Arjan Çanit, prezantuesit të njohur televiziv i është pezulluar leja e drejtimit të automjetit për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit.
Gjithçka ka nisur me një mosrespektim semafori nga Çani, e duke përfunduar më pas në një përplasje mes tij dhe shefit të trafikut rrugor të kryeqytetit, Ervin Dervishi.
Nga hetimet e kryera deri më tani ka rezultuar se Çani ka kaluar me shpejtësi të madhe semaforin me të kuqe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në krah të Galerisë Kombëtare të Arteve, duke mos u ndalur dhe duke vënë në rrezik jetën e kalimtarëve tek vijat e bardha.
Dhe pse i është kërkuar të ndalojë nga shefi i patrullës, Çani ka vazhduar të shijojë shpejtësinë maksimale, duke bërë që në ndjekje të tij të vihen edhe patrullat e rendit.
Çani është ndjekur për disa minuta me radhë në rrugët e kryeqytetit, pasi ai i ka rënë kryq e tërthor bulevardit, duke sjellë vërdallë policët që i ishin vënë në ndjekje, të cilët kanë mundur ta ndalin diku në afërsi të Pallatit të Kulturës.
Kaq ka mjaftuar që Çani të nisë të ofendojë policët, e më pas të mos pranojë shkeljen rrugore që kishte bërë. Arian Çani ka kërkuar që të mos ndëshkohet, duke telefonuar edhe ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri për të shmangur ndëshkimin e policisë.
Por as telefonata me ministrin nuk e ka ndihmuar Çanin, që t’ia hedhë kësaj here. E ndërsa rrugorët i kanë bllokuar patentën dhe lejen e qarkullimit, bën të ditur "A1 Report". Por pavarësisht kësaj, Çani vazhdon të qarkullojë me automjetin e tij edhe pse nuk ka patentë dhe leje qarkullimi!