ramës për faljen e gjobave nga 1 janari e deri në ditën e fundit të këtij viti. Premtim që reflektonte mendimin e tij kur kërkonte votën. (Shfaqet premtimi në faqen zyrtare të Partisë Socialiste)

Po ju paraqes në mënyrë të përmbledhur dhe amendamentet e tjera të Partisë Demokratike që do i propozojmë nesër në Kuvend.

1 -Heqja e plotë e TVSH-se për energjinë elektrike për të gjithë qytetarët shqiptare, për t’i ardhur në ndihmë veçanërisht familjeve në nevojë.
2 -Rritjen e nivelit të të ardhurave për punonjësit me pagë deri në 300 mijë lekë të vjetra, deri në atë masë sa të paktën të ruhet fuqia blerëse e cila kërcënohet nga humbjet që do t’u vijnë si pasojë e inflacionit, rritjes së taksës së naftës, rritjes së akcizave, taksës së banesave, etj.
3 -40 mijë lekë më shumë në muaj ose 500 mijë lekë në vit për mësuesit për të kompensuar humbjen edhe më të mëdha se kjo vlerë që do të vijnë si pasojë e inflacionit, rritjes së taksës së karburantit, rritjes së akcizës së pijeve alkoolike, duhanit, mallrave të tjera, taksës së banesës, etj.
4 -Mos rritjen e taksës së propozuar për banesat e ndërtuara para vitit 1993. Pra mbajtjen e saj në të njëjtin nivel që e kemi lënë ne. Këto banesa në të shumtën e rasteve zotërohen nga persona me të ardhura jo të larta.
5 -Përjashtimi nga tatimi për të ardhurat për të rinjtë e sapopunësuar për 5 vitet e para, dhe për sipërmarrësit e rinj, nga mosha 18 deri në 25 vjeç.
6 -Mbajtja e pandryshuar e tatim fitimit për bizneset me xhiro më të lartë se 8 milionë lekë, me qëllim që biznesi dhe tregu shqiptar të jenë sa më konkurrues brenda dhe jashtë vendit. Të gjenerojnë vende të reja pune dhe të mos humbin ato që kanë aktualisht.
7 -Kthimin aty ku ishte pra në uljen 4 deri në 5 herë (sipas zonës gjeografike) të barrës së propozuar nga qeveria Rama-Meta për ambulantët anë e mbanë Shqipërisë, kërkojmë që të qëndrojë ne nivelet që është aktualisht.
8 -Pesëfishim të investimeve të shtetit për të gjithë fermerët shqiptare dhe gjithashtu kërkojmë që investimet ne infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit te jene ne masën 40 milionë dollarë (1/4 e premtimit prej 160 milionë dollarësh ne 4 vitet e qeverisjes)
9 -Përjashtimin nga tatim-fitimi për industritë e reja agropërpunuese, për periudhën e 4-viteve të para të veprimtarisë së tyre, me qëllim që të stimulohet rritja dhe konkurueshmeria e saj në tregun e brendshëm dhe rajonal.
10 -Rritje me 0.53% të PBB-së, për sektorin e arsimit, me qëllim që brenda mandatit qeverisës, arsimi të ketë një mbështetje buxhetore në masën 5% të PBB-se.
11 -Shpërblim fund-viti për çdo pensionist, të paktën sa gjysma e vlerës së pensionit mujor
12 -Ne kërkojmë pagë të 13-të për çdo punonjës të administratës shtetërore, duke rritur fondin e veçantë të pagave
13 -Tatim fitimi i thjeshtuar për sipërmarrësit e rinj, nga mosha 18-25 vjeç, të jete zero.
14 -TVSH-ja për shërbimet shëndetësore të jete zero, jo vetëm për ilaçet por të gjitha shërbimet shëndetësore, për ta bërë kështu të plotë dhe jo të cunguar, premtimin e Ramës për shëndetësi falas. Nëse ky amendament hidhet poshtë dhe kapërdihet mashtrimi edhe në aulën e Kuvendit, të paktën barra për kontributet për sigurimet shëndetësore për të vetëpunësuarit në fshat (fermerët) të bëhet zero, dhe jo të rritet 5 deri ne 8 herë siç propozon qeveria në paketën fiskale.
15 -Heqje reale e taksës së biznesit të vogël, dhe jo zëvendësim i saj me taksën e thjeshtuar të fitimit. Nëse jo, ulje e mëtejshme e tatim fitimit Do kërkojmë heqjen e kësaj pike, nga paketa fiskale për biznesin e vogël, deri në masën 5%, duke rritur kështu mundësinë e biznesit për të investuar, e krijuar vende pune. Ky ishte edhe një premtim elektoral i Ramës.
16 -Përjashtim nga tatim fitimi i sipërmarrësve që angazhohen të zbatojnë me korrektësi lejen koncensionare. Ndërkohë që me propozimin aktual tatohen me 15 %.
17 -Sigurimin e pavarësisë së pushtetit lokal në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, kartës të autonomisë vendore të Këshillit të Europës për t’i mbledhur vete të ardhurat. Kjo do te rriste përgjegjësinë dhe mirëqeverisjen e çdo njësie të qeverisjes vendore dhe cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.
18-Për taksën e rritur të pronës të jetë pushteti qendror, dhe jo ai lokal, që të mbledhë “taksën mbi pasurinë e paluajtshme”, pasi rol kyç ne këtë proces ka edhe bashkëpunimi me ZRPP-ne, e cila administron dokumentacionin përkatës.
19- Dyfishim të investimeve të qeverisë për infrastrukturën vendore, të paktën 8 miliardë lekë për vitin 2014, për të mbështetur me investime sidomos zonat rurale e të prapambetura të Shqipërisë.

