English

Basha-Thaçi. Bisedime rreht situatave politike Shqipëri-Maqedoni

Pas takimit me kreun e PDSH-së së Maqedonisë z/Menduh Thaçi, kryetari i PD-së dhe një kohësisht kryetari i Bashkisë Tiranë z/Lulzim Basha ka dhënë një prononcim lidhur me takimin:

6 Janar 2014
Sot kam pritur në Partinë Demokratike, Kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni Menduh Thaçin, me të cilin kemi një bashkëpunim dhe një dialog të kahershëm, por sot e presim në cilësinë e Kryetarit të Partisë Demokratike për herë të parë në selinë e PD-së.

Kemi diskutuar mbi një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me opozitën si në Shqipëri dhe në Maqedoni. E kam informuar mbi zhvillimet në vend dhe kam marrë prej tij një informacion të detajuar të problemeve dhe sfidave dhe zhvillimeve në Maqedoni.

Partia Demokratike ka qenë dhe mbetet një përkrahëse e vendosur dhe e fuqishme e avancimit të të drejtave të komunitetit shteformues të shqiptarëve të Maqedonisë duke kërkuar me vendosmëri zbatimin pa vonesë dhe në mënyrë të plotë të të gjitha parashikimeve të marrëveshjes së Ohrit dhe duke kërkuar emancipimin e të gjithë shoqërisë në shtetin fqinj nëpërmjet respektimit të plotë të të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni si rruga e sigurt e përparimit evropian dhe euroatlantik të Maqedonisë. Dhe në këtë kuadër një rol mjaft të rëndësishëm ka faktori politik shqiptar në Maqedoni, në opozitë apo në qeveri dhe për këtë arsye kemi mbajtur dhe do të vazhdojmë të mbajmë marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi, dialogu, informimi, me të gjithë faktorin politik shqiptar.

Çmoj në këtë kuadër qëndrimet e Partisë Demokratike Shqiptare dhe të kryetarit Menduh Thaçi në avancimin e këtyre qëllimeve të përbashkëta dhe ndava me të vlerësimin tim dhe të Partisë Demokratike se pavarësisht nga rrugët e ndryshme dhe pozitat e ndryshme të faktorit politik shqiptar në Maqedoni e rëndësishme është që objektivi të jetë dhe të mbetet i njëjti, plotësimi dhe garantimi i të gjitha të drejtave humane, kushtetuese, ligjore, evropiane të komunitetit shtetformues të shqiptarëve të Maqedonisë si një parakusht i rëndësishëm i udhëtimit evropian të shtetit fqinj lindor, si një parakusht i integrimit evropian të të gjithë rajonit të Europës Juglindore.

Prononcimi i z Menduh Thaçi: Faleminderit. Kërkesa për t’u takuar ishte e imja. Normalisht kisha shumë dëshirë që z Basha t’i uroj funksionin e ri drejtues në Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe opozitës. Për popujt e civilizuar dhe shtetet e zhvilluara opozita është më e rëndësishme se pushteti për shkak se opozita mban nën vete pushtetin moral, është një kontrollues i madh i qeverisjes për të mos ndodhur abuzime.

Biseduam për çështje që kanë të bëjnë me shqiptarët në Maqedoni por realisht në të njëjtën kohë biseduam edhe për aspekte politike të Shqipërisë. Për shqiptarët e Maqedonisë është jashtëzakonisht e rëndësishme situata politike në Shqipëri për shkak se sa më tepër që të zhvillohet një kohezion i fuqishëm dhe funksionalizim i institucioneve të shtetit, ne ndihemi më mirë dhe më të fuqishëm, dhe e kundërta.

Përsa i përket Maqedonisë, ballafaqohemi me një situatë të rëndë të bllokimit të proceseve integruese që paraqet një pengesë serioze të integrimit të shqiptarëve në sistemin e vlerave perëndimore dhe në të njëjtën kohë një gatishmëri e pashpjeguar e qeverisë për ti shkelur të gjitha marrëveshjet, qofshin të brendshme apo ndërkombëtare që kanë të bëjnë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve.

Ndjehemi bashkërisht të bashkëpunojnë në të ardhmen vetëm për të mirën e njerëzve dhe për të keqen e askujt. Dhe ky takim po ashtu duhet të kuptohet nga të gjithë, pa marrë parasysh ky gjendem dhe çka përfaqësoj se është një takim i dëshirave të mira dhe sukseseve të të gjithë shqiptarëve.

KOMENTE