English

Ristani: Ministri i Brendshëm po synon të manipulojë të dhënat e kriminalitetit

Deklarata për media e deputetit të Partisë Demokratike Arben Ristani dhënë sot për median në 8 janar 2014:


“Po nuk doli në media, nuk ka ndodhur”. Kjo është filozofia e qeverisë dhe e Ministrit të Brendshëm përsa i përket luftës ndaj kriminalitetit.

Me këtë orientim, Ministri i Brendshëm po synon të manipulojë të dhënat e kriminalitetit, sipas një mekanizmi të mirëorganizuar, që nis me mosregjistrimin e ngjarjeve në terren, dhe më tej akoma me përpjekjen për të ndikuar tek mediat në mosraportimin e lajmeve të kronikës së zezë.

Në dhjetor, sipas burimeve zyrtare, kanë ndodhur dy ngjarje të rënda në Tiranë, një vendosje tritoli në një biznes në zonën e Pallatit me Shigjeta dhe një grabitje me armë në zonën e Yzberishtit, të dyja këto ngjarje që nuk janë pasqyruar në buletinet e policisë, ndërkohë informacioni nuk i është dhënë as medias.

Gazetarët e kronikës së zezë të gazetave dhe televizioneve po kalojnë periudhën më të vështirë të punës së tyre, pasi deviza e Ministrit dhe e qeverisë është të mos konfirmohet informacioni, të mos flitet me mediat, në mënyrë që lajmet të mos botohen.

Ka edhe me keq, gazetarëve sidomos në rrethe u bëhet presion nga shefat e komisariateve që të mos publikojnë ngjarje të caktuara.

Fshehja e krimeve ka pasoja shumë të rënda publike.

E para, qytetarët e dëmtuar ndihen të tradhtuar kur shohin se ngjarja e rëndë ndaj tyre mbahet sekret.

E dyta, krimi vetë stimulohet edhe më shumë, duke qenë se nuk bëhet publik aktiviteti i tij.

I gjithë mekanizmi i manipulimit të të dhënave orkestrohet nga Ministri vetë, i cili është edhe kryeredaktori i buletineve të policisë, në kundërshtim me ligjin.
Kjo përpjekje nuk e rrit aspak sigurinë publike dhe nuk e ul kriminalitetin.

Në dy ditët e fundit kemi 5 të vrarë.

Përplasje me armë e grabitje kudo, më të fundit në Vlorë, në Korcë, në Durrës ku agresorët kanë pasur edhe makinë me alarm policie.
Grabitjet dhe maskat janë shtuar, sepse profesionistët e policisë janë zëvendësuar me militant.

Pasiguria e qytetarëve është rritur, sepse Ministri i Brendshëm bën shfaqje mediatike dhe në vend të përgjegjësisë, ushtron trukimin e të dhënave.
Gjobat dhe arbitrariteti i policisë ndaj qytetarëve jane shtuar.

Qarkullon një urdhër në radhët e uniformave blu në Tiranë, se duhen vënë çdo ditë 1000 gjoba.

Nuk ka rëndësi se sa shkelje ka, si dhe ku lëvizin qytetarët me automjetet e tyre. Qeverisë i duhen 1000 gjoba në ditë.

Ky është urdhër. Bravo çuna! Hakmerruni pa ligj e pa rregulla, por deri kur do mund ta bëni këtë?

KOMENTE