English

9 janar, hyn në fuqi mekanizmi pezullues i vizave

Sot më 9 janar hyn në fuqi mekanizmi pezullues, sipas rregullores së ndryshuar të vizave që miratoi muajin e kaluar Këshilli i BE-së.
Vendimi siguron që një shtet anëtar t'i kërkojë Komisionit Europian pezullimin e lëvizjes së lirë për një vend përfitues të regjimit pa viza, nëse përballet me një situatë emergjente, kur përgjatë 6 muajve vërehet:

Rritje e menjëhershme dhe domethënëse e numrit të emigrantëve të paligjshëm; të kërkesave të pabazuara për azil; apo të refuzimit të kërkesave për riatdhesim, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Megjithëse vërehet ulje e numrit të azilkërkuesve nga Ballkani, ajo nuk është ende bindëse për disa vende anëtare, sipas zëdhënësit të komisioneres Mallmstrom.

"Ka një numër vendesh anëtare që këto vitet e fundit vazhdimisht janë ankuar se ka probleme me të cilat duhet të përballemi dhe kjo nuk është e re, vijon e njëjta situatë. Shqetësimi i disa vendeve anëtare qëndron tek tendenca që nuk po ulet në mënyrë bindëse. Kjo është diçka që Komisioni po e sheh sistematikisht përmes sistemit të monitorimit dhe vlerësimit, i krijuar posaçërisht për të parë se cila është situata dhe se ku jemi", deklaroi Michele Cercone.

Pezullimi i regjimit pa viza nuk bëhet në mënyrë të menjëhershme me ankesën e një shteti anëtar. Pas vlerësimit, Komisioni dhe Këshilli, me pëlqimin e Parlamentit, mund të marrin vendim për pezullim 6-mujor të lëvizjes së lirë ndaj vendit problematik.

Në mes të vitit 2015 hyn në fuqi dhe Sistemi Europian i Azilit, që përcakton proçedura dhe afate kohore të përbashkëta, si dhe një minimum të drejtash për azilkërkuesit sapo të kenë mbërritur në vendet e BE-së/TCH/

KOMENTE