Emigrantët shqiptarë në Greqi janë duke u përballur sërish me pengesa nga shteti fqinj për dokumentet e qëndrimit. Problem sërish janë toponimet.
Mijëra familjeve shqiptare iu është dërguar nga shteti grek një letër ku njoftohen se iu lihet në dispozicion vetëm një muaj afat për të bërë rregullimin e vendlindjes së tyre në pasaportat shqiptare, në të kundërt atyre i është komunikuar largimi nga Greqia.
Iris Hajdinaj është një nënë që të dy fëmijët e saj janë lindur në Greqi, të cilëve i rrezikohet qëndrimi atje.
“Fëmijëve të mi nuk u është dhënë leja e qëndrimit vetëm për arsyen sepse pasaportat e tyre quhen të pavlera sepse në to shkruhet Selanik në vend të Thesaloniki. Ky është një problem shumë serioz. Fëmijëve të mi i skadojnë dokumentat në korrik, por lejen e mëpasshme nuk e dhanë vetëm për këtë arsye, thotë Iris Hajdinaj.
Vendlindja e fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi është e shkruajtur në shqip, ndërsa shteti fqinj kërkon që ato të shkruhen në gjuhën angleze, duke e vënë këtë kusht për rinovimin e lejeve të qëndrimit në Greqi.
Kontaktet zyrtare në Tiranë kanë thënë se me palën greke po punohet për zgjidhje përfundimtare të cështjes së toponimeve, afati që shteti grek iu ka lënë kerkon, thonë ata, një zgjidhje të shpejtë.