English

Skema e pensioneve po ndryshon, në të kundërt jeto sot, po punë e madhe se ç’bëhet nesër

“Në parim ne e kemi pranuar dhe do ta bëjmë një reformë pensionesh, por jo një reformë të shpejtë dhe të thellë në shpejtësi për të goditur ata që sot janë pensionistët më të moshuar dhe nuk kemi se çfarë kemi t’u kërkojmë më, mirë se nuk kemi çfarë t’u japim dot, por t’u kërkojmë sakrifica në këtë drejtim, të prekim pensionin e tyre, ne këtë nuk e kemi pranuar”, - Kështu pohoi kryeministri Edi Rama në një intervistë për “Top Story”. Rama ka deklaruar më tej se nuk do të ketë ndryshime në Qeveri ndërsa ka mbrojtur paketën e re fiskale.

Sokol Balla: Zoti Rama ju e keni quajtur buxhetin 2014 buxhet që të ndalë rrënimin, megjithatë duket që, sic e the edhe vetë, që fatura në fakt është shumë e lartë dhe kjo ju ka detyruar që jo vetëm të thërrisni FMN, por të paktën thuhet që marrëveshja ka kushte të rënda dhe kërkesa të forta që mund të shkojnë deri në rritjen e moshës së pensioni. Mund të na thoni dicka më tepër rreth kësaj marrëveshje?

Edi Rama: Marrëveshja nuk ka kushte të rënda për qytetarët. Marrëveshja ka kushte të rënda për qeverinë, në kuptimin që përkundër një marrëveshje, që nuk është detyruese për ulje rrogash, ulje pensionesh apo ndërprerje investimesh... Kërkohet reformë e thellë në të ardhurat. Duhet të garantojmë që informaliteti që është shumë i lartë, numri i atyre që nuk paguajnë taksa, që u fshihen taksave është shumë i lartë, sic është i lartë numri i atyre që nuk paguajnë faturat e energjisë. Edhe këtu kërkohet reformë. Duhet të bëjmë një reformë të thellë. Kërkohet edhe një reformë e pensioneve sepse skema aktuale nuk e ka jetën e gjatë dhe do të vijë dita që ky shtet, s’flitet as për 4-5 vite, por do të vijë dita që gjeneratat e tjera e pensionistëve nuk do të marrin dot pensione. Këtu kjo do diskutim. Në parim ne e kemi pranuar dhe do ta bëjmë një reformë pensionesh, por jo një reformë të shpejtë dhe të thellë në shpejtësi për të goditur ata që sot janë pensionistët më të moshuar dhe nuk kemi se cfarë kemi t’u kërkojmë më, mirë se nuk kemi cfarë t’u japim dot, por t’u kërkojmë sakrifica në këtë drejtim, të prekim pensionin e tyre, ne këtë nuk e kemi pranuar. Por…

Sokol Balla: E vetmja gjë është se duhet të mendoni për pensionin e brezit tonë, ajo që thoni ju…

Edi Rama: Jo, kur vjen fjala që të shoh ty këtu përballë mendoj që ti e meriton të rrish në punë deri 80 vjeç. Problemi është që të marrim masa që në afat 10-15 vjecar të ndryshojmë të gjithë skemën në mënyrë që skema të funksionojë. Përndryshe, jeto sot, po punë e madhe se ç’bëhet nesër, një gjeneratë e tërë do të ngelet pa pension. Kjo është situata.

Sokol Balla: E meriton vërtet, pavarësisht se e mora si kompliment…

Edi Rama: Kompliment po të punosh që ç’ke me të. Të të jap unë pension ty.