Pyetje: Z. Basha, cili do të jetë qëndrimi i PD për të tre amendamentet e paraqitura nga LSI?

Amendamenti ynë për mbajtjen e pandryshuar të tatim fitimin për bizneset me xhiro më të lartë se 8 milionë lekë përfshin edhe industrinë fasone e cila punëson afro 80 mijë qytetarë shqiptarë, për të cilën qeverisja e mëparshme e PD mori edhe masën e heqjes së tatimit mbi rrogat nën 300 mijë lekë të vjetra, që prek në tërësi këtë industri. Pra kjo industri e gjen veten tërësisht në këtë propozim të PD. Nëse LSI ka vendosur t’i bashkëngjitet këtij amendamenti është e mirëpritur. Nëse ka vendosur ti bashkëngjitet pjesërisht, edhe kjo mundet por nuk kuptojmë arsyen pse duhet të diskriminohen punëdhënësit e afro 290 mijë të punësuarve të tjerë të cilët preken drejtpërdrejtë negativisht, dhe do të shkurtojnë vendet e punës nëse nuk miratohet amendamenti ynë.

Pyetje: Z Basha, kryeministri u shpreh se nuk do të marrë parasysh amendamentet tuaja. Cili do të jetë reagimi juaj?

Amendamentet tona siç ju thashë bazohen në dy parime. Së pari në vetë premtimet e Ramës para shqiptarëve në fushatë, premtime me të cilat ju mori votën. Dhe së dyti në propozimet e grupeve të interesit në tryezat e konsultimit që ne organizuam për 10 ditë me radhë publikisht në media. Është fakt tashmë se paketa fiskale e propozuar, me të cilën çdo shqiptar do të paguajë më shumë dhe me të cilin nuk do të krijohet asnjë vend i ri pune, por rrezikojnë të shkatërrohen mijëra vende ekzistuese, përbën një shqetësim madhor për çdo shqiptar, çfarëdo shtrese ti përkasë, apo grupi shoqëror, cilado qoftë mënyra me të cilën siguron bukën e gojës, apo mirëqenien e tij. Shoqëria civile e ka bërë të qartë shqetësimin e madh përsa i përket mungesës së transparencës dhe errësirës me të cilën u imponua ky propozim dhe po aq sa i përket përmbajtjes së këtij propozimi. Ne mbështesim fuqimisht shqetësimin e tyre. Do ta ngremë zërin fort në Parlament me këto propozime konkrete që i kemi dorëzuar zyrtarisht. Por kjo është një betejë që mund dhe duhet të luftohet jo vetëm në aulën e Kuvendit por në çdo shesh, në çdo rrugë, në çdo hapësirë qytetare, mediatike, institucionale, civile, anë e mbanë Shqipërisë. Miratimi i kësaj pakete është lajmi më i keq për shqiptarët. Është fillimi i rrokullisjes drejt recesionit dhe krizës ekonomike.

