Deklarata e plotë e Koordinatores për mediat, Silvi Bardhi:
Po bëhen 5 ditë qysh se Ministri i Brendshëm brohoriti, rrahu shpatullat, e tha, bravo çuna, dhe e mbylli me gëzuar, vrasjen e një qytetari në kërkim, të dyshuar për kryerjen e veprave të rënda penale.
Prej 5 ditësh, asnjë reflektim nga ana e Ministrit të Brendshëm, i cili ka mbajtur publikisht qëndrimin më të papjekur në historinë e shtetit shqiptar.
Partia Demokratike i kërkon z.Tahiri të japë shpjegime e të distancohet menjëherë nga qëndrimi i tij mbi vrasjen e një qytetari nga policia, pasi sjellja e tij është një akt turpi për shtetin, për imazhin e vendit, dhe për vetë Policinë e Shtetit.
Është e pabesueshme që Ministri i Brendshëm të thotë bravo për një vrasje, ta konsiderojë policinë e shtetit si një organizatë që merr hak, dhe ta trajtojë ngjarjen si një çështje të brendshme, duke harruar ligjin dhe rregullat e shtetit.
Partia Demokratike mbështet aksionet e policisë edhe kur ato sjellin pasoja ekstreme, nëse kjo është një masë e nevojshme për sigurinë e vetë policisë dhe të qytetarëve.
Partia Demokratike mbështet reagimin e policisë kur është proporcional dhe në kushtet e parashikuara në ligj.
Por është e pafalshme që Ministri i Brendshëm të predikojë vrasjen. Kjo nuk është sjellja e një ministri të një vendi që aspiron të integrohet në Bashkimin Europian.
Me qëndrimin e tij publik, Ministri Tahiri duket se ka ndërmend të instalojë në Shqipëri dënimin me vdekje, ta kthejë Shqipërinë mbrapa në kohën e praktikave të sigurimit të shtetit.
Sjellja e Ministrit të Brendshëm është shenjë e një sëmundje të rëndë, të delirit të madhështisë dhe kjo ndodh kur një riosh vishet me më shumë pushtet nga sa i mbajnë shpatullat.
Veprimtaria e policisë së shtetit është e bazuar rreptësishtë në ligj, dhe nuk është një lojë luftash, siç zhvillohet në mendjen e ministrit Tahiri.
Me qëndrimin e tij pas ngjarjes, Ministri i Brendshëm ka treguar se është një rrezik publik, dhe se nuk ka kthjelltësinë e pjekurinë e duhur për të mbajtur një detyrë kaq të rëndësishme.
Duke qenë se deklaratat e Ministrave, përpara se të bëhen publike, kalojnë nga aparati qëndror i Edi Ramës, për fat të keq, kjo histori delirimi me pushtetin përfshin dhe Kryeministrin e vendit.
Kjo e bën edhe më të rëndë situatën, dhe më të pashpresë zgjidhjen. Kur një ministër çmendet publikisht, nuk i kërkon dot as Kryeministrit që të marrë masa, pasi ai vetë ka dhënë liçencën për këtë dalldisje adoleshenteske.
Prej 5 ditësh, asnjë reflektim, as nga Ministri dhe as nga Kryeministri.
Partia Demokratike, edhe një herë kërkon reagim publik, shpjegim publik, dhe distancim publik të Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm, nga ky qëndrim tërësisht jo-europian i z.Tahiri.
Vetëm një distancim i qartë publik, do të ishte një lehtësim për opinionin publik që është sot e kësaj dite i shqetësuar për komentet e qeverisë mbi vrasjen e një qytetari të dyshuar për vepra të rënda penale.