Sokol Balla: Gjithë problemi është që ata që kanë rroga të larta paguajnë tatime të larta, por ama dihet që në fund të fundit ofrohet një nivel tavan pensioni, pavarësisht kontributeve që t’i jep dhe kjo normalisht që duhet të ndryshojë. Në rregull ne duhet të kontribuojmë edhe për atë pjesë të shoqërisë që nuk ka mundësi…

Edi Rama: Kjo është pjesë e ndryshimit të skemës që kushdo që dëshiron të kontribuojë për të patur një pension më të lartë, mund ta bëjë këtë gjë. Por ne flasim se ne nuk jemi të shqetësuar se cfarë pensioni do ketë Sokol Balla, për të qenë të sinqertë. Problemi është që ne shqetësohemi për masën e madhe të pensionisteve që nuk mund të përfitojnë nga skema e kontributeve alternative private dhe duhet të garantohen. Përfytyroni që në raportin mes vendeve të zhvilluara dhe nesh, është një raport i pamundur kontributesh dhe personave që përfitojnë nga kontributet. Në rast se 8 vetë kontribuojnë për 1 person, për 1 pension, një raport mesatar, një njeri për një pension kjo nuk mban. Është e pamundur, duhet të ndryshojmë skemë.

E vërteta është që në këto muaj janë hapur disa çështje ndaj disa zyrtarëve të lartë të qeverisë, midis tyre Shpëtim Gjika, kryebashkiaku i Vlorës, ai i Kamzës, Xhelal Mziu që është nën pranga apo ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. Megjithatë, përsëri në këto çështje ekziston një besim që ka diçka personale me këta persona. Imami thotë që ju e keni personale me të.

E çfarë mund të kem unë personale me Imamin? Çfarë?

Prandaj po ju pyes…

Ai thotë që më sulmojnë politikisht, por kush e merr seriozisht një politikan që u bë i famshëm kur hipi majë tankut se do gjuante me tank Sali Berishën dhe pastaj zbriti në gjunjë përballë tij. Si ta marrësh seriozisht? Edhe Sudja kështu thoshte, e kanë politikisht.

Shumë debat ka hapur çështja e prishjes së ndërtimit pa leje në Vlorë, i pallatit të vjehrrit të kundërshtarit tuaj politik. Kjo u interpretua si një sulm personal. Shqipëria është e mbytur në ndërtime pa leje… Si i përgjigjeni kësaj akuze?

Është komplet keqinterpretim. Nuk po them dashakeqës, pasi nuk ke arsye personale, por aty është bërë një pastrim pa dallim nga fillimi deri në fund, për t’i kthyer Vlorës detin e gjirin e saj e jo vetëm Vlorës, por gjithë Shqipërisë në fakt. Aty do të ndërtojmë një projekt që do të jetë kartvizita e bregdetit të Shqipërisë evropiane dhe nuk mundet dot që në atë aksion të mbylleshin sytë përpara një pallati të ndërtuar mbi det, ishte e pamundur.

Shpëtim Gjika ju doli kundër kur tha se pallati ishte me leje?

Është e vërtetë që është dhënë një leje në kundërshtim me çdo ligj e sens të zhvillimit të një qyteti dhe mbrojtjes së një deti e kjo ishte arsyeja pse ne nxorëm një fond, për ata që në mirëbesim falë asaj palo leje kanë marrë e kanë paguar atë shtëpi.

Nga ana tjetër ka pallate monstruoze edhe në Durrës apo në qendër të Tiranës, etj.

E para punës, ky s’do të jetë pallati i fundit që prishet dhe ky nuk u prish sepse kështu na lindi ne ideja, por si pasojë e një plani rindërtimi në gjirin më të bukur urban të këtij vendi, ndaj sigurisht që do të ketë edhe të tjera më mbrapa patjetër.

Zoti Rama, Gjykata Kushtetuese ju hodhi poshtë aktin normativ për administratën, çdo të bëni ju tani?

Ne jemi absolutisht të bindur që gjykata nuk ka marrë vendimin e drejtë, por është vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe ne e respektojmë këtë vendim. Për aq sa ka pasur në kompetencë gjykata që për ne nuk është i drejtë, por në fund të ditës, çdo vendim gjykate është gjykate dhe ndryshe nga ata që ishin deri dje, ne as do ngrihemi e të themi një mijë e një të zeza për gjykatësit e as do i themi presidentit “ti je një horr bulevardi”.

KOMENTE