Pyetje: Z Basha, së pari a keni llogaritur një faturë financiare për të gjitha amendamentet që PD paraqet sepse këto ndryshojnë të gjithë buxhetin. Së dyti, mos ndoshta po spekuloni pak me premtimet e z Rama sepse ai s’ka premtuar se do të bëjë gjithçka në një vit, por ka një mandat prej 4 vitesh?

Për pikën e dytë, edhe ne ia kemi ndarë në katër. Ka premtuar 160 milionë për fermerët dhe ne nuk kemi kërkuar 160 milionë, por kemi kërkuar që 40 milionë, një e katërta të disponohen në buxhetin e vitit të ardhshëm. Çështjet e tjera janë ato që patë dhe dëgjuat. Shëndetësia falas, legalizimet falas kërkojnë masa të menjëhershme, përsa i përket eliminimit të kontributeve të sigurimeve shëndetësore, përsa i përket jo buxhetimit tek ALUIZNI të të ardhurave por në fakt të buxhetimin në buxhetin e shtetit të rikthimit të premiove që kanë paguar edhe ata që tashmë kanë përfituar tashmë nga legalizimi nën parimin e mos diskriminimit të shenjtëruar në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në kodet e ligjet e Shqipërisë. Çdo amendament i Partisë Demokratike që mbështetet dhe udhëhiqet nga sugjerimet e grupeve të interesit, qytetarëve shqiptarë, në tavolinat mediatike, është përpunuar sipas ekspertëve tanë me kostot përkatëse dhe është buxhetuar me kostot përkatëse në mënyrën se si i është dërguar Kuvendit të Shqipërisë.

Pyetje: Cili është reagimi juaj për rritjen e akcizës pasi sipas qeverisë kjo do të ndikojë pozitivisht?

Besoj se të gjithë e kemi dëgjuar spekulimin ordiner të Ramës se taksa është vetëm për ata që kanë një veturë. Kjo nuk është e vërtetë. 120 lekë të vjetra apo 12 lekë të reja i shtohen çdo litri karburant me hyrjen në fuqi të kësaj pakete fiskale. Me të vërtetë karburantin e përdorin ata që kanë një makinë, por e përdor po kështu edhe industria e transportit, e përdor industria prodhuese, e përdorin shërbimet, e përdor ekonomia në tërësi. Kjo është e qartë si një dhe një bëjnë dy, që kjo kosto shtese e aktivitetit të tyre do ti përcillet si një efekt zinxhir çdokujt nga pensionistët, studentët, ushqimi i fëmijëve. Çdo kush do të ndjejë nëpërmjet shtrenjtimit të mallrave të konsumit, nëpërmjet shtrenjtimit të shërbimeve, efektin zinxhir të rritjes së taksës së karburantit. Ndaj dhe ky është një spekulim i pastër dhe një gënjeshtër pa këmbë fare. Taksa e karburantit do t’i rëndojë çdo shqiptari.

Pyetje: Z Basha, ju nga Durrësi folët për trinomin e së ardhmes së PD, bashkimi, hapja dhe demokracia e re. Çka nënkuptojnë këto të treja?

