English

Delegacioni shqiptar në Izrael. Synim rritja e investimeve

Një delegacion i qeverisë shqiptare i kryesuar nga Zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri po zhvillojnë një vizitë zyrtare disa ditore në Izrael.

Gjatë kësaj vizite, delegacioni zhvilloi një takim me Ministrin e Energjisë dhe Ujërave të Izraelit, Silvan Shalom. Me të u diskutua për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, duke vënë theksin në zgjerimin e mundësive që shoqëritë izraelite të investojnë në Shqipëri.

Ministri Shalom shfaqi interesim të veçantë për disa fusha potenciale investimesh siç janë ato të energjisë, ujit dhe teknologjisë së informacionit.

Në kuadër të këtyre bisedimeve, Shqipërinë do ta vizitojë shumë shpejt një grup ekspertësh nga qeveria izraelite me qëllim përgatitjen e marrëveshjeve të nevojshme të bashkëpunimit në këto fusha specifike e me rëndësi për zhvillimin e vendit.

Gjatë qëndrimit të tyre në Izrael, Z. Peleshi dhe Z.Gjiknuri patën rastin të takohen edhe me shoqëritë më të mëdha izraelite në fushën e energjisë, turizmit dhe industrisë prodhuese. Këto të fundit shprehën interes për t’u njohur me politikat e qeverisë dhe lehtësirat që do të krijohen për të garantuar investimet e huaja në Shqipëri.

KOMENTE