English

Vjollca Meçaj: “Vendimi i Kushtetueses hyn në fuqi kur mbaron arsyetimi”

S. Topi - Akti Normativ i qeverisë i cili shtyn me 6 muaj hyrjen në fuqi të ligjit “Për statusin e nëpunësin civil”, vijon të jetë në fuqi. Sipas juristëve, edhe pse Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për ta rrëzuar këtë Akt Normativ, ai vijon të jetë në fuqi për sa kohë që vendimi i Kushtetueses nuk është zbardhur në Fletoren Zyrtare. Sipas drejtores ekzekutive të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Vjollca Meçaj, vetëm kur përfundon arsyetimi, vendimi mund të hyjë në fuqi. I të njëjtit qëndrim është dhe ish-zëvendësministri i Drejtësisë, Sokol Hazizaj.

Ligjshmëria

“Një vendim i marrë nga gjykata, në rastin konkret nga Gjykata Kushtetuese, konceptohet në dy momente: vendimi dhe arsyetimi. Kur përfundon arsyetimi i plotë i vendimit, pra merr firmën përfundimtare, atëherë ai mund të konsiderohet i plotë dhe hyn në fuqi. Në rast të kundërt vendimi nuk ka hyrë në fuqi”, - argumenton Meçaj për gazetën “Shekulli”. Dhe Hazizaj shprehet se çdo vendim duhet të shoqërohet me arsyetimin përkatës. “Çdo gjykatë, dhe Gjykata Kushtetuese duhet të shpallë një vendim së bashku me arsyetimin. Palët në një proces duhet të njihen me arsyetimin përkatës. Sa kohë që ajo shpall një vendim duhet ta shpallë arsyetimin mbi të cilin e bazon qëndrimin e saj. Në kushtet kur nuk është zbardhur vendimi, Akti Normativ vazhdon të ndjekë rrjedhën e vet”, - shprehet Hazizaj. Ish-zëvendësministri i Drejtësisë e konsideron këtë vonesë në zbardhjen e arsyetimeve si një mungesë standardesh. “Çështja është se kjo vonesë tregon mungesë standardi. Nuk është çështja që është qeveria ‘Rama’, qeveria ‘Berisha’ apo çdo qeveri tjetër. Unë si qytetar, nesër apo pasnesër kur të kem interes për një vendim gjyqësor i kujtdo qoftë ai, qoftë edhe i Gjykatës Kushtetuese, duhet të njihem me arsyetimin dhe jo të pres që të zbardhet vendimi për të vepruar në bazë të tij”, - pohon Hazizaj.

Afatet

Sa i përket afateve, nëse Gjykata Kushtetuese duhet të ketë apo jo limite për zbardhjen e vendimeve, juristët ndahen në qëndrime. Sipas Meçajt, Gjykata Kushtetuese merret me gjykimin e çështjeve shumë të rëndësishme që shpesh kanë të bëjnë dhe me ndarjen e pushteteve, çështje kompetencash apo dhe arsyetime të ndryshme kushtetuese, pra çështje me rëndësi për të cilat duhet një arsyetim shumë i argumentuar. “Në këtë kuadër unë mendoj se nuk duhet të ketë një afat të përcaktuar për t’i vënë asaj kufij”, - pohon ajo. Por, sipas Meçajt, anëtarët duhet të marrin parasysh rëndësinë e vendimeve dhe në këtë mënyrë të mund të përshpejtojnë dhe procesin e zbardhjes së tij. Ish-ministri i Drejtësisë shprehet se vendimi që në momentin e shpalljes së tij duhet të shoqërohet me arsyetimin përkatës çka e bën të panevojshëm dhe diskutimin se sa duhet të jetë koha në dispozicion që duhet të ketë gjykata për ta zbardhur atë. Gjykata Kushtetuese rrëzoi Aktin Normativ të qeverisë për të shtyrë edhe me 6 muaj hyrjen në fuqi të ligjit të ri “Për statusin e nëpunësit civil”. Trupi gjykues konkludoi se akti është antikushtetues. Trupa e gjyqtarëve ka gjykuar mbi argumentet e paraqitura në seancën gjyqësore të zhvilluar në 26 nëntor, që zgjati më shumë se tre orë, ku përfaqësuesit e Partisë Demokratike u shprehën se qeveria nuk ishte në kushte nevoje dhe urgjence për të përdorur Akt Normativ, ndërsa të majtët e argumentuan shtyrjen e hyrjes në fuqi të ligjit të ri, me pamundësinë financiare të buxhetit të shtetit për zbatimin e menjëhershëm të ligjit. Për demokratët, nxitimi i qeverisë lidhej vetëm me heqjen nga puna të punonjësve të administratës publike. Madje sipas tyre, vendimi i qeverisë për të nxjerrë një akt normativ për të ndryshuar një ligj të miratuar më parë me shumicë të cilësuar nga parlamenti, cenon rëndë ndarjen e pushteteve. “Pasi Këshilli i Ministrave mori dhe ushtroi kompetenca jo të vetat, ky veprim cenon ndarjen dhe balancimin e pushteteve dhe krijon kontradikta midis organeve dhe Kuvendit të Shqipërisë, kontradikta që nëse kjo veprimtari e paligjshme vijon edhe në të ardhmen, mund të materializohet deri në ndërhyrje që nuk mund t’ia dimë pasojat. Mendoni për një moment një rast absurd nëse miratohet një akt normative i qeverisë i cili ndryshon Kushtetutën dhe për objekt të tij të ketë shkrirjen e veprimtarisë ligjvënëse të Kuvendit. Kush mund t’i vinte fre këtij akti normativ, kësaj paligjshmërie të qeverisë?”, - ka deklaruar avokati i PD-së, Ivi Kaso në seancën e 26 nëntori. Ndërsa përfaqësuesit e Kuvendit dhe të Këshillit të Ministrave këmbëngulën se akti është marrë në përputhje me Kushtetutën. Përkundër pretendimit të demokratëve që një ligj i miratuar me shumicë të cilësuar nuk mund të ndryshohet me akt normativ, për qeverinë një nismë e tillë është e mundur.