Këto nënkuptojnë tre vlerat kryesore në të cilat do të bazohet projekti ynë i ringritjes dhe fillimit të ri, dhe oferta jonë ndaj çdo qytetari shqiptar. Bashkim do të thotë; bashkim i të gjitha kontributeve historike në PD, që nga themeluesit e deri në ditët e sotme. Hapje do të thotë; hapje ndaj brezit të ri por edhe për këdo tjetër që e gjen veten tek kjo forcë e madhe e lirisë, tek vlerat e lirisë që ne përfaqësojmë, tek vizioni ynë i një shoqërie të lirë, me individë të lirë si çelësi i zhvillimit. Dhe demokracia e re do të thotë; demokraci gjithëpërfshirëse dhe angazhuese. Qytetarët nuk pyeten vetëm njëherë në katër vite, por konsultohen në mënyrë vazhdueshme për të gjitha vendimet që merren dhe u jepet llogari në mënyrë të vazhdueshme për performacën e të zgjedhurve me votën e tyre. Këto janë tre parimet mbi të cilat PD po ngre projektin e saj të rikthimit fillimisht si shumice morale e pastaj për të fituar besimin institucional të shumicës së shqiptarëve.

Pyetje: Z Basha si e vlerësoni mungesën e investimeve publike në një kohë kur janë premtuar edhe 300 mijë vende të reja pune?

Buxheti dhe paketa fiskale mbështeten në disa paradokse të mëdha të cilat ne i kemi identifikuar dhe i kemi bërë të qarta para shqiptarëve që ditët e para. Rritje taksash, rritje borxhi, por jo rritje pensionesh, as rrogash në tërësi, dhe asnjë investim i ri publik. Asnjë stimul zhvillimi. Pra përkeqësim i të gjithë indikatorëve të shtëpisë. Shtëpia jonë mbeti me një borxh nga 62 % në 75 % të PBB me një rritje galoponte prej 1.6 miliardë euro. Po ku shkojnë këto para?! Sepse rrogat nuk rriten, pensionet nuk rriten, taksa vilen më shumë, por për çfarë sektorësh shkojnë investimet?! Investimet publike mbeten në vend numëro. Ky është shqetësimi më i madh që ne kemi përsa i përket buxhetit në tërësi por që e kemi përkthyer në tërësinë e amendamenteve për çdo sektor. Përsa i përket premtimit për 300 mijë vende të reja pune është e qartë se buxheti nuk ofron asnjë perspektivë proporcionale për të realizuar të themi një të katërtën, apo një të pestën apo një të gjashtën e këtij premtimi, por rrezikon të zhbëjë dhe të shkatërrojë mijëra vende pune ekzistuese në ekonomi. Prandaj themi dhe e quajmë buxheti i recesionit, buxheti i tërheqjes prapa, buxhetin e tkurrjes të ekonomisë dhe jo zhvillimit dhe rritje të saj.

Pyetje: Cili do të vendi dhe pozicioni i figurave historike që kanë dhënë kontribut në PD në këtë hapje të re dhe a do të kemi një kryesi me figura të reja?

Nuk do ta ndaja kaq thjeshtë në figura të reja dhe figura të vjetra. Kontribuesit që nga themeluesit, qendrestarët e deri në ditët e sotme do ta gjejnë veten në një parti të bashkuar si kurrë më parë rreth idealeve me të cilat u formua. Lirinë individuale dhe demokracinë. Procesi zgjedhor do të jetë një proces zgjedhor i hapur që do të nisë me një kuvendim të madh të demokratëve, me një analizë të gjerë, një reflektim të madh ku nuk do të mbetet asgjë pa u thënë por nuk do të ketë vend për të thënë gjëra pa vlerë. Ku do të reflektohet fort dhe thellë, për të gjitha çka kemi arritur deri më sot por edhe për çfarë nuk kemi arritur apo bërë mirë. Kjo do ti paraprijë procesit zgjedhor dhe do të jetë ai që do të vendosë për të gjitha forumet drejtuese të partisë.

Pyetje: Kur do të nis ky proces?

Në bazë të parashikimeve statusore kemi rezervuar një periudhë kohore prej dy muajsh për procesin zgjedhor në degë. Natyrisht që jemi të hapur që në bazë të kërkesave të ardhura nga anëtarësia ta rishikojmë këtë afat.

