Ligjvënësit e lartë në Kinë kanë miratuar një rezolutë që lehtëson politikën për një fëmijë të vetëm, raporton agjencia e lajmeve “Xinhua”.
Një komitet i Kongresit të Popullit miratoi rezolutën duke u mundësuar çifteve që të kenë dy fëmijë nëse edhe prindi është fëmijë i vetëm.
Një propozim për të hequr edhe riedukimin në kampet e punës është miratuar gjithashtu nga ligjvënësit kinezë. Ndryshimet politike ishin paralajmëruar më herët pas një mbledhjeje të krerëve të Partisë Komuniste në nëntor.
Reformat, që u vendosën në fund të një takimi 6-ditor të kongresit, janë testuar tashmë në disa pjesë të vendit. Gjithësesi, duhet miratimi legjislativ zyrtar që ato të hyjnë në fuqi.
Pritet që reformat të realizohen gradualisht në të gjithë vendin, me autoritetet provinciale që do të mund të marrin vendimin e tyre, në bazë të situatës demografike lokale.
Faktorë të tjerë veç politikës për një fëmijë të vetëm, si mungesa e mbështetjes sociale, kanë inkurajuar çiftet që të kufizojnë lindjet.
Aktualisht mendohet se Kina ka një kuotë lindjeje prej 1.5 fëmijë për grua, që është në fakt më e lartë se vendet fqinje të saj, përfshirë Taivanin, Japoninë dhe Korenë e Jugut/Top Channel/