English

Erdogan: Ata që e quajnë hetim për korrupsion janë të korruptuar vetë

Kryeministri turk Recep Tayip Erdogan deklaron se nuk do të tërhiqet pavarësisht akuzave për korrupsion që detyruan tre ministra të dorëhiqen më herët gjatë javës.

Në një tubim jashtë aeroportit kryesor të Stambollit ditën e premte, zoti Erdogan bëri thirrje për të luftuar ndaj asaj që shihet si sfida më e madhe për qeverinë e tij në 11 vite detyrë.

Ai e cilësoi hetimin për korrupsion si një “fushatë të pistë” dhe u bëri thirrje mijëra mbështetësve që të votojnë partinë e tij në zgjedhjet lokale të muajit të ardhshëm. “Ata që e quajnë hetim për korrupsion janë të korruptuar vetë”, tha kryeministri turk.

Gjatë së premtes policia qëlloi gaz lotëjsellës dhe plumba gome për të shpërndarë protestuesit në sheshin Taksim të Stambollit, raportojnë mediat ndërkombëtare online.

Protesta u zhvilluan edhe në kryeqytetin Ankara dhe në Izmir, me manifestuesit që brohorisnin “kapeni hajdutin” dhe që i bënin thirrje zotit Erdogan të tërhiqej.

Fëmijët e tre ministrave, atij të Brendshëm, atij të Ekonomisë dhe atij të Mjedisit ishin mes shumë personave të arrestuar më herët gjatë muajit për korrupsion.

Ndërkohë, ushtria deklaroi një ditë më parë se nuk ka ndërmend të përfshihet në argumente politike, duke iu përgjigjur kështu zërave për një komplot të organizuar prej saj.

Policia turke po heton mbi një transfertë të dyshimtë parash për në Iran dhe për mitmarrje për projektet e ndërtimit, skandal ky që ka shkaktuar rënien e lirës kundrejt dollarit.
Turqia është duke u tronditur nga një skandal korrupsioni të brendshëm rreth kryeministrit Tajip Erdoan dhe partise se tij ne pushtet(AKP).
Policia dhe gjyqësori janë gjithashtu të përfshirë thellë, dhe ndiqen qytetarët e zemëruar në qytete të ndryshme.

Social media jep një ide se çfarë është duke ndodhur ne Turqi. Të gjitha shenjat tregojnë për më shumë trazira pasi hetimi mbi korrupsionin vazhdon.

Protestuesit në sheshin Taksim të Stambollit janë duke brohoritur: "Kudo ryshfet, kudo korrupsion!"

KOMENTE