Pyetje: Kur bëni thirrje që krahas betejës në Kuvend të bëhet edhe në sheshe, po bëni thirrje që qytetarët të mbushin sheshet por ju nuk do të jeni me ta?

PD ka një betejë institucionale të cilën e ka nisur duke i bërë thirrje qeveris para një muaji të sillte buxhetin në afatin e përcaktuar me ligj dhe ka vazhduar ditë për ditë duke kryer detyrat e saj si një opozitë evropiane. Ka dëgjuar qytetarët, ka dëgjuar grupet e interesit. Por e përcjell zërin e tyre në komisione dhe Kuvend. Të gjithë e dinë se ne nuk i kemi votat për ti ndaluar apo për të imponuar dhe thashë që shqetësimi për këtë projektbuxhet është i madh dhe i thellë dhe kjo është plotësisht e kuptueshme dhe e ligjshme. Kurrë më parë përveç në raste revolucionesh apo luftash, kurrë më parë nuk ka guxuar një qeveri e zgjedhur apo jo, të imponojë ndryshime kaq dramatike të sistemit të taksave me të cilat çdo qytetar i vendit paguan më shumë drejtpërdrejtë ose indirekt, nëpërmjet rritjes së cimeve të konsumit, dhe e ka bërë këtë në fshehtësi të plotë, në errësirë të plotë, pa asnjë transparencë dhe pa asnjë konsultim. Kur është ballafaqur me pretendimet e palëve e grupeve të interesit, me zërin e qytetarëve, nuk ka reflektuar por i është rikthyer propagandës, mashtrimit dhe deklarimeve të rreme. Siç ishin ato që nuk po rritet nga 10 në 5 por ulet me 7. Sepse ç’ekulibri matematikor e konceptual dhe paaftësia evidente e Ramës paska përcaktuar se taksat që paguanin ishte 22 dhe ky po ua ul me 7 kur në fakt po ua rrit me 5. Ky është realiteti dhe faktet janë evidente. Hapat dhe qëndrimet tona janë të qarta. Nëse këto hapa rezultojnë të pamjaftueshme për të ndalur papërgjegjshmërinë e kësaj qeverie, cila është detyra e jona dhe e qytetarëve shqiptarë?! Çdo qytetar do të duhet të pyesë veten. Çfarë duhet të bëjë nëse një qeveri kundër konsensusit shoqëror në një kohë të vështirë siç është kjo, në shkelje flagrante të interesit publik, mungesë të thellë transparence, dhe pa asnjë përgjegjshmëri vendos të rrisë taksat, të rrisë shpenzimet për veten e saj, të ulë investimet publike, të ndalë rritjen e pagave dhe pensioneve, dhe ti marrë frymën punëdhënësve të mëdhenj të këtij vendi që janë biznesi i vogël, ai i mesëm dhe biznesi i madh. Çfarë duhet të bëjmë?! Duhet të mjaftohemi vetëm më amendamente?! Duhet të mjaftohemi vetëm me denoncime mediatike?! Do të thërrasim OSBE-në të na sjellë vëzhgues?! Çdo shoqëri e civilizuar ku kanë angazhimet e tyre për fatin e tyre, siç demonstroi edhe kjo shoqëri me rastin e krizës së vetëprovokuar dhe shpërfillja e qytetarëve shqiptarë për armët kimike, merr në dorë fatin e vetë. Fati i shqiptarëve është në dorë të shqiptarëve. Sovrani në këtë vend është dhe mbetet populli. Ndaj nga kjo pikëpamje jo vetëm që nuk kemi shkurajuar por kemi inkurajuar çdo zë proteste në salla apo në sheshe, siç ishte para një jave dhe do të vazhdojmë ta mbështesim fuqimisht. Do të vazhdojmë ta mbështesim politikisht dhe kur të vijë momenti do të jemi edhe ne bashkë me qytetarët në krye të aksionit për të ndalur arrogancën, arbitraritetin, dhe papërgjegjshmërinë e kësaj qeverie që tashmë kërcënon drejtpërdrejtë xhepin, tavolinën dhe mirëqënien e çdo shqiptari.

KOMENTE