Kaso: Akti Normativ, i pavlefshëm

Akti Normativ i qeverisë për të shtyrë me 6 muaj hyrjen në fuqi të ligjit për “Statusin e nëpunësin civil” është i pavlefshëm që në momentin që ai është shpallur antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Kështu argumenton Ivi Kaso, juristi i PD-së, i cili ka mbrojtur çështjen në Kushtetuese. Sipas tij, me marrjen e këtij vendimi nga gjykata, çdo vendim i marrë mbi bazën e këtij Akti Normativ që nga momenti që ai është miratuar, është tërësisht i pavlefshëm. Edhe pse Kaso pohon se ashtu si mazhoranca qeverisëse, opozita është në pritje të zbardhjes së këtij vendimi për tu njohur me arsyetimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese. Ai shton se për shkak të ndjeshmërisë që ka çështja në fjalë, Kushtetuesja duhet të përshpejtojë zbardhjen e vendimit. Madje shton se, në këtë pikë ka nevojë dhe për përmirësime ligjore, në mënyrë që në rastin kur kemi të bëjmë me çështje shumë të ndjeshme, gjykata të ketë një afat të caktuar brenda të cilit duhet të zbardhë arsyetimet e vendimeve të saj.

Qeveria, gati 10 akte nënligjore për nëpunësit

Qeveria në bashkëpunim me Departamentin e Administratës publike kanë përgatitur deri më tani 10 drafte për zbatimin e ligjit për nëpunësin civil. Pavarësisht se Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e Aktit Normativ të qeverisë për të shtyrë me 6 muaj efektet e ligjit të ri “Për statusin e nëpunësit Civil”, vendimet në zbatim të tij janë të detyrueshme, por ndryshon vetëm data e hyrjes në fuqi. Draftet përcaktojnë rregullat e transferimit, rekrutimit dhe të lirimit nga administrata publike të nëpunësve civilë. Këto drafte janë në proces konsultimi me të gjitha grupet e interesit për tu kthyer më tej në akte nënligjore vepruese. Një nga projektvendimet më të rëndësishme është ai për “Transferimin e përhershëm dhe të përkohshëm të nëpunësve civilë, pezullimin dhe lirimin nga shërbimi civil. Ky vendim rregullon procedurat për transferimin e përhershëm dhe të përkohshëm të nëpunësit civil, pezullimin nga shërbimi civil të nëpunësve civilë, lirimin nga shërbimi civil për nivelin ekzekutues dhe të mesëm drejtues”. Nëpunësi civil lirohet nga shërbimi për shkaqet e parashikuara nga neni 66 i ligjit Nr. 152/2013, datë 30 maj 2013 “Për Nëpunësin Civil” me deklarimin e njësisë së burimeve njerëzore të institucionit, ku nëpunësi ushtron detyrën. Marrëdhënia në shërbimin civil përfundon nëpërmjet lirimit në këto raste: a) për shkak të refuzimit të pajustifikuar të nëpunësit për të pranuar transferimin e përhershëm; b) kur nëpunësi deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor; c) pas dy vlerësimeve “jokënaqshëm”, për dy vite radhazi, të rezultateve në punë; ç) kur nëpunësi ushtron të drejtën për pensionin e reduktuar të pleqërisë; d) kur nëpunësi civil gjendet në një situatë të konfliktit të vazhdueshëm të interesit, të deklaruar nga vetë nëpunësi dhe, sipas ligjit, nuk merr masat e parashikuara për shmangien e konfliktit të interesit brenda afatit të përcaktuar apo nëse transferimi në një pozicion tjetër nuk do të mënjanonte gjendjen e konfliktit të vazhdueshëm të interesit; dh) kur nëpunësi jep dorëheqjen nga detyra; e) kur nëpunësi i nivelit të lartë drejtues anëtarësohet në një parti politike ose kur nëpunësit e niveleve të tjera bëhen anëtarë të organeve drejtuese të një partie politike; ë) në çdo rast tjetër, të parashikuar nga ligji.

KOMENTE